Amnistia, zgjerohet greva e urisë në burgje

Burgu i Shënkollit
Peticioni/ Drejtuesit e burgjeve u lexojnë të dënuarve tekstin e amnistisë për të shmangur keqkuptimet.
Fushë-Krujë, 90 të dënuar refuzojnë ushqim nga burgu e familjet.
Zgjerohet greva e urisë në burgje nga të dënuarit e pakënaqur me amnistinë që pritet të zbatohet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ditën e djeshme, rreth 90 persona të dënuar kanë refuzuar ushqimin në Burgun e Shënkollit në Lezhë, duke e dyfishuar kështu numrin e pjesëmarrësve në grevën e urisë. Refuzimi i ushqimit ka vazhduar edhe në qelitë e burgut të Peqinit dhe të Fushë-Krujës, si dhe në disa burgje të tjera të vendit. Pas shenjave të para të grevës së urisë në burgje, mësohet se drejtuesit e institucioneve, së bashku me stafet e tyre, për të qetësuar situatën kanë marrë takime me të dënuarit. Në shumicën prej burgjeve, për të shmangur keqkuptimet, mësohet se është lexuar teksti i amnistisë në versionin e deritanishëm, ndërsa është bërë e ditur se mund të ndryshojë gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare në Kuvend. Ndonëse greva e urisë është shpërndarë në thuajse të gjitha burgjet e vendit gjatë ditëve të fundit, mësohet se në asnjë rast nuk ka pasur thyerje të rregullores apo incidente brenda burgjeve. Në dy ditët e fundit, të dënuarit kanë refuzuar ushqimin e burgut dhe furnizimin me ushqim nga familjarët, ndërsa kanë deklaruar se janë të pakënaqur me amnistinë. Me aq sa janë njohur nga media, të dënuarit janë shprehur se amnistia sjell përfitime të kufizuara, duke u mjaftuar me personat që u ka mbetur vetëm viti i fundit i burgut. Burimet nga vendi i ngjarjes kanë thënë se ditën e djeshme, në mënyrë të veçantë është refuzuar ushqimi në burgun e Fushë-Krujës, ku ka pasur me dhjetëra familjarë që janë kthyer mbrapsht me ushqimet dhe furnizimet që kishin shkuar t’ua çonin të afërmve të tyre në burg. Drejtoritë e disa prej burgjeve, konkretisht në Peqin, në Shënkoll dhe Fushë-Krujë, kanë pohuar se nga ana e të dënuarve u është pohuar se refuzimi i ushqimit po bëhet për shkak të pakënaqësisë në lidhje me amnistinë. Të dënuarit janë duke qarkulluar edhe një dokument peticioni, i cili sipas tyre do të firmoset në të gjitha burgjet, në mënyrë që më pas t’u paraqitet autoriteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Amnistia
Më 28 Nëntor 2012 pritet të zbatohet një amnisti, e cila parashikon lirimin nga burgjet të 290 personave. Pjesa tjetër e përfituesve janë ose të liruar me kusht, ose persona që përfitojnë ulje të pjesshme të dënimit. Kriteret kanë të bëjnë me moshën dhe natyrën e veprës penale. Janë përjashtuar përsëritësit në krime dhe të dënuarit për vepra të rënda penale.
Kërkesat
1. Zgjerimi i amnistisë së propozuar nga Minis
tria e Drejtësisë për 100-vjetorin e Pavarësisë, më 28 Nëntor 20122. Falja e përgjithshme e ¼ të dënimit të mbetur
për të gjithë personat që ndodhen të dënuar në sistemin e burgjeve shqiptare3. Parashikimi ligjor i të drejtës për lirim me
kusht nga qelitë e burgjeve për personat e dënuar me vendim të formës së prerë, të cilët kanë kryer ¾ e dënimit të dhënë dhe nuk kanë probleme në sjellje
Trazhgim Sokolaj