E Diel, 1 Nëntor 2026

“Amnistia nuk lë vend për hamendësime”

Autori i Lajmit: Anilejda Shëmbitraku

Amnistia Fiskale është kthyer këto ditë në një debat mediatik. Të gjithë flasin për këtë çështje duke filluar nga të interesuarit e drejtpërdrejtë që janë bizneset, duke vazhduar me specialistët në fushën e financave dhe për të përfunduar me qeveritarët e të gjitha rangjeve. Ministri i Financave, para pak ditësh, deklaroi se amnistia fiskale do të realizohet brenda një viti. Petraq Milo, këshilltar ekonomik i Kryeministrit në një prononcim për gazetën “Ballkan”, ka theksuar se periudha njëvjeçare është më se e mjaftueshme për mbylljen e të gjitha procedurave. “Amnistia duhet të bëhet brenda një viti fiskal. Kjo është kohë më se e mjaftueshme për mbylljen e këtij procesi. Duke qenë se bizneset janë shumë të interesuara, nuk besoj të ketë probleme mosrealizimi. Amnistia fiskale nuk ka asnjë vend për hamendësime të tilla”,- ka deklaruar Milo për gazetën “Ballkan”. Biznesi shqiptar, i përfaqësuar nga Dhoma e Tregtisë, i ka kërkuar qeverisë me anë të një drafti që amnistia fiskale të ndërmerret pa kushte. Një gjë e tillë do të thotë se procesi duhet të realizohet duke përjashtuar çdo paragjykim, interpretim apo kontroll të pozicionit financiar të sipërmarrjes nga organi përgjegjës, në terma kontrolluese, vlerësuese dhe operacionale, përveçse kur vërtetohet se vënia e pasurisë, lidhet me ushtrimin e një aktiviteti të jashtëligjshëm që përcaktohet në Kodin Penal. Në draftin e hartuar, biznesi kërkon që amnistia fiskale të përfshijë edhe atë kategori biznesi, i cili ka procese administrative/gjyqësore të hapura apo gjoba për shkelje të procedurave tatimore, gjatë ushtrimit të aktivitetit. Taksimi i këtyre vlerave duhet të përllogaritet dhe përfshihet në vlerën e prezantuar në formularin e vetëdeklarimit, duke e bërë gjithëpërfshirës procesin dhe reformën. Në rastin e riatdhesimit, “formalizimi” i kapitalit mund të kryhet në dy mënyra, nëpërmjet bankave (rikthim juridik) ose nëpërmjet transportit fizik dhe pa asnjë ndërmjetës. Sipas draftit, në këtë rast aplikohet normativa e pastrimit të parave dhe disiplina, për sa i takon monitorimit fiskal. Në këtë rast hipotetik, i interesuari është i detyruar të prezantojë deklarimin fiskal të transportit në momentin e kalimit në doganë, në rast të transitëve ekstrakomunitarë ose në 48 orë pasardhëse pas hyrjes, në rast të transportit komunitar. Me qëllim që të rregullojë pozicionin e tij, tatimpaguesi është i detyruar të kryejë pagesën e taksës së jashtëzakonshme, që përfshin llogaritjen e sanksioneve dhe interesave. Duhet të përcaktohet periudha që do tiu lihet kompanive për vetëdeklarim.

Drafti
Qëndrimi i taksës në nivelin 5%

Në draftin e paraqitur pranë Ministrisë së Financave, biznesi ka përfshirë edhe formulën mbi të cilën mund të ndërmerret kjo amnisti. Bëhet fjalë për shoqërimin e legalizimit të kapitaleve dhe aktiveve me një taksë të paguar mbi vlerën e aktiveve të fshehura. Përfaqësuesit e biznesit thonë se vlera e taksës që do të aplikohet, duhet të përcaktohet nga një gjykim dhe studim në nivel ekspertësh. Më konkretisht, propozohet që kjo taksë të jetë në nivel 5%. Llogaritja në këtë nivel ka një gjykim të tillë: presupozohet që fitimi bruto në vit është 2% për 5 vite paraardhëse. Bëhet fjalë për një presupozim absolut, që nuk mban parasysh periudhën efektive të fshehjes, por hipotizohet në fakt sikur kapitali të ketë mbetur jashtë shtetit të paktën për 5 vite. Mbi këtë fitim aplikohet një taksë fikse prej 50% (2% në vit x 5 vite x 50% = 5 %). Në draft përcaktohet edhe se mbi cilat kritere mund të bëhet vlerësimi i aktivitetit: si vlera nominale për paranë, kostoja e blerjes për aktivitetet e tjera (vetëm nëse është dokumentuar), shuma që rezulton nga deklarimi zëvendësues apo nga deklarimi i rezervuar (fshehjes, evazionit fiskal), në rast se nuk është i mundur dokumentimi i kostos së aktivitetit. Në kohën kur nga qeveria u artikulua se do të falte gjobat dhe kamatëvonesat e papaguara në kohë, dhe pas miratimit nga ana e biznesit, lindi një tjetër pretendim. Kishte të bënte me amnistinë e kapitalit ose siç njihet ndryshe legalizimi i aktiveve. Është një kërkesë e cila po formulohet shpesh nga biznesi, madje kohët e fundit ajo u parashtrua edhe si një pikë në paketat antikrizë. Kërkesa e biznesit u bë më e domosdoshme pas miratimit të Ligjit “Antimafia”

Plani
Rruga drejt amnistisë fiskale
1- Plotësimi i deklaratës së amnistisë
2- Pagesa e vlerës/taksës së caktuar 5%
3- Çlirimi i kompanive nga interesat dhe gjobat e proceseve gjyqësore me garancinë e pandëshkueshmërisë
4- Ndërtimi i një baze të dhënash që prezanton dhe kuoton, në vlera reale sipërmarrjen private në Shqipëri
5- Krijimi i bazës për një amnisti të gjerë fiskale me elemente më të detajuar e specifikë, që furnizon bazën e të dhënave, duke matur formalizimin e ekonomisë shqiptare.

Artur Papajani
Duhet një amnisti e mirëstudiuar

Në kohën kur ka nisur të diskutohet gjerësisht nisma për një amnisti fiskale, si nga radhët e biznesit edhe nga qeveria, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, është i mendimit se me një projekt të tillë duhet bërë kujdes, në mënyrë që të arrihet qëllimi. Sipas tij, amnistia duhet të përfshijë çdo sektor dhe të jetë e mirëstudiuar, në mënyrë që biznesi të stimulohet. Amnisti gjithëpërfshirëse do të thotë që çdo biznes të zerohet nga detyrimet e prapambetura në vite dhe të stimulohet për të deklaruar pasuritë e fshehura. “Duhet bërë kujdes me hartimin e kuadrit ligjor, pasi duhet të përfitojnë të dyja palët, edhe ekonomia të marrë një impuls pozitiv, por edhe biznesi të deklarojë ato pasuri, që ka fshehur deri më tani”,- thotë Papajani. Puna e autoritetit që do të hartojë këtë ligj duhet të jetë e mirëstudiuar, mbi shifra konkrete, pasi “frika” që ekziston është se biznesi mund të mos i përgjigjet pozitivisht kësaj nisme. Deklarimi i pasurive të fshehta do të thotë që biznesi të formalizohet dhe ky fakt do ta ndihmojë atë në marrëdhëniet me bankat, pasi në këtë mënyrë do të ketë më shumë kolateral për të marrë kredi. Sipas Papajanit, tani është koha e duhur që të ndërmerret një nismë e tillë, pasi edhe kuadri ligjor është përmirësuar ndjeshëm. Niveli i taksave është i ulët dhe ky fakt, së bashku me një ligj të mirëmenduar për amnistinë, ndikojnë pozitivisht në ekonominë e vendit. Skema që mendohet të aplikohet është ajo e Moldavisë. Ky shtet zbatoi dy vite më parë amnisti fiskale për biznesin. Por veç faljes së kamatave dhe gjobave, u vendos një taksë prej 5% si penalizim që biznesi duhet të paguante për vlerën e aseteve që do të legalizonte.
Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›