E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana e errët e Hitchcock

Ose, cili ishte psikopati i vërtetë që qëndronte prapa filmave legjendarë të Alfred Hitchcock.

Ditë më parë filloi xhirimi i filmit të BBC, “The Girl” (Vajza), në të cilin regjisori Julian Jarrald trajton raportin patologjik të sineastit të madh, Alfred Hitchcock, me muzën e tij Tippi Hedren, e cila gjatë xhirimeve angazhohet si këshilltare.

Në rolet kryesore shfaqen Sienna Miller – që tashmë është dëshmuar me rolin e Edie Sedgwick, muzës së Andy Warhol - dhe aktori britanik, Toby Jones, i cili në film shfaqet në rolin e regjisorit të njohur Hitchcock.

Shumëkush pret se filmi do të ngris mjaft ‘pluhur’. Në fakt, megjithëse për opsesionin e Hitchcock ndaj aktores së re është folur edhe më parë, gjatë dekadave të kaluara kjo gjë gjithnjë mbetej nën hije të gjenialitetit të tij të pakontestueshëm artistik.

Bashkëkohësit e tyre madje me vetëdije e shmangnin problemin, duke konsideruar se Tippi duhet të jetë e lumtur për shkak të rasteve që i ofroheshin nga regjisori. Sot, kur shoqëria është bërë më e ndjeshme ndaj çfarëdo forme të shqetësimit seksual, opinioni publik është gjithnjë e më i interesuar për të ditur anën e errët të rrëfimit për Tippi dhe Hitchcock.

Kontrata si burg

Gjithçka filloi në vitin 1961, si në ndonjë tregim për suksesin amerikan. Tippi ishte një manekine deri diku e suksesshme kur Hitchcock, i cili asokohe ishte një regjisor i afirmuar, e pa atë në një reklamë televizive të lëngjeve.

Ndonëse nuk kishte ndonjë përvojë serioze si aktore, Hitchcock ishte i bindur se kishte ‘zbuluar’ një Grace Kelly të re. Kështu, ai Tippi’t ia ofroi rolin kryesor në filmin “The Birds” (Zogjtë), dhe një kontratë ekskluzive shtatëvjeçare bashkëpunimi.

Bukuroshja u shndërrua në një projekt të tij personal. Qëndrimi autoritativ që mbante para kamerave gjithnjë e më shumë bartej edhe në jetën e saj personale, duke ia përcaktuar kështu se çfarë do të hante dhe si do të vishej. Pak muaj pas takimit të tyre të parë, Hitchcock ia dha vetes të drejtën që Tippi’t t’ia ndalonte vozitjen me automjetet e njëjta me kolegët e saj. Kur ndaj përpjekjeve të tij që ta joshte ajo u përgjigj me refuzime, gjërat sikur i ikën kontrollit.

Gjatë xhirimeve, por edhe jashtë tyre, ai insistonte që të zhvillonin biseda tejet banale dhe pa praninë e të tjerëve, ashtu që të paktën për shkurtazi të ishin vetëm. Nëse do t’i ankohej dikujt, Hitchcock e kërcënonte dhe e ofendonte, megjithëse pastaj i blinte dhuratat të shtrenjta. Kontrata shtatëvjeçare e saj u shndërrua kështu në një ferr. Hitchcock i thoshte aktores se do t’ia shkatërronte karrierën nëse i afrohet ndonjë regjisori tjetër. Meqë pothuajse ishte çmendur nga ofertat e tij të hapura seksuale Tippi gjatë xhirimit të filmit “Marnie”, ku luajti bashkë me Sean Connery, vendosi që Hitchcock’un ta braktiste përgjithmonë.

I shkatërroi të dy karrierat

Pjesërisht edhe shkaku i kontratës që vlente ende, e pjesërisht edhe për shkak të lidhjeve që Hitchcock i kishte lëvizur me qëllim të realizimit të kërcënimeve, aktorja nuk fitoi më asnjë rol të madh. U mundua që të kthehej në vitin 1967, me filmin "A Countess from Hong Kong", me regji të Charlie Chaplin, ku Tippi Hedren, Sophia Lorain dhe Sean Connery i luanin rolet kryesore, por publiku nuk e pranoi mirë këtë film. Si rrjedhojë, Tippi iu përkushtua rritjes së vajzës së saj nga martesa e parë, e cila sot njihet si aktorja Melanie Griffit. U martua dhe u nda disa herë, ndërkohë që pranoi edhe disa role të vogla, por asnjëherë më nuk arriti që në pëlhurë të kthehej me stil.

Pas largimit të saj nga skena filmike, edhe vetë Hitchcock e kishte gjithnjë e më vështirë të arrinte suksese, për të cilat njihej nga filmat e tij të mëhershëm. Ai zbuloi edhe disa aktore të reja të talentuara, por ndaj asnjërës prej tyre nuk ndjeu më atë epshin “e çmendur” si me Tippi. Shumëkush madje do të thoshte se, pas ndarjes me Tippi, Hitchcock më nuk arriti të xhirojë asnjë film të madh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›