E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjaft” dhe “asgjë”



Nga Kastriot Shehdadi

Përpilimi dhe publikimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet e 28 qershorit, nga do të dalë Parlamenti i ri me mundësi që shumëkush prej deputetëve aktualë dhe paraprakë të kenë mandat tjetër shtesë, ka treguar, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, si gjithnjë në mënyrë të tërthortë, aspiratat në politikë të individëve të caktuar! Duke bërë pompozitetin në rolin e "të qarit të hallit të popullit të shkretë” dhe duke u treguar narcisoid, duke dëshiruar të tregohen me qytetarë se kandidatët rival, janë mu Edi Rama dhe Erion Veliaj që tregojnë sa janë të gatshëm për sfida dhe sa u besojnë votuesve. "Rama ka fituar të gjitha betejat në votime për Tiranën”, - thonë përfaqësuesit e tij në debate publike. Por, tashmë opinioni e ka të kuptueshme që ky Rama fitues në Tiranë, nuk do sfidë në Tiranë me Kryeministrin aktual dhe liderin e PD-së, si drejtuesin e forcës politike djathtiste më të madhe, Sali Berishën. Rama fitues në Tiranë, si fakt edhe në zgjedhjet e fundit lokale, nuk mund të merret tani si superioriet i tij në kryeqendër, aty ku ka bashkinë në duar. Treguesit janë të fortë për drojën e Ramës në Tiranë, sepse është i kompleksuar, ai vetë ka drojë nga pasiguria e tij tani mu në Tiranë. Prandaj, nuk gjendet në listat për deputetë, nuk gjendet në krye të listës së PS-së në Tiranë, në këtë metropol ku ndryshe nga herët e tjera, Sali Berisha gjendet si bartës liste, si mundësi sfiduese direkte me kryeopozitarin aktual Rama, i cili krekoset se ka bërë punë dhe admirohet. Berisha u shmang nga Kavaja për të qenë konkurrent në Tiranë dhe siç pritej dhe përflitej, aspiruesi i postit të Berishës, si kryeqeveritar, Edi Rama e lakmon postin, por nuk do sfidë, nuk do garë, e do me mundësi të gatshme, që më mbrapa të ketë dhe dy mundësi të tjera. Nëse fiton, t’ia atribuojë vetes së tij meritat dhe të kundërtën e politikës së tij egoiste për të kritikuar të tjerët për “pazotësi” në rastin nëse humb, që në bazë të disa sondazheve dhe të dhënave më reale, edhe mund t’i ndodhë. Megjithatë, votuesit e kanë fjalën në fundjavën e fundit të muajit kur përurohet rruga Durrës – Kukës. Rama, bile, të paktën deri më tani, me Sali Berishën nuk do as ballafaqim medial në ndonjë debat të mundshëm. Do vetëm goditje me projektime, nga distanca, të qëlluara apo jo, si në retorikën e tij stërpërsëritëse që në iso ia ritransmetojnë opinionit emisarët e tij në dhe të dërguar në media. Këta rithënës nuk durojnë kur listat e pozitarëve fillojnë e shpalosen nga ta sepse nervozohen, ndërpresin me fjalë dhe duke qenë të padurueshëm kundrejt retorikës profesionale dhe ndërtuese, shkojnë deri aty ku me histeri thonë se “tani do ju shohim juve me ato lista dhe t’ju dëgjojmë juve duke folur për çfarë keni bërë”?! Po të ishin konstruktivë dhe të qytetarëve siç deklarohen, do të kundërviheshin me ndonjë fakt, jo me zhurmë dhe ofendime në mungesë të argumenteve të tyre mohuese. Rama nuk do sfidë, të paktën “më korrekt” se Erion Veliaj! Ky, i dalë nga “Mjaft” duket se vërtet nuk kupton kur është “mjaft”! I pasigurt fare nuk kandidon në Tiranën e “tij qytetare”. Nuk kandidon në një qark, por duke menduar aq shumë për popullin, duke qenë aq i mishëruar me të varfrit, të pastrehët dhe me hallet e tjera të popullit, dëshiron të jetë përfaqësues legjitim i tyre, i gjithë shqiptarëve në Shqipëri. Këtë e tregoi me vullnetin e tij kur pak i dukej kandidimi në një qark dhe në listën “99-she” gjendet i pari në të dymbëdhjetë qarqet, aq sa janë të tërat. Për fat të keq të Erionit, nuk ka 99 qarqe, por edhe këto dymbëdhjetë janë “mjaft” se mbulojnë Shqipërinë nga Shishtaveci në Konispol. Erion Veliaj patjetër dëshiron të bëhet deputet, sepse ai e meriton të jetë për interesa të popullit ani se shfrytëzon të drejtën e tij juridike, por me moral politik dhe ambiciet e tij të tilla kurrë nuk e di kur është “mjaft”. Rama del të jetë më skile, sepse e di kur është “mjaft”, duke mospranuar garën për dallim prej Erionit që edhe “mjaft” i duket “asgjë”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›