E Shtunë, 31 Tetor 2026

Geoge Sand, "ëndrra prodhuese" në Tiranë

"Ëndërr prodhuese", kështu e ka quajtur ekspozitën e saj piktorja italiane, Donatella Aurora Serritella. ekspozita do të çelet në Galerinë e Akademisë së Arteve, ditën e mërkurë, më 10 dhjetor. Ajo është e organizuar prej institutit italian të kulturës. Piktorja italiane, Donatella Aurora Serritella, e cila në vitin 2005 mori pseudonimin George Sand, ka lindur në Sondrio në vitin 1960. Ajo është formuar duke frekuentuar si fillim Akademinë e Arteve të Bukura të Romës. Pas leksioneve të para në pikturë, Donatella iu përkushtua më shumë gravurës. Drejtimi që ajo mori në artet vizive e ka drejtuar instinktivisht në një rrugë të cilën e deshi, pa e tepruar asnjëherë në përshkrime. Duke e pasuruar gjithnjë e më shumë, ajo ka sjellë një vepër ku hera herës ndihet nervozizmi, por tërësisht e shpenguar, e thellë dhe e dyshimtë. Gravura e saj është një metaforë e anktheve. Vepra e saj përshkruan një dimension ekzistencial të njeriut të humbur, është e mbushur nga kërkimi kozmik dhe identiteti që nuk përkon me ndryshimin e identitetit njerëzor. Në Tiranë piktorja italiane do të sjellë një antologji të punimeve të saj, mes të cilave edhe veprat "Njeriu që nuk arrin të fluturojë", "Melankolia e mbetur pezull", si dhe "Të dashuruarit". Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 dhjetor 2008.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›