Vullnetarët e PS-së prishin mësimin tek “Filologjiku”
Ndryshe nga ditët e tjera, studentët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Gjuhëve të Huaja dhe Ekonomikut dje kanë dëgjuar muzikë në vend të leksioneve të pedagogëve të tyre. Nuk bëhet fjalë për metoda moderne mësimdhënieje, por për fushatën elektorale që duket se ndërhyn edhe në djepin e dijes: universitetin.
Vullnetarët e Partisë Socialiste kishin stisur mëngjesin e djeshëm një stendë me broshura dhe informacione, përbri një fugoni që buçiste muzikë me volum të lartë, duke u shoqëruar edhe me thirrje me megafon “Koha për ndryshim”, “Votoni ndryshimin”. Kjo situatë ka shkaktuar çrregullimin e procesit mësimor në tri fakultetet që ndodhen në Rrugën e Elbasanit, thënë ndryshe në 40 për qind të studentëve të universitetit më të madh në vend.
Një pjesë e studentëve të këtyre fakulteteve gjetën rastin për të shmangur mësimin “e bezdisshëm” siç na thanë, ndërsa pjesa më e madhe u shpreh e irrituar se volumi i muzikës e ka bërë të pamundur ndjekjen e orës së mësimit. Ndërsa dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, z. Shezai Rrokaj, i pyetur nga gazeta, e ka quajtur të patolerueshëm aktin e vullnetarëve socialistë, pasi sipas tij, kanë cenuar procesin mësimor.
Studentët
Nga mëngjesi deri në orët e vona të mesditës, jashtë oborrit, por ngjitur me ambientet e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë vullnetarët socialistë kishin ngritur stendën e tyre elektorale. Të drejtuar nga universiteti, ata njoftonin nisjen e fushatës së Partisë Socialiste, për zgjedhjet e 28 qershorit.
Ndërsa studentët e këtij fakulteti përgjatë gjithë ditës kanë ndjekur ritmin e muzikës, disa të detyruar e disa jo, pasi dëgjimi i orës së mësimit ishte e pamundur. “Në fakt më shumë dëgjonim muzikën që vinte nga jashtë sesa zërin e pedagogut në klasë”, - shprehet një studentë e këtij fakulteti. Të tjerë të irrituar nga ky takim kanë kërkuar marrjen e masave për ndërprerjen e takimit në mënyrë që të zhvillonin qetësisht procesin mësimor.
Anisa, studente e Ekonomikut si me një nënqeshje të lehtë thotë se “në prag sezoni pak muzikë nuk do na bënte keq”. Më të vrenjtur në fytyrë ishin studentët “e rregullt” të cilët duket se teksa hynin në auditorë fërfëllonin nga mërzitja dhe bezdisja që u shkaktonte muzika.
Fakulteti
Dekani i këtij fakulteti, z. Shezai Rrokaj, deklaroi se stenda gjendej jashtë ambienteve të shkollës dhe se nuk ishte në kompetencat e tij për të ndaluar zhurmuesit e procesit mësimor. “Zhurma ishte jashtë nivelit të lejueshëm. Pranë ishte një institucion mësimor dhe këta vullnetarë nuk e kanë marrë parasysh, duke bezdisur shumë”, - deklaroi Rrokaj, duke shtuar: “Nuk ishte në kompetencat e mia që të reagoja, por nuk do të lejojmë raste të tjera që shkelin ligjet e shtetit për zhurmat në ambiente publike dhe për cenimin e procesit mësimor”.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë pranoi se takimi i vullnetarëve socialistë kishte krijuar shqetësim, pasi në këtë mënyrë ata nuk kanë respektuar qetësinë publike dhe ligjet. Ndërkohë Rrokaj e quan të papranueshëm qëndrimin indiferent të policisë ndaj këtij shqetësimi të bërë institucionit arsimor në ambiente publike.