Privatizimi i pamundur i antikomunizmit
Nga Bedri Çoku
Dy ngjarje nga më të përgjakshmet në regjimin e diktaturës komuniste janë, pa dyshim, ato që ndodhën në kampet e burgjet politike, respektivisht në kampin e Spaçit, më 1973 dhe në Qafën e Barit, më 1984. Si hakmarrje për shkak të kryengritjeve të të burgosurve politikë, regjimi komunist pushkatoi 4 djem të rinj në Spaç dhe dënoi rreth 60 të tjerë, me dënime të rënda, ndërsa në Qafë-Bari dënoi me pushkatim 2 vetë, i treti vdiq prej torturave të rënda dhe shumë të tjerë i dënoi me burgime të gjata. Jo pa qëllim të burgosurit politikë e filluan kryengritjen e dytë, pas 11 vjetësh, pikërisht në të njëjtën datë me Kryengritjen Historike të Spaçit, më 21 maj, sepse atje u ngrit flamuri kombëtar pa yllin, simbolin e komunizmit, si domethënie e padiskutueshme që, sundimi komunist në Shqipëri, sado i egër e antikombëtar që ishte, ditët i kishte të numëruara... Sepse ndjenja e lirisë dhe e atdhedashurisë, ndër shqiptarët e ndershëm e antikomunistë ishte e pashuar, e fuqishme, sado i pamëshirshëm që ishte antishqiptarizmi sllavo-komunist i instaluar këmbëkryq në Shqipëri, qysh disa dekada më parë. E pra, për këto dy ngjarje, çuditërisht, ka një sjellje mospërfillëse nga forcat politike dhe institucionet shtetërore e qeveritare, gjatë tranzicionit postkomunist. Jo vetëm që nuk përmenden si ngjarje historike e të dhimbshme, por edhe kur të burgosurit dhe të internuarit politikë grumbullohen për t’i përkujtuar ato, qeveritarët e politikanët e pluralizmit as begenisin t’i respektojnë njerëzit që u sakrifikuan për demokracinë e sotme. Vetëm një pjesë e vogël e deputetëve, madje me kokrra do të thosha, që numërohen me gishtat e dorës, nga të Partisë Demokratike, vetëm ata guxojnë e i respektojnë përkujtimoret e martirëve antikomunistë...
Në vitin 2006, B. Leskaj ish-ministër i Kulturës, Rinisë e Sporteve, propozoi 21 majin, fillimin e kryengritjeve në burgjet shfarosëse të Spaçit e Qafës së Barit, për ta shpallur ditë përkujtimore, për ata që vuajtën e u sakrifikuan në regjimin gjakatar komunist. Dhe, Këshilli i Ministrave e miratoi. Mirëpo, qysh nga ajo kohë këtë “ditë” nuk e kanë përkujtuar, sipas protokollit, institucionet shtetërore e qeveritare. A ka një arsye? Pa dyshim që e ka një arsye. Madje të thjeshtë fare, do të thosha unë, të cilën e dinë tashmë, i madh e i vogël, që atributet e rrëzimit të regjimit komunist, përveç studentëve e pedagogët i mori përsipër edhe Ramiz Alia, i cili e “lejoi” pluralizmin politik në Shqipëri, në mënyrë paqësore. Ndërsa atyre, të cilët me dekada u përleshën dhëmbë për dhëmbë me regjimin gjakatar, që u vranë, u varën e u burgosën apo u lindën e u rritën nëpër internime, u thanë se, para së gjithash e së pari, duhet të falënderonin “çlirimtarët” që i shpëtuan nga izolimi i gjatë nëpër burgjet e kampet e internimit , së dyti, të mos e hapnin gojën asnjëherë, për dënimin e krimeve të komunizmit, qoftë edhe për pronat e tyre të grabitura nga regjimi, sepse “lirinë nuk e fituan vetë, por fatmirësisht, e gjetën midis popullit komunist dhe bijtë e bijat e tyre!!!”
Megjithatë, kjo do të ishte, ndoshta, gjysma e së keqes në qoftë se luftëtarët e vërtetë të lirisë e të demokracisë nuk do të ishin fyer e përçudnuar, jo vetëm nga forcat e majta politike, që përpiqen dita-ditës ta fshijnë kujtesën historike të popullit tonë, por edhe nga ca të tjerë të sajuar e të inspiruar nga bodrumet e errëta të së kaluarës, të cilët, me një mijë e një marifete, kanë arritur të dalin në krye të këtyre përfaqësueseve që kundërshtuan realisht komunizmin e, me këtë rast, të përvetësojnë pa asnjë turp përkatësinë e kësaj shtrese në ngjarjet historike, antikomuniste, duke u shtirur për t’i përkujtuar ato madje me pompë, edhe pse në këto përkujtimore nuk merr pjesë asnjë prej protagonistëve të atyre ngjarjeve madhore. Vetëm e vetëm për të ngjallur pakënaqësi e digresion ndër radhët e atyre që u sakrifikuan vërtet për një qëllim e një ideal...
Nuk ka turp më të madh, kur në gazetën “Sot’’ të datës 23 maj 2009, një i vetëshpallur sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë, i cili nuk ka qenë as i burgosur, as i internuar, pa pikë turpi merr përsipër autorësinë e propozimit të ditës përkujtimore, 21 majit, kur thotë se ... “për herë të parë me propozim të autorit dhe përkrahjes së Kryeministrit Sali Berisha e shënoi 21 majin, ditë përkujtimore publike...” edhe pse është e shkruar e bardhë në të zezë se kush e ka bërë këtë propozim në Këshillin e Ministrave. Por injoranca dhe ligësia që karakterizon këtë njeri, nuk e pengon të kapërcejë kufijtë edhe në një rast tjetër kur shkel hapër të drejtën e autorit me plagjiaturën e bërë, duke cituar pjesë nga artikulli i autorit të këtij shkrimi, në lidhje me përshëndetjen që të burgosurit politikë i bënë Partisë Demokratike nga burgu i Burrelit në kohën që ajo sapo u formua, konkretisht në artikullin “Divorci që solli tragjizëm për demokracinë në Shqipëri...”, nga Bedri Çoku, thuhet:
“... Krijimin e partisë së pare opozitare, më 1990, atje në burgun e Burrelit, ne, të burgosurit politikë e pritëm si ditën e çlirimit të Shqipërisë nga regjimi i egër komunist. Madje, dërguam edhe një promemorie në Tiranë, personalisht për zotin Sali Berisha, i cili në atë kohë ishte i vetmi intelektual që na kishte bërë përshtypje me artikujt e tij në gazetën “Zëri i popullit”, për frymën kombëtare dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë ndryshe nga ç’ishte...”
Ndërsa autori i kësaj plagjiature të turpshme në artikullin e tij të botuar në gazetën “Sot”, data 23. 05. 2009 shkruan, pa cituar autorin e këtyre radhëve: “...Krijimin e Partisë së pare opozitare, në burgun e Burrelit, të burgosurit politikë e pritën si ditën e çlirimit të Shqipërisë nga regjimi i egër komunist. Madje, dërguan edhe një promemorie në Tiranë, personalisht për zotin Sali Berisha, i cili në atë kohë ishte i vetmi intelektual që kishte bërë përshtypje me artikujt e tij në gazetën “Zëri i popullit”, për frymën kombëtare dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë ndryshe nga ç’ishte...”
Janë pikërisht këta injorantë, të cilët, ngaqë nuk kanë begraund politik e aftësi për të shkruar e mbajtur fjalime me zotësinë e tyre, krijojnë shoqata të persekutuarish, duke u mbështetur në begraundin e të tjerëve dhe kopjojnë shkrimet e fjalimet e këtyre, pa asnjë përgjegjësi morale e ligjore, për t’u dukur të ditur e udhëheqës të shquar e historikë...
Prandaj, ka ardhur koha që loja me “Shoqatat e të Përndjekurve” dhe njerëzit në krye të tyre, të cilët s’kanë pasur e s’kanë asgjë të përbashkët me luftën antikomuniste dhe vuajtjet e persekutimet reale nga regjimi komunist, të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Nuk ka absurditet më të madh sesa të ndodhen në krye të këtyre shoqatave i biri, nipi apo kushëriri i një të vuajturi nëpër burgje apo internime, kur vetë i burgosuri e i internuari është gjallë, madje më i aftë e dinjitoz sesa “ai”, i cili, ndërkohë kur babai, vëllai apo kushëriri “i tij” vuante burgjeve dhe internimeve, “ai” flirtonte me regjimin, me një mijë e një mënyra, për të mbijetuar. Dhe sot, në liri e demokraci, u dashka që, pikërisht “ky”, anonim i asaj kohe edhe sot, të përfaqësojë ata që u dergjën burgjeve e internimeve, pa pasur asnjë cilësi apo aftësi shquese për këtë përfaqësim?!!... Vetëm sepse është i aftë të shtiret e të spekulojë me vuajtjet dhe integritetin e atyre që u sakrifikuan dhe u flijuan denjësisht për lirinë dhe demokracinë e ditëve të sotme. Këta njerëz duhet të bojkotohen nga të gjithë ata që ndihen krenarë për çka kanë vuajtur e sakrifikuar. Ndryshe, shtresa e atdhetarëve dhe e antikomunistëve do të mbetet gjithmonë e pa faktorizuar në përpjekjet e saj për ta shkëputur vendin nga e kaluara dhe njerëzit që e përfaqësojnë atë të kaluar terroriste e kriminale...