E Diel, 1 Nëntor 2026

Alexandre Rockwell: Do kthehem për një film shqiptar

Alexandre Rockwell gjendet në Tiranë si i ftuar special në "Tirana International Film Festival". Regjisori amerikan është prezantuar para publikut shqiptar me filmin "13 Moons" ("13 Hënat"). Nën interpretimin e aktorit Steve Buscemi dhe Karyn Parsons, "13 Hënat" sjell historinë e një klouni të stresuar që ka kaluar një natë të keqe në Los Angeles. Ai është një tjetër tregim absurd e komik i regjisorit amerikan. Alexandre Rockwell, së bashku me skenaristin Brandon Cole, i vlerësojnë shumë ngjarje të tilla siç është TIFF. "Aktivitete të këtij lloji janë të rëndësishme", thotë Rockwell, për të cilin të shohësh filma shqiptarë në Amerikë është shumë e vështirë. "Sot, festivali mbase është i vogël, por nesër do të jetë i madh. Nuk ka rëndësi hapësira. Për mua festivale si ky japin mundësi për të parë një eksperiencë që nuk do të ekzistonte pa këtë punë dhe është e rëndësishme", vazhdon më tej ai. Kurse skenaristi Cole i quan të mërzitshme festivalet e mëdha, që në të shumtën e rasteve përqendrohen vetëm tek yjet e Hollivudit. "Në festivalet e vogla vijnë zakonisht njerëz që e duan vërtet kinemanë dhe zakonisht është diçka më e mirë dhe kontaktet janë më njerëzore", thekson ai. Por ky film është vetëm një prezantim paraprak i regjisorit Alexandre Rockwell me Shqipërinë dhe shqiptarët. Tjetër gjë e ka bërë që të jetë i pranishëm në Tiranë këto ditë. Përpos interesit për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër, ai ka ardhur në Shqipëri për një tjetër arsye. Një projekt filmik. Një bashkëpunim me autorë shqiptarë, një histori ku në pjesën më të madhe të saj do të xhirohet pikërisht në vendin tonë. Shqipëria i ka zgjuar frymëzimin, i duket interesante. "Është një vend ku zbulon vetveten, ku bëhesh më i ri dhe ku mund të bësh diçka të re. Shqipëria më krijon ndjesinë e Nju Jorkut 20 vite më parë", thotë regjisori amerikan. Regjisori Rockwell thekson se Shqipërinë e kanë "kërkuar" gati dhjetë vjet më parë. Ai dëshironte të sillte një histori e cila të përshtatej me Shqipërinë. Por ende nuk ndihet gati për të rrëfyer diçka më shumë për filmin, i cili është ende në fazat fillestare. Megjithatë titullin e kanë vendosur.

"Sex Wrestles" është vendosur të quhet filmi që do të ketë në qendër historinë e cila do të zhvillohet në Shqipëri. Ngjarjet "vërtiten" si në një cirk. Ato janë përqendruar në vitet 1994-1995. Gjithçka do të ndodhë në Shqipërinë postkomuniste. Personazhet janë një grup njerëzish që ndihen të vegjël, të parëndësishëm dhe nisen në kërkim të një vendi të ri. Të një vendi ku të ndihen të rinj, të freskët. Pikërisht këtu fillon historia e filmit. E si në çdo grup, ka edhe një lider. Në këtë rast, drejtuesi i grupit në fjalë është me origjinë shqiptare. "‘Sex Wrestless‘ është një ekzagjerim i kulturës amerikane. Amerika e futur në një kuti konservash të hedhur e përplasur në Shqipëri", thotë skenaristi Cole. Për këtë të fundit, Shqipëria është si një lloj gjetjeje. "Për shumë vite mundohemi të krijojmë një botë ku persona si ne kanë mundësi të gjejnë vende të bukura si Shqipëria, ku ka një mënyrë tjetër jetese nga jona", vazhdon më tej ai. E në fakt, duke mos e njohur më parë, tashmë ata "përpijnë" gjithçka shikojnë. Informacioni dhe eksplorimi vijnë të parat. E ata kanë shumë nevojë për të nëse duan të realizojnë një film të mirë. "Vendi juaj më jep një ndjenë lirie, ku nuk kam presion si autor. Jam si fëmijë. Dua të shoh gjithçka: një makinë që kalon, një stendë pas së cilës ka fruta, pas saj diku është deti. Po filloj të krijoj imazhe", shprehet regjisori Rockwell. Ai gjithçka e lidh me filmin që po përgatit të xhirojë në Shqipëri. Sipas tij, skenari i filmit është metaforik.

Alexandre Rockwell, së bashku me skenaristin Brandon Cole, bashkëpunëtor i tij prej vitesh, ditët e qëndrimit në Shqipëri i kanë shfrytëzuar për të shëtitur, për të parë dhe për të njohur nga afër gjithçka ka të bëjë me vendin tonë. Janë në kërkim të shesheve të xhirimit, të krijimit të një ideje të qartë mbi zhvillimin e një filmi në Shqipëri. Një vit më parë Rockwell kontaktoi artistin Genc Përmeti. I rrëfeu idenë dhe Përmeti pranoi menjëherë. Së bashku me Cole, Genc Përmeti tashmë është bashkëskenarist i këtij filmi. Për të, ky është skenari dhe bashkëpunimi i dytë me regjisorë të huaj. Më parë ai ka shkruar skenarin e filmit "Muaj mjalti", me regjisor serbin Goran Paskaleviç. "Ne jemi në gjysmë të rrugës. Kemi shëtitur mjaftueshëm dhe besoj se nga muaji janar do të kemi diçka gati", thekson Genc Përmeti. Sipas tij, mbi 80 për qind e xhirimeve do të realizohen në Shqipëri (kryesisht në atë Qendrore), ndërsa pjesa tjetër në Nju Jork. Ai është një regjisor i njohur dhe mjaft i vlerësuar amerikan. Alexandre Rockwell njihet më së shumti për filmat e tij: "In the Soup" (1992) dhe "13 Moons" (2002).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›