Marnhac: Barrikadat po dëmtojnë njerëzit
Shefi i Misionit EULEX, Xavier de Marnhac së bashku me ambasadorin amerikan Christopher Dell, ka vizituar të hënën portat kufitare 1 dhe 31, përkatësisht atë në Jarinje dhe Bërnjak, me ç’rast u ka bërë thirrje që sa më parë të hiqen barrikadat në pjesën veriore.
Në këtë rast, Marnhac ka përshëndetur punën e pjesëtarëve të EULEX-it dhe forcave të KFOR it për mbështetjen e ofruar për të ruajtur sigurinë.
“Policët dhe doganierët e EULEX-it që punojnë nga afër me ushtarët e KFOR-it, janë këtu për të mbështetur rendin dhe ligjin në këtë pjesë të Kosovës. Unë përshëndes përkushtimin e tyre dhe punën që po e bëjnë në këto rrethana”, ka deklaruar udhëheqësi i EULEX-it, Xavier de Marnhac.
Ai ka kërkuar heqjen sa më të shpejtë të barrikadave dhe ka nënvizuar se kjo situatë “dëmton njerëzit”.
“Kjo dëmton njerëzit. Ne kemi bërë këtë veprim për të përmirësuar qarkullimin. Unë mendoj se çdo hap që po sjell pengesa është vetëm kundër popullatës”, ka thënë ai.
Sipas shefit të EULEX-it, të dy vendkalimet kufitare në veri tashmë teknikisht janë gati për t’u vënë plotësisht në funksion, mirëpo barrikadat e vendosura në rrugët drejtë tyre po pengojnë zhbllokimin e tyre.
“Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu BE-në dhe NATO-n janë duke mbështetur përpjekjet për marrëdhënie normale tregtare dhe për heqjen e embargos në sektorin e tregtisë”, citohet të ketë thënë Marnhac në një komunikatë të lëshuar nga EULEX-i.