TAKSA E “URËS” DHE TAKSA E MËKATIT…!
Nga Agim Jazaj
Në vitet e para transitive, të stërzgjatura, dhe në vazhdën e tyre, shqiptarët, veçanërisht moshat e reja, u turrën nëpër rrugët e botës për të kërkuar rrugët e jetës, për të bërë paksa prokopi. Njerëzit e vendit të mbyllur kishin dëgjuar e lexuar nga media e shkruar dhe ajo pamore për botën jashtë, për drogën, korrupsionin e prostitucionin, por nuk i kishte njohur, ishte “i virgjër”, nuk ishte i prekur nga këto sëmundje të rënda të shekullit. Ikanakët e rinj, në emigracion u ndeshën, të parët, madje u joshën lehtësisht edhe me tregun e etur të drogës, tregun e majmë të mishit të bardhë, të prostitucionit etj.
Të marrët ngritën urën, të mençurit paguajnë taksat…
Shumëkush vrapoi “në kërkim të kohës së humbur”! Përmes dy sistemeve ishte një lum ndarës, këllirëmadh, që duhej kaluar. Shumë të mençur qëndronin buzë këtij lumi për të kaluar matanë. Ata bënin kalkulime të shumta, deri dhe llogarinë e kokës. Po të hidheshin në dallgët rrëmbyese, a mund të dilnin matanë, në “bregun e parajsës”?! Rezultantja u rezultonte: të humbnin edhe jetën, nëse do të ndërmerrnin inkursionin. Përballë tyre dhe shumë të marrë, mjaftë të etur. Ndryshe nga të mençurit, kjo kategori nuk i binte lapsit, përllogaritjeve të rastit. Vetëm ata ëndërronin: “bregun e parajsës”, pa koston! Shumica e kësaj sëre u hodhën në “lumin këllirë”. Bilanci nëpër tabelat e publikuara dhe në shumicën e tabelave të papublikuara, të marra me rezervë rezulton se 90 për qind e trimoshëve që u hodhën në lum, u mbytën, ndërsa 10 për qind e tyre dolën matanë. Pra, këta 10 për qind që shpëtuan, sakrifikuan, investuan, e ngritën edhe urën mbi lumin ogurzi, për të kaluar gjithë ne kalimtarët. Madje, ata panë, mësuan dhe në dy anët e urës ngritën madje edhe arkat, për të vjelë taksën për kalimtarët e mjetet… Jemi të detyruar të paguajmë me një këmbë, këtë taksë, kosto të rrugës. Ata investuan, ne do të taksohemi. Por, edhe ata duhet të paguajnë taksën e mëkatit dhe të krimit, ata që kanë dhe aq sa kanë mbi shpinë, dhe mbi shpirtrat e shqiptarëve.
Etja, kjo pangopësi për të kapërcyer ende lumin dallgë rënë tashmë, për të përfituar pa mund e djersë, mëkati më i madh në jetë! Ka ende në bregun e tij, kontigjente të shumta, nga ata që nuk dinë as tabelën e shumëzimit dhe “not qeni”, shëtisin me kabrioleta me timon nga krahu i djathtë dhe “bukuroshet” përpara, por dhe nga ata të kollarisurit, që sodisin në breg edhe në ditët e sotme…
Luksi jashtë, “zgjyra” brenda
Pronari i një lokali të thjeshtë, i mësuar dhe me kulturën evropiane, synonte standardin, jo rezultatin, kërkonte të zbatonte ata parametra qytetarë, civilë në fillesën e tyre, që ekzistojnë në botën e qytetëruar, për të punësuar një kamerier/e. Kamerierja simpatike u prezantua vetë dhe zotëronte moshë dhe aftësi, në marrëdhënie me pronarin, duke dakorduar për kontratën e punës. Mirëpo… Pas saj nuk ishte vetja, por i “zoti” i saj që diktonte, menaxhonte dhe zotëronte krijesën, e cila kishte humbur pavarësinë dhe i mungonte liria.
E vëren lehtësisht “kordon” mes dy pamjeve. Sa i befasuar gjendet një i sapoardhur, nga jashtë vendit, e veçmas një i huaj, teksa shkon të pijë kafen e rastit në një lokal luksoz, nga pamja e jashtme, qoftë dhe në qytetin tonë bregdetar, shkuar dhe një lokali në mes të Parisit, dhe klientët, ulërimsa, që ka në sallën e tij luksoze… Jashtë të josh luksi, brenda luksit të vret zgjyra…! Shpesh tregu i sotëm e nxit këtë lloj klientelizmi ordiner, zgjyrë, pa llogaritur dëmtimin e standardit shumëdimensional, deformimin e edukatës së trashëguar. Opinioni qytetar shpesh, në vend të reagimit qytetar, është i topitur përballë harbutërisë “frerëkëputur” ose në të shumtën e “shfaqjeve”, duartrokiten “aktorët” e shëmtisë, që prodhojnë antiqytetërim, përdhosin kulturën qytetare. Shumë telefonatave nga qytetarët e thjeshtë këto ditë, nuk mund t’u japim zgjidhje, as ne njerëzit e fjalës së shkruar, pa e mohuar këtë rol, qoftë dhe reagimi e komenti kundër këtij demonstrimi antiqytetar nga maturantët e shkollave të qytetit, në kronikat e ditës të televizionit rajonal, 6+1 Vlora! Por duhet të veprojë një tjetër mekanizëm, në mënyrë harmonike, për të vënë në lëvizje gjithë pajisjen, shtet! Bilbili i policit, pa tepri mungonte dhe shkopi i policit, (polic i formatuar) të Komisariatit të Qarkut të Vlorës apo dhe vetë angazhimi i kryepolicit që mbahet si njeriu i standardeve të ligjit, do të bënte zap, marrëzinë e maturantëve, në qytetin e Vlorës, që ulërinin mes përmes qytetit, përballë hundës së shtetit, votës së qytetarëve. Ky demonstrim tradicional, i përvitshëm, nëpër rrugët e qytetit, si sfidë ndaj shtetit, po fiton “status legal”, përkundër aspiratës, votës së qytetarëve. Demokracia dhe liria nuk janë pa kufij. Thuhet se të marrit i duhet hapur rrugë, por kjo thënie e lashtë është zëvendësuar me aksiomën e sotme, të qytetarisë: “Të marrëve duhet t’u presim udhët”! Kanë kaluar më se 5 vjet, kur bisedonim e pinim kafen e rastit me ish-ambasadorin Bashkim Zeneli, në Athinë, kur përmenda, shtetin e qytetarëve! “Është e parakohshme, - më thotë i nderuari gazetari i njohur, Zeneli, - për ne shqiptarët, të sapofutur në këtë sistem!” Sprinti nis nga: “Të bëhemi qytetarë, të prodhojmë prijës”, dhe anasjelltas! “Prijësit prodhojnë qytetërim”, edukatë! Ky është vullnet dhe mbetet aspiratë qytetare dhe mbarëshqiptare…
Pasanikët ordinerë
Rezultatet e këtij “sprinti” e renditën vendin tonë në shifra më të larta si “modelin” e drogës, prostitucionit dhe të korrupsionit! Atë kohë nuk ishte e formuluar me ligj droga, prostitucioni e korrupsioni etj. Gjithkush është i ndërgjegjshëm se më “të shkathëtit” e kohës i shfrytëzuan këto “resurse”, vakuumin ligjor në kapërcim të tranzicionit shoqëror e politik të vendit, vunë një grusht para, e bënë goxha “prokopi”. Një shprehje e popullit thotë: “Sa të matet i mençuri, është sosur i marri”. “Të shkathëtit” e kohës e kishin spunton, doemos edhe nga politika e ditës dhe komunikimi me celular me ta. Nga kontigjenti i “pasunarëve të pashkollë”, fluturues, e pa me nder b… në b…, radhiten edhe pasanikët e kollarisur, dinakë të politikës dhe të pushtetit të lidhur mes tyre. Të dytët akuzohen edhe nga vetë brenda radhëve të veta për lidhje me të parët, si “baronë të drogës”, shfrytëzimin e deri në sakrifikimin e tyre. S’më shqiten nga kujtesa fjalët e asaj nënë labe, përpara 15 vjetëve, kur i treguan disa udhëtarë që udhëtonin me trenin e shkatërruar, të “fakir fukarasë” me gisht vilat e ngritura ndan rrugës: - I shikon nëno si i ngritën vilat djemtë e nënave? - Po more bir! Po pyesni se ato vila e kanë nga një arkivol brenda!
Nëpër rrugët e kurbetit jemi ndeshur me vajza shqiptare, me shumicë nëpër rrugët e Athinës, të Romës, nëpër Evropë etj. Në qendër të Athinës, përballë hotelit “Parnon” etj. ia bëjnë “mu”, ruhen si “djalli nga temjani”, nga policia, kamerat, nga “bravot”, padronët e tyre, e bashkëqytetarët. Nuk mund të flasin shqip. Një hall dhe një tmerr i ka zhytur. Kemi ndjekur kronikat policore dhe filmimet e orgjive në hotelet vendase të Athinës e më pas prangosjen e tyre nga policia. Përballë hotelit “Parnon” në Athinë, është i hapur përditë tregu ose “Lajqia” e mishit të bardhë në gjuhën vendore. Do të shohësh, madje të joshesh nga raca të ndryshme. Ka me bollëk edhe shqiptare, që kanë nga mbrapa “bravot” e tyre, shesin shpirtin e trupin për të nxjerrë kafshatën e bukës, për të majmur “bravot” që janë prapa tyre.