E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elsie: Kadare jashtë antologjisë, s‘mora të drejtën e botimit

Një antologji e poezisë shqiptare në anglisht është botimi më i fundit i albanologut të njohur Robert Elsie. Ndonëse "Lightning from the Depths", frymëzuar nga vargjet e Poradecit, ka dy muaj që ka dalë në qarkullim, Elsie ka bërë dje prezantimin në Tiranë. Ministri i Kulturës, Ylli Pango, e ka cilësuar si një ngjarje të rëndësishme në historinë e letërsisë shqipe. Ndërsa Elsie është shprehur se "e kam pasur ëndërr të botoj një antologji të plotë të poezisë shqipe dhe pas shumë peripecive arrita ta botoj në Angli". Antologjia, e cila përfshin 277 poezi të zgjedhura të 48 poetëve, nis që nga poezia epike gojore, duke përfunduar tek ajo bashkëkohore. "Duke qenë se është antologjia e parë historike në anglisht, doja që emrat më të njohur të letërsisë shqiptare të përfshiheshin detyrimisht, pra Fishta, Naim Frashëri, Çajupi, Asdreni, poetët bashkëkohorë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe të vjetër si Budi e Bogdani. Doja që të kisha aty poezi që të dilnin mirë në përkthimin anglisht", është shprehur Robert Elsie për kriteret e përzgjedhjes. Kanë mbetur jashtë emra si Ali Asllani, Zef Skiroi, Lef Nosi apo të tjerë të mëvonshëm, përfshirë edhe ata bashkëkohorë. Po ashtu jashtë këtij vëllimi ka mbetur edhe Ismail Kadare. Ndonëse Elsie foli për disa kritere që ka marrë parasysh gjatë përzgjedhjes së poetëve, u shpreh se mospërfshirja e Kadaresë ka të bëjë me çështje thjesht teknike. "Doja ta përfshija edhe Ismail Kadarenë, sepse e meriton. Por ai ka një agjenci që vepron në emrin e tij për të drejtat që duhen marrë për përkthim, të cilat unë nuk arrita t‘i siguroja në kohën e duhur. Për çdo autor që kam përkthyer kam marrë të drejtat e botimit, por nuk munda dot për Kadarenë. Nëse botimi i kësaj antologjie do të kishte zgjatur edhe disa muaj më shumë, atëherë ndoshta mund të kisha arritur ta përfshija. Gjithsesi unë i kam përkthyer disa poezi të tij, të cilat gjenden në faqen time të internetit", shprehet Elsie. Ndërsa ai ka pranuar se në çdo antologji flitet për çështjet e përfshirjes apo mospërfshirjes. Kështu ka ndodhur edhe me këtë botim. "Kam punuar mbi dy parime; të përfshija poetët më të njohur, përfshirë dhe ata të vjetrit. Së dyti, jam bazuar mbi cilësinë e poezisë përkatëse në përkthim. Një poet mund të shkruajë shumë bukur në shqip, por përkthimi në anglisht nuk tingëllon si duhet. Kjo është arsyeja që disa poetë të mirë bashkëkohorë nuk janë përfshirë", shprehet ai. Nuk ka përmendur emra konkretë, duke u shprehur se të gjithë janë gati të vështirë. Sipas tij, poezia nuk përkthehet pa u futur në trurin e poetit. Këtë punë të bërë në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck e quan një arritje për njohjen e gjerë të poezisë shqipe, edhe pse i qëndron mendimit se ato duhen lexuar në origjinal për të marrë ndjesitë e vërteta. "Poezia si letërsi në përgjithësi duhet lexuar në gjuhën origjinale. Të lexosh poezinë në përkthim është si të puthësh nusen mbi vello. Përkthimi është veç një mjet që ndihmon në transmetimin e kulturës shqiptare në botën e jashtme, po nuk është e përkryer. Detyra ime si përkthyes është ta prezantoj letërsinë shqipe aq sa mundem", thekson Elsie. Edhe pse më parë ka hartuar disa antologji, por për periudha të caktuara të letërsisë shqiptare, albanologu kanadez ka hasur vështirësi në përgatitjen e kësaj antologjie të plotë të poezisë shqipe. Sipas tij, më i vështiri në përkthim ka qenë Fishta. "Kjo për shkak të dialektit, por edhe të dykuptueshmërisë së fjalëve", shprehet Elsie. I pyetur se sa ka arritur të përcjellë melodinë e vargjeve të Lasgush Poradecit, Elsie shprehet se "kam bërë më të mirën. Kur u jam kthyer poezive për t‘i lexuar në anglisht më kanë pëlqyer. Kjo më ndodh rrallë, pasi gjithnjë gjej raste për t‘u përmirësuar". Një pjesë të mirë të vëllimit albanologu ia ka kushtuar poetëve bashkëkohorë dhe është shprehur se rruga e botimeve të tjera mbetet e hapur. Sipas tij, "poezia është pasqyra e shpirtit të një populli. Shqiptarët e shtypur dhe të izoluar për kaq shumë kohë, kanë shumë për të thënë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›