Pas Jalës, PS tenton të përbaltë projektin 1 miliardë dollarësh të kaskadës së Devollit

Qeveria Berisha e ka futur Shqipërinë në hartën e vendeve të investimeve
të huaja të sigurta. Investimi i EVN cilësohet si më madhori në Evropë
TIRANE - Përvijohet nga java në javë skema e qartë e selisë rozë për të denigruar arritjet me të mëdha të qeverisë aktuale në rastin konkrete në investimet e jashtëzakonshme
në infrastrukturën energjetike.
Pasi është tërhequr me turp nga keqpërdorimi i raportit të Bankës Botërore mbi projektin e pastrimit të bregdetit në Jalë, selia rozë ka filluar sulmin ndaj projektit madhor në sektorin elektroenergjitik të kompanisë austriake EVN për ndërtimin e 3 hidrocentraleve të mesëm mbi ujërat e lumit Devoll.
Përpos pretendimeve të opozitës, ka reaguar Ministria e Ekonomisë.
“Kur ngelen vetëm 127 ditë nga rinovimi i mandatit të kësaj mazhorance, me nënshkrimin e kësaj kontrate, qeveria shqiptare e ka futur Shqipërinë në hartën e vendeve të investimeve të huaja të sigurta e të standardeve evropiane; në hartën e vendeve që kompani të tilla si Statkraft dhe EVN deri para 4 vitesh nuk vinin as për të kaluar pushimet, e jo më për të investuar 1 miliardë euro”.
Kështu ka deklaruar dje zyrtarisht Ministria e Ekonomisë lidhur me projektin gjigant të kaskadës së Devollit. Duke i cilësuar deklaratat e PS-së si të turpshme, zëdhënësja e kësaj ministrie, Iva Tiço tha se përkundër pretendimeve të deputetëve të PS-së, ky investim është mbështetur në një studim siç e kërkon ligji dhe është dorëzuar në formën e një propozimi të pa kërkuar nga shoqëria EVN.
“Në ndryshim nga epoka selektive socialiste, i gjithë projekti është hedhur në garë për të marrë përfitimet maksimale nga të interesuarit. Kriteret e konkurrimit, mund të mos mbrojnë interesat që Partia Socialiste është mësuar të mbrojë, por ato janë mbështetur dhe mbajnë në konsiderate maksimizimin e interesave financiare publike, ndërtimin e veprave me standardet më të mira evropiane, ruajtjen e ambientit dhe zhvillimin e planeve sociale për komunitetin ku zhvillohet si dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike të vendit”, theksoi më tej zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë.
Tiço theksoi më tej se afati i këtij konçensioni jo vetëm që është në përputhje me ligjin, por është aq qartë i përcaktuar “sa vetëm miopia apo keqdashja socialiste nuk ka mundur ta dallojë”.
“Gjate fazës së ndërtimit dhe operimit do të punësohen rreth 8 mijë veta dhe do të paguhen rreth 250 milion euro paga. Partia Socialiste e mbron interesin e popullit duke kërkuar që këta njerëz të mos punësohen dhe këto paga të mos u paguhen shqiptarëve”, përfundoi zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë.
Deputeti socialist, njëherazi ish-kreu i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Andis Harasani, pretendoi dje se “nuk ka asnjë studim mbi nevojën dhe kriteret e ndërtimit të një HEC në këtë lumë”.
Sipas tij konkurrimi është bërë mbi bazë kriteresh që e bëjnë projektin jofizibël, duke sjellë “largimin e 11 kompanive serioze dhe me përvojë në këtë fushë jetike për Shqipërinë”.
Ai ka pretenduar se është shkelur “ligji mbi koncesionet pasi në vend të jetëgjatësisë së aprovuar prej 35 vitesh në ligjin e koncesioneve, në kontratë kompanisë fituese të paracaktuar i jepet e drejta që ta shtyjë pa afat. Kompania fituese nuk merr përsipër të dëmshpërblejë asgjë për përmbytjet masive që do ndodhin në këtë zone. Jepen lehtësira fiskale për koncesionarin dhe pranohen kushte dëmshpërblimi nga shteti shqiptar që për periudha afatgjata si në rastin e këtij koncesionit do të dëmtojnë seriozisht buxhetin e shtetit shqiptar. Askush nuk thotë se kush janë partnerët shqiptarë që i janë bashkëngjitur me porosi këtij koncesioni, dhe aq më keq, sillet kontrata në parlament dhe kompania shqiptare nuk ka as numër nipti dhe as është e regjistruar në organet tatimore shqiptare. Përfitimi për shtetin shqiptar nga ky koncesionar është qesharak! Po ju bëjmë të njohur që është ekzaktësisht pesë herë më pak se në rastin e koncesionarit të dhënë po nga qeveria Berisha në 1997”, deklaroi dje Harasani, duke kërkuar me emër të PS-së rishikimin e kësaj kontrate.