E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët shqiptarë, mësim edhe në Prizren

Universiteti

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, vizitoi Universitetin e Prizrenit në prag të hapjes së tij. Tafaj pati një takim të veçantë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj. Në këtë takim, ministri Tafaj uroi homologun e tij dhe qeverinë e Kosovës për vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Të dy ministrat diskutuan për bashkëpunim më intensiv në fushën e arsimit dhe shkencës në bazë të marrëveshjes së përbashkët, të nënshkruar më 8 mars të këtij viti. “Marrëveshja me Shqipërinë është shumë e veçantë dhe ne duam të marrim si model ligjin tuaj të arsimit të lartë. Kemi interesim të madh për përvojën e Shqipërisë edhe në hartimin e teksteve shkollore”, tha Hoxhaj. Tafaj u takua edhe me kryetarin e komunës së Prizrenit, ku biseduan për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe sidomos për ndihmën e dhënë nga qeveria shqiptare në hapjen e universitetit të Prizrenit. Ministrat e Arsimit dhe Shkencës vizituan edhe universitetin e këtij qyteti, i cili pret studentët e parë më 1 tetor të këtij viti. “Rruga e Kombit e bën shumë të lehtë ardhjen e pedagogëve në këtë universitet. Përvoja e themelimit të universiteteve në rajone të ndryshme të vendit në Shqipëri ka qenë shumë e suksesshme. Besoj se kjo do të ndodhë edhe në Kosovë dhe Universiteti i Prizrenit për një kohë të shkurtër do të jetë i një cilësie të lakmueshme dhe konkurruese me të tjerët”, tha ministri Tafaj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›