E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria po përcjell imazhin real të një vendi me zhvillim ekonomik”

Qeveria përshëndet raportin e Global Insight, ku Shqipëria renditet në vend të parë në Evropë dhe në të dhjetin në botë, për rritjen ekonomike për vitin 2009

Në sajë të reformave të gjëra të ekzekutivit në sektorin ekonomik, Shqipëria po shënon rritjen ekonomike më të madhe në Evropë, në një kohë kur bota po përballet me pasoja të rënda si pasojë e krizës financiare. Liri tregu të kombinuar me reforma ambicioze të qeverisë, inflacion të ulët dhe stabilitet makro-ekonomik, bëjnë të mundur që Shqipëria të jetë vendi surprizë në ekonominë botërore.

TIRANE - Qeveria komentoi dje rezultatin e publikuar pak ditë më parë nga Instituti Ndërkombëtar Global Insight, për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke e klasifikuar vendin tonë të parin në Evropë dhe të 10-tin në rang botëror.
Zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu tha se në një përfundim të tillë, paralelisht me Global Insight kanë dalë edhe një sërë institutesh e organizmash të tjerë ndërkombëtare, si Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Departamenti Ekonomik e Social i Kombeve të Bashkuara, “The Economist”, seksioni Intelligence Unit dhe Instituti Vjenez për Studime Ndërkombëtare Ekonomike.
“I ardhur vetëm pak kohë pas vlerësimeve të Bankës Botërore, e cila e shpalli Shqipërinë si vendin e dytë në botë për zhvillimin ekonomik dhe të “Trasparency International”, që e renditi Shqipërinë të dhjetën në botë për luftën kundër korrupsionit, ky klasifikim i ri konfirmon edhe një herë vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, që në krye të mandatit të saj”, deklaroi Bregu
Për sa u takon komenteve të shtypit botëror për raportin e Global Insight, zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu u shpreh se “në Tiranë flamuri kombëtar mund të valëvitet i qetë”.
“Shqipëria është vendi me ekonomi të shëndoshë e rritjen ekonomike më të madhe në Evropë për vitin 2009. Në mënyrë figurative Shqipëria cilësohet si: “nxënësi më i mirë i klasës në Evropë për vitin 2009 në fushën e rritjes ekonomike”, tha ajo.
Në këtë kuadër, Bregu vuri në dukje se rritja ekonomike e Shqipërisë nuk ka ardhur si rezultat i vlerësimit të ndonjë malli të rrallë e specifik, si nafta apo gazi në tregun botëror, (siç ka ndodhur me Turkmenistanit që bën pjesë në 10-she), por  ka ardhur tërësisht si rezultat i politikave të suksesshme ekonomike të qeverisë shqiptare.
“Në një kohë kur e gjithë bota është e prekur nga kriza ekonomike, lajmi se Shqipëria shënon rritjen ekonomike më të madhe në Evropë, dëshmon edhe një herë se Shqipëria është vendi surprizë në ekonominë botërore, me demokraci të maturuar, liri tregu të kombinuar me reforma ambicioze, inflacion të ulët dhe stabilitet makro-ekonomik”, tha më tej zëdhënësja e qeverisë.
Sipas saj, përfundimi i Global Insight, dhe i shumë institucioneve të tjera ndërkombëtare, konfirmon lajmin e mirë se Shqipëria është shkëputur përfundimisht nga imazhi i keq i vendit të prapambetur, i vendit që sjell vetëm probleme, duke përcjellë tashmë imazhin real të një vendi në zhvillim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›