E Diel, 1 Nëntor 2026

Ana e ndyrë e luftës

Në një hap të paprecedentë, 92 mijë dokumente të klasifikuara “kanë rrjedhur” dhe janë bërë tashmë publike në internet. Janë të gjitha dokumente që nuk duhet të ishin bërë kurrë publike në lidhje me luftën në Afganistan. Tri gazeta prestigjioze, amerikania “New York Times”, britanikja “The Guardian” dhe gjermania “Spiegel”, kanë analizuar thuajse të gjitha dokumentet e klasifikuara, të cilat japin një tjetër imazh të së vërtetës së luftës në Afganistan

Një total prej 91 731 dokumentesh ushtarake të lidhura me luftën në Afganistan janë publikuar në internet, duke ofruar një të vërtetë të hidhur të luftës së dështuar në Afganistan, përmes fakteve që rrëfejnë se si forcat e koalicionit kanë vrarë qindra civilë në incidente që nuk janë raportuar dhe bërë kurrë publike. Sasia e dokumenteve është publikuar nga “Wikileaks” dhe kjo është konsideruar “rrjedhja” më madhe e informacioneve të shërbimeve sekrete në histori. Materialet japin një panoramë të luftimeve të gjashtë viteve të fundit dhe publikimi i tyre vjen në një kohë kur është rritur shqetësimi për efikasitetin e strategjisë së re të Obamës në Afganistan, e cila nuk po jep rezultatet e pritshme. Materiale prekin shumë tema delikate ndër të cilat: operacionet e një njësie të posaçme me forca speciale, që gjurmon liderët talebanë për t’i vrarë pa një gjykim paraprak; mosdeklarimin e SHBA-ve për blerjen nga talebanët të raketave tokë-ajër; përdorimin gjithnjë e më të madh nga amerikanët të avionëve të komanduar që qëllojnë mbi objektivin përmes telekomandave që ndodhen në Nevada. Për sa u përket materialeve të tyre, gazetat e mëdha kanë konfirmuar se bëhet fjalë për materiale autentikë. Mendohet se një pjesë e mirë e tyre është nxjerrë nga punonjësit apo ish-punonjësit e Pentagonit, ushtarakë, apo analistë. Publikimi i tyre vjen në një kohë kur është shtuar shumë edhe kërkesa për tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe kjo edhe brenda Amerikës. Thuajse nëntë vjet pas vajtjes së forcave të koalicionit në Afganistan, situata në këtë vend, ndryshe nga sa pretendohet nga disa burime zyrtare, është më e errët se kurrë.

Për sa i përket sajtit që i ka publikuar dokumentet në lidhje me luftën në Afganistan ditën e diel, sipas krijuesit të tij. Qëllimi i këtyre publikimeve është faktimi i “sjelljes jo etike” të qeverive dhe korporatave të ndryshme në luftën e Afganistanit. Sajti “Wikileaks”, që nga themelimi i tij në vitin 2007, ka publikuar shumë dokumente sensitivë që kanë hedhur dritë mbi anë të panjohura dhe të turpshme të njerëzve me pushtet, si problemet e ndotjeve në Afrikë, çështjet e burgut të Guantanamos e të tjerë. “Ne besojmë se transparenca në aktivitetet e qeverive çon në reduktim të korrupsionit, në përmirësimin e qeverisjes dhe në forcimin e demokracisë. Të gjitha qeveritë mund të përfitojnë nga rritja e transparencës dhe bërja publike e shumë fakteve që konsiderohen “sekrete”. Njerëzit kanë nevojë të dinë të vërtetën, për ata që i qeverisin dhe të vërtetën për punët e atyre të cilëve u kanë besuar përmes votës drejtimin e vendit”, thuhet në sajtin e “Wikileaks”. Në një telefonatë për “New York Times”, krijuesi i sajtit, Julian Assange, u shpreh se dokumentet do të ndihmonin njerëzit në krijimin e një ideje më të qartë dhe të vërtetë për dhunën në Afganistan dhe se këto informacione janë më të vërteta nga ato të transmetuara nga media apo nga burimet qeveritare. “Këto materiale tregojnë jo vetëm incidentet e rënda të ndodhura me pasojë humbjen e jetëve të civilëve, por edhe ndyrësinë e përgjithshme të luftës përmes provave të vdekjeve të fëmijëve apo operacioneve masive, në të cilat humbasin jetën qindra vetë”, ka vazhduar krijuesi i sajtit të internetit. Ndërkaq publikimi i dokumenteve është kritikuar nga ushtarakët, sipas të cilëve, një veprim i tillë vë në rrezik operacionet në terren apo edhe nga disa përfaqësues të qeverisë sipas të cilëve kjo rrezikon të drejtat për privatësi të shumë personave. Në dokumentet sekrete thuhet se forcat e koalicionit kanë vrarë qindra civilë në incidente që nuk janë raportuar dhe publikuar kurrë.

Mes tyre është rasti i 16 fëmijëve të vrarë nga trupat britanike gabimisht. Detajohen raste kur forcat e koalicionit kanë qëlluar ndaj civilëve të paarmatosur, si ai kur trupa franceze kanë hapur zjarr ndaj një autobusi me fëmijë, nga frika se mos ata ishin talebanë. Një rast tjetër është ai i trupave polake që goditën me mortaja një fshat, duke shkaktuar viktima në njerëz, mes të cilëve edhe disa që po merrnin pjesë në një dasmë. Mes viktimave ishte dhe një grua shtatzënë. Shtëpia e Bardhë e ka dënuar menjëherë publikimin e këtyre materialeve dhe sipas saj, detajet e dhëna aty mund të vënë në rrezik jetët e njerëzve. “Ne dënojmë me forcë publikimin e dokumenteve që duhet të qëndronin sekret, duke qenë se kjo do të vërë në rrezik jetën e shumë njerëzve, si dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë. Për sa i takon sajtit që ka bërë publikimet, ai ka vonuar publikimin e 15 mijë dokumenteve të tjera të kësaj natyre, por do ta bëjë këtë në një periudhë të mëvonshme kur ta mundësojë edhe situata në Afganistan. Themeluesi i sajtit e ka mbrojtur me të gjitha forcat publikimin dhe ndërkohë ka deklaruar se kishin marrë masat që të shmangnin të gjitha rreziqet që mund t’i vinin sigurisë kombëtare. “I gjithë materiali i publikuar është rreth shtatë muaj i vjetër, ndaj nuk ka asnjë pasojë në operacionet aktuale në Afganistan”, ka deklaruar ai. “është e qartë që materialet do të japin një tjetër pamje të asaj që ka ndodhur në gjashtë vitet e fundit të luftës dhe se tashmë duhet të ketë një ndryshim në kursin e luftës, edhe pse nuk është ende i qartë lloji i ndryshimit. Historia e vërtetë e këtij materiali është se në luftë gjërat janë shumë të rënda dhe se nuk bëhet fjalë për një histori të vetme, por për shumë histori të dhimbshme që ndodhin ditë pas dite. është historia e vdekjes së fëmijëve, grave, miliona njerëzve”.

Grupet e të drejtave të njeriut, menjëherë pas publikimit, kanë bërë të ditur se dokumentet janë një provë e pastër e tentativës për të mbuluar në mënyrë të vazhdueshme të vërtetën nga autoritetet shtetërore të forcave të koalicionit dhe mbi të gjitha janë tregues i mungesës së llogaridhënies. Një nga drejtuesit e një shoqate që heton në lidhje me incidentet e civilëve në Afganistan deklaroi se materialet e botuara hedhin dritë në atë që mund të quhet një tendencë e trupave ushtarake amerikane dhe atyre të forcave të NATO-s: fshehjes së viktimave civile të luftërave. Sipas asaj, edhe llogaridhënia nuk është diçka që duhet bërë kur kapesh në gabim, por duhet të jetë pjesë e mënyrës së veprimit të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në Afganistan, sa herë që ato vrasin ndonjë civil”, deklaroi përfaqësuesja e grupit të të drejtave të njeriut.

Ndërkaq botuesit e gazetave të sipërpërmendura, të cilët kanë marrë të gjitha materialet e dërguara nga sajti i internetit, kanë rënë dakord që në publikimin e tij të mos nxjerrin materialet që mund të jenë të rrezikshme apo tepër sekrete. Botuesit ranë në një mendje edhe për sa i përket besimit të tyre se publikimi i materialeve është në interes të publikut, pasi përmes tij jepet një tablo më e qartë dhe më e vërtetë e asaj që quhet lufta në Afganistan, dhe kjo sot, nëntë vjet pas fillimit të kalvarit që pasoi sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara dhe Afganistan.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›