Analfabetizmi në rritje
Fatbardhi sivjet ka filluar klasën e parë. Ky vogëlush duhet të mbajë mend krejt çka i thotë mësuesi, në të kundërtën, në shtëpi nuk ka kush t’ia mësojë asnjë germë.
Prindërit e tij, e sidomos nëna, nuk e dinë asnjë shkronjë të alfabetit. Dashurie K. ashkalike nga një fshat i Ferizajt, ishte vetëm 16 vjeç kur braktisi familjen për t’u martuar me Esatin, burrin me të cilin tashmë i ka katër fëmijë.
Dashuria, si shumica e vajzave të komunitetit të saj, nuk e di asnjë shkronjë të alfabetit, kurse numrat që tregojnë vlerën e parave, për të janë vetëm disa vija të pakuptimta.
Megjithëkëtë, kjo ashkalike edhe pse kurrë nuk ka shkuar në shkollë, nuk mërzitet aq shumë. Për të mjafton që ka gjetur burrin dhe ka edhe fëmijë.
Në këtë komunitet, martesat e vajzave të reja janë diçka normale dhe të shpeshta, ndonëse ato nga shumë prindër nuk lejohen të dalin as në qytet.
Por nëse pyetet Dashuria, ajo jetën e ka rregulluar ashtu siç është më së miri, ngase e ka burrin që shumica e moshatareve të tjera do ta dëshironin.
Për Dashurien, ky ka qenë synimi kryesor në jetën e saj- të martohet me njeriun që e dashuron. Kjo e re tash e ndjen vetën keq kur pyetet për shkollim dhe mungesën e dijes sa për shkrim dhe lexim.
“Paj, ma mirë me lexu, po edhe si jam martu, nuk është keq”, thotë ajo. Dashuria është pajtuar me faktin se është një vajzë analfabete, ngase thotë se të gjitha vajzat e tjera, duke përfshirë edhe shoqet e saj, e kanë ndërprerë shkollimin.“Jo veç unë, po asnjë çikë nuk ka shku në shkollë”, tregon ajo, që vetëm një herë në jetën e saj e ka parë klasën me sy. Ndryshe, shumica e vajzave të këtij komuniteti, shkojnë vetëm deri në klasën e katërt të shkollës fillore, apo nuk shkollohen fare. Ato nga prindërit e tyre rriten ashtu si munden, ngase janë të destinuara për martesë sapo të arrijnë një moshë pak më të madhe, edhe pse në fakt janë ende të mitura.
Për Dashurien dhe prindërit e saj, më e rëndësishme është që vajza nga mosha 16 vjeç ta gjejë, siç thonë ata “nafakën e vet”. Shumë prej vajzave të komunitetit rom dhe ashkali, e fillojnë shkollimin, por e ndërpresin shumë herët.
Për këtë ndikojnë shumë faktorë, prej të cilëve më i theksuar është ai tradicional, sipas të cilit, femrave nuk iu duhet shkollimi, por vetëm martesa.
Analfabetizmi është ende çështje shqetësuese për shoqërinë. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se ky institucion është duke bërë përpjekje maksimale për çrrënjosjen e këtij fenomeni, i cili është rritur ndjeshëm te komuniteti rom, ashkali, egjiptian, dhe personat me aftësi të kufizuara. Numri i atyre që nuk dinë shkrim-lexim dhe numri i atyre që kanë pasur fatin të jenë për një kohë në bankat shkollore dhe më vonë ta ndërpresin mësimin për shkaqe të ndryshme, është ende shqetësues.
Sipas statistikave të MASHT-it shkalla e analfabetizmit në vend është diku rreth 5.9 për qind, mirëpo sipas tyre, kjo shifër është ndjeshëm më e rritur te komuniteti rom, ashkali, egjiptian dhe personat me aftësi të kufizuara.
Afërdita Jaha, zyrtare për arsim joformal në MASHT, ka thënë se ky institucion është duke bërë përpjekje maksimale për çrrënjosjen e këtij fenomeni përmes programeve të ndryshme për shkrim-lexim.
“Ministria e Arsimit për të rritur shkallën e arsimimit në Kosovë ka bërë shumë. Nga viti 2001, në bashkëpunim me UNICEF-in kemi hartuar programet për shkrim-lexim bazik, ku kemi hartuar kurrikulin dhe kemi botuar katër libra ‘Dritë jete’, libra këto, të cilat u kanë shërbyer kryesisht grave nëpër viset rurale për të mësuar shkrim-lexim dhe aftësi dhe shkathtësi tjera për jetë”, tha Jaha.
Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Shërbimin Gjerman për Zhvillim (GTZ), tashmë kanë nënshkruar një vendim në bazë të cilit thuhet, se të gjithë ata nxënës që kanë braktisur shkollimin që nga viti 1999 kanë të drejtë të kthehen në shkollim dhe ta kryejnë shkollimin e obliguar.
Jaha ka përmendur edhe shkaqet kryesore, të cilat vijnë deri te braktisja e shkollimit, ku sipas saj, janë shkaqet ekonomike, migrimi i shpeshtë fshat-qytet, migrimet e ndryshme jashtë vendit dhe niveli i ulët i arsimit në familje. Ndërkohë ka theksuar se numri më i madh i analfabetëve gjendet në viset rurale dhe diku rreth 3/4 e këtyre analfabetëve i përkasin gjinisë femërore.
Çrrënjosja e analfabetizmit në Kosovë duhet të bëhet sa më parë, si njëri ndër standardet që duhet përmbushur në nivelin e arsimit, për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Analfabetizmi rom dhe ashkali
Ngjashëm me vajzat e komunitetit ashkali, janë edhe vajzat rome, të cilat nga prindërit e tyre janë të përjashtuara nga e drejta për shkollim. Një hulumtim i bërë në Kosovë nga organizata joqeveritare ndërkombëtare “Luledielli Ballkan” jep shifra alarmante për analfabetizmin e këtij komuniteti. Nga 177 vajza të anketuara, ka dalë se 105 prej tyre nuk kanë shkuar kurrë në shkollë kurse prej tyre vetëm 22 kanë arritur nivelin fillestar.