Anagnosti prezantohet te “Vatra”
Mbrëmë në Cinema Romano, një prej kinemave historike të Torinos, që ndodhet në sheshin kryesor të qytetit, “Piazza Castello”, shoqata Piemonte Movie dhe Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare “Vatra” paraqesin, për herë të parë në këtë qytet, filmin “Gjoleka, djali i Abazit”. Filmi u prezantua në prani të autorit, regjisorit Dhimitër Anagnosti dhe të aktores së mirënjohur shqiptare Roza Anagnosti, në kuadër të veprimtarisë “Një ditë në kinema” organizuar nga Shoqata e Muzeut Kombëtar të Kinemasë. Filmi, i konsideruar një nga produksionet më të mirë u projektua në gjuhë origjinale me nëntituj në italisht, si anteprimë e Fokusit mbi Kinemanë Shqiptare brenda edicionit XI të Piemonte Movie gLocal Film Festival që do të zhvillohet në Torino nga data 3 deri në 10 mars 2011.
Shoqata Piemonte Movie do të organizojë edicionin XI të festivalit kinematografik gLocal Film Festival që do të zhvillohet në Torino nga data 3 deri në 10 mars 2011. Në këtë edicion, Festivali, në bashkëpunim me Shoqatën “Vatra” dhe Qendrën e Kulturës Shqiptare do t’ia kushtojë vendin e nderit kinematografisë shqiptare. Shqipëria do të jetë në fokusin seksionit “Tokat e kinemasë”, të këtij festivali, që synon, nga njëra anë, të vendosë kontakte dhe të vlerësojë siç duhet atë pjesë të kinemasë evropiane që nuk njihet dhe nuk shpërndahet siç duhet në Itali dhe nga ana tjetër të dialogojë dhe të ndërveprojë me bashkësitë e huaja kryesore, të pranishme në qytetin e Torinos.
Edicioni XI i Piemonte Movie gLocal Film Festival realizohet në bashkëpunim me Regione Piemonte, Piemonte dal Vivo, Fondazione Maria Adrian Prolo, Film Commission Torino Piemonte, Torino Film Festival dhe Associazione Museo Nazionale del Cinema.