Pucini me një "Triptik" në Opera
Opera "Triptik", me muzikë të Giacomo Puccini-t dhe libret të Giovacchino Forzanos, do të jetë premiera më e re, e cila do të shfaqet nesër në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, nën regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjente Gianna Frata. Në rolet kryesore interpretojnë E.Golemi, M.Leka, A.Kllogjeri, E.Zeraliu, S.Baboçi, I.Nikolla, S.Bejleri, Sh.Beka, E.Gjyzeli, A.Lika etj. Drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, gjatë një konference të djeshme për shtyp, veçoi si të veçantë të kësaj opere vetë konceptin që kishte Puccini për veprën e tij të parafundit, por dhe të fundit që ai përjetoi për së gjalli. "Në të Puccini reflekton mbi aktin e vdekjes në tri aspekte të ndryshme, vdekja si rezultat i krimit, si kërkesë për të shkuar drejt amshimit e pastrimit të figurës në përjetësi dhe si frut i meskinitetit të jetës njerëzore. Të tria, bashkë me aktin tragjik të vdekjes, gërshetojnë shumë dramaticitete të groteskut të këtij akti në jetën e përditshme", tha Ciko. Ndërsa regjisori i operës, Nikolin Gurakuqi, veçoi vështirësitë në gjithë aspektet, pasi ajo ka rreth 40 solistë në një fill që bashkon tri operat: "Kapota", "Motra Anxhelike" dhe "Xhani Skiki", ku në secilën prej tyre vdekja trajtohet si fenomen shoqëror. "Në veprën e parë ka një vrasje të papritur për motive xhelozie; në veprën e dytë ka një vetëhelmim nga ana e motër Anxhelikës si sakrificë, pasi merr vesh që i biri ka vdekur; ndërsa e treta, një komedi danteske, "Xhani Skiki", është e vetmja opera e Puccini-t e përqendruar në tentativën për të nxjerrë në pah karakteret groteske të personazheve të shkujdesur nga domethënia e vdekjes", tha regjisori Gurakuqi. "Triptik" është prezantuar për herë të parë në "Metropolitan Opera", New York, më 14 dhjetor 1918, ndërsa në Romë në vitin 1919 nga një grup artistësh të nivelit të lartë.