E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana Frank, engjëlli mbrojtës mbush 100 vjeçe

"Me kohën kalon gjithçka, por deri sa të ketë të mbijetuar, kujtimi do të vazhdojë të ekzistojë". Ana Frank e quante "mbrojtësen" e saj, por më pas u pagëzua me emrin "gardiania e kujtimit". Miep Gies ishte gruaja e re me fytyrë të ëmbël, e cila që prej korrikut të vitit 1942 deri në gusht të 1944-ës fshehu Ana Frankun dhe familjen e saj, engjëlli që i mbajti të lidhur me botën dhe u dha ushqimet e sendet që u nevojiteshin për ta bërë më të lehtë jetesën. Ishte ajo që i blinte Anës letrat mbi të cilat shkroi ditarin, që e dëgjonte dhe u përgjigjej mijëra pyetjeve të saj. Të dielën e kaluar, Miep mbushi 100 vjeçe dhe vendosi të tregonte historinë e saj.

E mban mend mirë Anën, "ishte dielli i asaj shtëpie, forca që i bashkonte të gjithë" dhe flet për të sotmen, negociatat dhe polemikat: "Jam shumë indiferente ndaj fjalëve dhe këshillave morale të kishës katolike. Por nuk mund të them se jam plotësisht dakord me gjithë këto gjëra". Më pas Miep "zhytet" në kohë dhe fillon atje ku e ka zanafillën e gjithë historia. Na shpie në Amsterdam, në vitin 1933, kur u bë sekretaria e Oto Frankut. Miep thotë se ka pasur një jetë relativisht të lumtur, pasi që në moshën 11-vjeçare nuk ka jetuar në varfëri. Por, në kujtesën e saj kanë zënë vend si dhembjet ashtu edhe tragjeditë. Ajo kujton atë ditë të vitit 1942, kur Oto Frank e thirri në zyrë dhe i tha: "Miep, duhet të të them diçka të rëndësishme, një sekret të madh. Ne po planifikojmë të fshihemi në këtë shtëpi, do të na ndihmosh?" Përgjigjja e saj ishte një po e vendosur, spontane dhe e sinqertë. Më pas erdhi 9 korriku, dita e fshehjes. Ishte ajo që e fshehu Margotën, motrën e madhe të Anës, emri i së cilës kishte përfunduar në listat e nazistëve. "Margot dhe e ëma ishin të shokuara, qëndronin ulur mbi shtrat me shikimin e humbur gjetiu. Ishte e tmerrshme. Por ndryshe nga ato, Ana ishte e gëzuar dhe e qeshur si gjithmonë", kujton. Gjatë atyre viteve jeta e familjes Frank ishte shndërruar në ferr. Në fakt këtë Miep e kuptoi kohë më vonë, kur familja Frank e ftoi të kalonte një mbrëmje me ta: "Nuk i kam mbyllur sytë gjatë gjithë natës. Vetëm atëherë e kuptova vërtet se çfarë do të thoshte të fshiheshe. Çdo moment isha e frikësuar dhe nën presion. Ndihesha si në burg dhe mendoja: nesër do të jem sërish e lirë". Prej asaj dite e në vazhdim (për dy vjet me radhë), Miep shkonte çdo mëngjes në shtëpinë e tyre dhe merrte listën e ushqimeve e sendeve që u nevojiteshin: Ana ishte e para që thoshte: ‘Përshëndetje Miep, kemi ndonjë të re‘. Kështu ishte çdo ditë, e qeshur, e lumtur dhe impulsive. Unë e ndieja se ato vareshin nga ne, që më prisnin me ankth dhe me padurim për të marrë lajme. Situata në të cilën po jetonin ishte e dhimbshme dhe kjo më shkaktonte një ndjesi të hidhur". Miep thotë se e kuptoi krejt rastësisht lidhjen mes Anës dhe letërsisë. "Një ditë shkova jashtë orarit në dhomën ku fshihej familja Frank dhe vura re vajzën që shkruante shumë e përqendruar. Kur më pa, Ana më hodhi një vështrim të shpejtë dhe e mbylli menjëherë ditarin". Miep mbeti e tronditur: "Ajo ishte Ana që shkruante". Më pas erdhi tragjedia, 4 gusht 1944. Miep ishte në zyrë kur dera u hap dhe brenda hyri një burrë i armatosur. Ishin momente të mbushura me ankth. E frikësuar ajo fshehu menjëherë bashkëpunëtorët dhe mbeti vetëm. "Dëgjova dikë të fliste në gjermanisht, me një theks që e njihja", i tha ajo ushtarit të armatosur. "Kur hyri në zyrë u ngrita në këmbë dhe i thashë: Ju jeni nga Vjena. Edhe unë nga Vjena jam". Burri mbeti me gojëhapur. I dhashë dokumentet dhe ai filloi të ulërinte: Nuk të vjen turp? Po ndihmon hebrenjtë! Je një tradhtare dhe duhet të vdesësh". Unë heshta dhe ai me një ton të ashpër më tha: "Për mua mund të qëndrosh, por nëse përpiqesh t‘ia mbathësh ne do të ekzekutojmë bashkëshortin tënd. Pas pak çastesh dëgjova hapat e familjes Frank që zbrisnin nga shkallët. Pasi i morën u ngjita menjëherë në dhomë dhe gjeta në tokë ditarin e Anës. Doja t‘ia ktheja personalisht, por vogëlushja nuk u kthye më kurrë. Gjashtë muaj më vonë Ana dhe Margot vdiqën në Bergen-Belsen, kështu që ia dhashë të atit, Oto Frank, i vetmi i mbijetuar nga familja".

Ai vendosi ta publikonte, por për vite me radhë Miep hezitonte ta lexonte. Më pas gjeti kurajën dhe vendosi ta mposhtte frikën: "Më ka dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme. Kjo ishte Ana që njihja, po e ndieja sërish pranë. Ai ditar ishte Ana". Në atë moment Miep kuptoi se jeta e saj do t‘i dedikohej kujtimit të Anës.

Sekretaria

Miep kujton atë ditë të vitit 1942, kur Oto Frank e thirri në zyrë dhe i tha: "Miep, duhet të të them diçka të rëndësishme, një sekret të madh. Ne po planifikojmë të fshihemi në këtë shtëpi, do të na ndihmosh?" Përgjigjja e saj ishte një po e vendosur, spontane dhe e sinqertë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›