Rikthimi i heshtur
Në një faqe kodrinore me shtëpi të reja, numri i të cilave shtohet përditë, është lagja Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës. Hapësira 13 arësh prej së cilës qyteti i Mitrovicës shihet si në shuplakë, është prona e Halil Mehmetit, baba i shtatë fëmijëve, i cili mbi themelet e vjetra ka ndërtuar shtëpinë e re.
"Me ta falë krejt botën, sikur n´shpi tane nuk je i lirë kurrkund. Send i huaj, mo. Nesër vjen e t´qet n’rrugë!”, thotë Mehmeti, në shtëpinë e të cilit pas dhjetë vjetësh jete si qiraxhi, oxhaku tymon sërish. “Por, kjo ndodhi pas sfidave dhjetëvjeçare”, thotë Mehmeti, në të djathtë të shtëpisë së të cilit një ndërtesë kolektive serbe është ndërtuar mbi themelet e shtëpisë së fqinjit të tij shqiptar.
“Kena jetu me qira kah kena mujtë, nëpër krejt Kosovën. Dhjetë vjet kahmos, nëpër podrume, nëpër shatora, çka kena hjekë, Allahu baftë me rahmet. Veç ktu e knena ishalla bahet mirë!”, lutet Mehmeti. Për shkak të kundërshtimeve të kthimit të shqiptarëve në Veri nga ana e serbëve lokalë, procesi i rindërtimit në Kroin e Vitakut që nga fillimi është përcjellë me incidente.
Rindërtimi vazhdoi nën prezencën e autoriteteve të shtuara të rendit, përderisa reaguan edhe institucione ndërkombëtare. Deri para dy-tri vitesh, nuk u bë ndonjë hap për rikthimin e shqiptarëve në Veri. Megjithëse me hapa të ngadalshëm, procesi i rindërtimit dhe kthimi tashmë po vazhdon dhe Komuna e mbështetur nga Qeveria ka rindërtuar 100 shtëpi. “Ndërtimet janë bërë në Lagjen e Boshnjakëve, në Kodrën e Minatorëve, në Kroin e Vitakut dhe në Lagjen e Doktorëve, në të cilën pas dhjetë vjet qëndrimi e boshatisur, janë kthyer gjashtë familje”, thotë Ahmet Jashari, zëdhënës i Komunës së Mitrovicës.
“E tillë ka qenë edhe lagjja Kroi i Vitakut. Madje në këtë lagje tensionet kanë qenë shumë të larta, meqenëse serbët që jetojnë në atë pjesë të qytetit i kanë rezistuar kthimit të banorëve shqiptarë në atë pjesë, edhe pse ata i kanë pasur trojet e veta”, thotë ai. Megjithëse për Mitrovicën, me procesin e regjistrimit në Jug dhe me bojkotin e tij në Veri, është vështirë të flitet me shifra, sipas Komunës së Mitrovicës, aktualisht në Veri jetojnë 2 mijë shqiptarë, përderisa të zhvendosur vazhdojnë të jenë mbi 10 mijë të tjerë. Të zhvendosurit shqiptarë jetojnë me qira apo nëpër katër strehimoret e qytetit. Përderisa dëshira për kthim mbetet gjithnjë aty.
“Ilustrimi më i mirë i këtij vullneti dhe këmbënguljeje është gatishmëria e tyre që nëse u jepet mundësia të jetojnë edhe në kontejnerë, meqë aty i kanë pronat, aty i kanë themelet e shtëpive dhe ata nuk ndjehen askund më mirë se aty. Ne kemi edhe shumë të zhvendosur nëpër strehimore kolektive në Mitrovicë, pjesa më e madhe prej të cilëve janë nga Veriu”, thotë Jashari, i cili shton se asfaltimi i rrugës, projekti i ujësjellësit dhe kanalizimit, janë përpjekje të Komunës për krijimin e kushteve te jetës për banorët e vet, pa dallim. Valoni 20-vjeçar, i cili sapo u kthye nga shkolla me biçikletën e tij, megjithëse është i kënaqur me investimet në këtë pjesë, do të dëshironte pak më shumë.
“Kisha dëshiru që infrastruktura të rregullohet edhe më shumë, të ndërtohen shtëpitë, të kthehen njerëzit në pronat e veta dhe të hapen më shumë vende pune. Siguria nuk është e mjaftueshme, por ndërkohë nuk kemi probleme. Ka provokime të kohëpaskohshme e të llojllojshme nga serbët, me fjalë e ofendime në gjuhën e tyre, por thjesht ne nuk kemi ra n´provokime”, thotë ai. Dhe kështu, jeta te Kroi i Vitakut po ringjallet përditë.
Zërat e fëmijëve edhe në këtë vapë mesdite e mbushin lagjen gjallëri. Përderisa, normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike në lagje në krahasim me të kaluarën, tregon se populli gjithmonë gjen mënyra bashkëjetese përderisa politika qëndron larg tij.
(Marrë me shkurtime nga seksioni shqip i radios gjermane Deutsche Welle. Titulli është i gazetës Express).