Sot, listat e dyta të provimeve me zgjedhje
Listat e rezultateve të provimeve me zgjedhje për 3000 maturantët që nuk gjenin emrat, priteshin të publikoheshin dje. E megjithatë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit u bëjnë thirrje maturantëve të mos shqetësohen, sepse instancat përgjegjëse po e shqyrtojnë në detaje këtë çështje që krijoi panik te të rinjtë. Ata pohojnë se së shpejti do të ketë një përgjigje konkrete për të gjithë nxënësit e prekur, madje ata thonë se notat e tyre mund të bëhen publike edhe gjatë ditës së sotme. E megjithatë, ende nuk dihet asgjë me siguri. Ajo që dihet është se nxënësit janë në ankth, pasi mohimi i së drejtës për të mësuar notën e testeve me zgjedhje mund t’i penalizojë ata edhe në plotësimin e formularit të preferencave, i cili do të dorëzohet në Drejtorinë Arsimore më datë 2 gusht. Ndryshe nga maturantët e tjerë që mund të plotësonin edhe formularin A2, origjinalin, nëse ndiheshin gati, nxënësit e përjashtuar nuk e kishin këtë mundësi. E megjithëse ata kanë bërë prova mbi formularin që kanë shkarkuar nga faqja zyrtare e MASH-it, kjo nuk do të thotë se ata janë të qetë, sepse nxënësit nuk mund të bëjnë asnjë përllogaritje të pikëve pa mësuar notat e provimeve me zgjedhje.
#