Ana pozitive e politikës “Rama”
Nga Nebil Çika
Shumë here është diskutuar nëse kryetari i PS-së, Edi Rama, është një politikan apo një “misionar”. Personalisht, kam besuar se me apo pa vetëdije, z. Rama po kryen një mision të madh të pamunduar për ndonjë politikan tjetër shqiptar. Misioni i tij është pa dyshim shkatërrimi i të majtës historike ish-komuniste shqiptare, projekt që tashmë është vënë në zbatim. Në fakt, gjithmonë është pritur që partia e ish-komunistëve shqiptarë të shkrihej apo shkatërrohej si simotrat e saj në vendet e tjera ish-komuniste, gjë që duket se sapo ka filluar. Nuk po i hyjmë këtu analizës përse ish-komunistët shqiptarë dhe partia e tyre vazhdon të jetë ende faktor në jetën politike të vendit, por po e ngushtojmë diskutimin tonë në misionin “Rama” në krye të kësaj partie. Çdo qytetar shqiptar e ka të qartë se pavarësisht origjinës, z. Rama është karakteri njerëzor e politik më në konflikt me mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon e majta ish- komuniste. Anarkist individualist, abstrakt, ai sfidon çdo gjë në PS. Personalisht, mendoj se zoti Rama në thelb e urren PS-në ose më mirë të themi kupolën tradicionale të udhëheqjes së saj, gjë që e ka reflektuar në kontradiktën tashmë të njohur me të atin e tij, pjesë e rëndësishme e nomenklaturës së diktaturës. Sjellja e tij politike që nga fillimi i pluralizmit politik shqiptar është e mbushur me momente kulmore, ku ai e ka manifestuar urrejtjen e tij personale ndaj partisë që tani po e drejton. Nga thirrjet plot sharje e mllef kundër udhëheqësve të gjallë e të vdekur të diktuarës e deri tek shprehjet artistike, gjen plot prova për të vërtetuar faktin që ai jo vetëm nuk ka lidhje me PS-në, por e urren qartësisht atë. Ka një ndryshim të dukshëm të deklarimeve publike të tij para dhe pas karrierës politike në PS, por nuk mund të vërehet një i tillë në sjelljen apo qëndrimin e tij ndaj saj. Duket shumë fals dhe hipokrit vlerësimi i tij për dëshmorët komunistë, pasi ka qenë ai që e ka deklaruar publikisht, shkruar të zezën mbi të bardhë, se “Lufta Nacionalçlirimtare ka qenë një luftë civile”. Vetëm ky moment mjafton për ta kuptuar se larg janë z. Rama dhe filozofia, traditat dhe lidhjet që mbajtën në këmbë 17 vjet pas përmbysjes nga pushteti 50-vjeçar partinë e komunistëve.
Por duket se fytyrën e vërtetë anti-PS z. Rama filloi ta manifestonte pas ardhjes në krye të saj. Nuk po i hyjmë asaj se si erdhi e kush e solli nga Parisi (me thonj të paprerë, sipas Nanos) në krye të PS-së, por periudha e mëpasme ka plot lëvizje e detaje interesante që vërtetojnë misionin e tij “kamikaz” në PS. Gjëja e parë që z. Rama manifestoi kur erdhi në PS, ishte distancomi ndaj lidershipit tradicional të saj. Nuk e kam këtu fjalën për njerëzit e paraardhësit Nano, por një distancim ndaj kupolës historike të komunistëve shqiptarë. Injorimi i forumeve, metodave dhe sidomos faktorëve tradicionalë në zhvillimet politike në PS, ishte pa dyshim preludi i asaj që do të vinte më mbrapa dhe konturohej e qartë në përfaqësimin në zgjedhjet aktuale. Zoti Rama e ka distancuar qartë veten nga kjo PS dhe lufta e saj për rikthim në pushtet me moskandidimin e tij në këto zgjedhje. Kemi dëgjuar dhjetëra argumente e analiza nga më fantastiket përse z. Rama e mori këtë vendim, por unë këmbëngul në logjikën se kjo nuk është lufta e tij, kjo nuk është pjesë e misionit të tij. Mbajti bashkinë, një trofe e mjaftueshme për të plotësuar nevojat personale të pushtetit dhe të tjera dhe një suport i fortë politiko-ekonomik për realizimin e misionit. Filozofia dhe politika që ka përdorur në përzgjedhjet e përfaqësimit elektoral të PS-së, flet qartë për një skenar spastrimesh të figurave, por edhe linjave tradicionale në PS. Përveç lënies jashtë listave të një sërë figurash qendrore të PS-së, si ish-Presidenti Meidani, z. Rama është munduar të presë lidhjet e forta shpeshherë të dyshimta të politikanëve qendrorë me bazën, duke e bërë lëmsh hartën elektorale të PS-së. Vihet re largimi nga zona tradicionale të kandidimit të figurave tradicionale apo pinjollëve të tyre si Gramoz Ruçi nga Tepelena në Fier. Ilir Gjoni në Tiranë, ndërkohë që në vend të tij në Dibër kandidon E. Spiropali nga Saranda. Mimi Kodheli nga Malësia e Madhe kandidon në Pogradec, duke postuar Fatmir Xhafën. Spostime nga zonat tradicionale kanë pësuar edhe Kastriot Islami, Namik Dokle e të tjera figura tradicionale të PS-së. Kjo zhvendosje ka për qëllim heqjen e kontrollit të PS-së nga “stekat” e vjetra si parapritë e ndonjë rebelimi të mundshëm të brendshëm ndaj projektit “Rama”.
Një fakt domethënës është edhe mënyra e komunikimit me shefat apo anëtarët e forumeve drejtuese të PS-së, nga injorimi i mendimit apo kërkesave të tyre e deri tek fyerjet, një strategji kjo e llogaritur mirë për depersonalizimin dhe shfaktorizimin e tyre përballë anëtarësisë dhe elektoratit.
Në planin ideologjik dhe politik Rama po e fut PS-në në një konflikt kombëtar me elektoratin. Politika permanente kundër interesave kombëtare, si rruga Durrës - Kukës, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave me BE-në etj. synon pikërisht këtë konflikt që pritet të konkretizohet në disfatën zgjedhore. Mirëpo duket se misioni apo programi i Ramës e ka parashikuar edhe këtë situatë. Konfliktimi i klaneve, grupeve dhe interesave në partinë historike të së majtës pritet të çojë në një përplasje tjetër të brendshme menjëherë pas zgjedhjeve. PS-ja ka pasur disa përplasje në këto vite post-dikatoriale të ekzistencës së saj. Mirëpo mbajtja e konfliktit brenda shtëpisë apo më mirë të themi brenda kupolës ish-komuniste ka mundur të ruajë një lloj uniteti dhe rishpërndarjeje pushteti sipas parimit mafioz të pjesëmarrjes së përbashkët në krim. Shkëputja e LSI-së mund të konsiderohet si përpjekja e parë e shpërbërjes së PP-së, pasi z. Meta dështoi në përplasjen me lidershipin e vjetër të saj. Rama duket se ka mësuar nga kjo dhe e ka pastruar apo çorientuar dukshëm pushtetin tradicional. Lufta e brendshme e familjeve të vjetra komuniste po përdoret gjithashtu me sukses nga z. Rama. Afrimi i disa pinjollëve të rinj të kupolës komuniste është shoqëruar me largimin apo denigrimin e disa të tjerëve. Vlora, e konsideruar dominuese në politikën komuniste, është rifutur sot në konfliktin e vjetër të klaneve apo familjeve. Aktualisht, baza e PS-së kontrollohet nga klani i njohur Kapo, pasi edhe kryetari lokal i PS-së, Eltar Deda, kandidat për deputet edhe kryebashkiaku Shpëtim Gjika, të dy nga Tërbaçi, janë pjesë e kësaj familjeje, ndërkohë që përfaqësuesi i një familjeje apo klani tjetër të njohur komunist, Besnik Dervishi, është fshirë fare nga lista për deputet të PS-së. Pra, projekti i z. Rama po e çon shumë thellë konfliktin, deri në kubenë e PS-në. Efekti i politikës “Rama” në PS ka bërë që të gjitha palët në konflikt të shohin ose më mirë të presin si mundësi zgjedhjeje humbjen e zgjedhjeve. Dalja publike e z. Nano e paralajmëroi një plan të tillë, mirëpo edhe duket se edhe z. Rama është përgatitur për “luftë”. Madje ai duket se po e kërkon, po e provokon një përplasje të brendshme dhe po merr të gjitha masat për ta fituar atë. Ndenja jashtë garës elektorale i garanton atij kontrollin mbi interesat ekonomike, aq të domosdoshme për të garantuar kontrollin mbi anëtarët e forumeve, shumicën e të cilave e ka kompozuar mbi bazën e lidhjeve ekonomike. Përfundimi i çdo përplasjeje do të konvenonte me misionin e Ramës pasi në mungesë të pushtetit si motiv bashkimi, konflikti do të çonte patjetër në mos në një shkërmoqje, në një ndarje të re shumë më të thellë se ajo me Ilir Metën. Pushteti zyrtar i opozitës do t’i ngelej sërish z. Rama, i cili me listën që ka shpallur, ka llogaritur të kontrollojë grupin parlamentar, ndërkohë me moskandidimin ka garantuar edhe bashkinë. Natyrisht që një ndarje e re në kushtet e opozitës do të jetë e papërballueshme për PS-në, ndërkohë që me kalimin e viteve, rritjes së procesit të integrimit euroatlantik të vendit, forcimit të pozitave kombëtare të shqiptarëve në rajon, do ta bënte të pamundur rimëkëmbjen e një partie që bart mbi vete një histori të turpshme krimi dhe antishqiptarizmi. Mendoj se humbja e garantuar, mbase edhe e planifikuar e PS-së në zgjedhje, do t’i hapë rrugë krijimit të një të majte shqiptare të orientuar nga vlerat kombëtare dhe ato euroatlantike. “Nga sherri del hairi” thotë një proverb. Ky moment mund dhe duhet të jetë fundi i partisë që krijuan Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi dhe që funksionoi për me shumë se 60 vjet si fatkeqësi historike për shqiptarët. Jam dakord me Berishën kur thotë: “Nuk ia bëj dot atë që Rama po i ka bërë vetes”, por dua të theksoj se ajo që ai po i bën PS-së është pa dyshim e paimagjinueshme. Tani, në fund të analizës, se pse po më pëlqen kjo politikë e Edi Ramës. Me apo pa vetëdije, ai po i bën një nder të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve, po çon drejt fundit politik partinë e fundit diktatoriale ende ekzistente ne Evropën ish-komuniste. Në këtë situatë dhe këndvështrim besoj se kemi të gjithë të drejtën ta marrim në konsideratë edhe anën pozitive të politikës, projektit dhe misionit të z. Rama në krye të PS-së.