E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa transparencën e plotë të buxhetit, këshilltarët e PD nuk do ta votojnë

Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun për mbajtjen pezull të buxhetit të Tiranës, duke rikonfirmuar se s’mund të mbështeten planet e Edi Ramës e as projekti i Koço-buxhetit

TIRANE - Partia Demokratike reagon përsëri lidhur me bllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, nga aferat e Edi Ramës me klanin e tij dhe Koço-buxhetin, të cilët në mënyrë abuzive dhe antiligjore, kanë përllogaritur përfitimet e tyre nëpërmjet buxhetit të taksapaguesve kryeqytetas.
Zëdhënësi i selisë së PD-së, Gerti Bogdani, deklaroi dje se Mr. 15 %, Edi Rama, vazhdon të mbajë peng buxhetin e qytetarëve të Tiranës “vetëm e vetëm se atë e ka ndarë dhe përcaktuar për klanet e tij, në tërësi dhe Koço-buxhetin në veçanti”.
“Pasi me figurën e tij të numërimit të votave, tamam si Mr. Dosja, u tregoi shqiptarëve se ju votoni dhe unë numëroj. Rama, kryetar i Bashkisë me korrespondencë, tashmë e ka futur Tiranën në paralizë të plotë, sepse deklaron ose Koço-buxheti ose buxhet Tirana nuk do të ketë”, u shpreh Bogdani.
Partia Demokratike e paralajmëron Rama se pa transparencën e plotë të buxhetit të Tiranës, këshilltarët e saj do të votojnë atë kundër.
Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani deklaroi gjithashtu se PD denoncon keqpërdorimin që u bën Rama mediave të kontrolluara prej tij, më keq se në kohë të monizmit, në mënyrë të veçantë Tele-Belindës dhe Tele-Jalës të cilat shpërndajnë çdo ditë trillime në mbrojtjen e buxhetit të Edil Ramës.
Pak ditë më parë Prefekti i Tiranës Ruzhdi Keçi vendosi që të rrëzojë planin financiar të Ramës për vitin 2009, duke kërkuar edhe nga Këshilli rishqyrtimin e buxhetit. 
Vetë prefekti i Tiranës pohoi se buxheti i kryeqytetit për 2009, bie ndesh me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Shqipëri. Kështu që ai është detyruar ta kthejë edhe një herë për shqyrtim këtë draft në Këshillin Bashkiak, së bashku me vërejtjet përkatëse.
Disa nga vërejtjet e Prefektit të Tiranës për këtë draft buxhetor janë, buxhetet e përcaktuara për 2009-n pa destinacion dhe objekte konkrete, gjithashtu Keçi vëren se në këtë buxhet nuk janë përfshirë të ardhurat e papërdorura të 2008. Tashmë, këshilli i cili do të marrë në dorëzim për ta rishqyrtuar Buxhetin e Tiranës duhet të marrë në konsideratë vërejtjet e prefektit dhe të korrigjojë pikat e kontestuara.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›