Analistët: Retorika e Nikoliçit mund të dëmtojë marrëdhëniet rajonale në Ballkan
Presidenti serb Tomisllav Nikoliç shqetëson disa faktorë rajonalë me vlerësimin e tij se "Bosnja po zhduket ngadalë”
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç mund të shkaktojë "dëm të pariparueshëm" në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës (BiH) nga analiza e tij se BiH nuk funksionon si një shtet dhe po "zhduket ngadalë përpara syve tanë", tha kryetari i presidencës së BiH Bakir Izetbegoviç. Ai tha se thëniet e Nikoliç shkaktojnë "dëm të riparueshëm në marrëdhëniet midis Bosnjes dhe Serbisëdhe në normalizimin e procesit që nisi në rajon". Nikoliç, duke folur për marrëdhëniet e Republika Srpska dhe BiH në TV maqedonas Sitel, tha se BiH nuk funksionon si një shtet dhe po "zhduket ngadalë në sytë tanë". Azra Haxhiahmetoviç, nënpresident i Partisë për BiH, tha se kjo nuk është një mënyrë sesi një udhëheqës duhet të shprehë qëndrimin dhe mendimin e tij ndaj vendeve fqinjë në qoftë se ai do paqe dhe stabilitet në rajon. "Në qoftë se Nikoliç mendonte të thoshte diçka të mirë dhe të dobishme, atëherë ai duhet ta thoshte atë ndryshe. Në këtë mënyrë, gjithkush ka një përshtypje se ai do të shkaktojë tension dhe stres që nuk është mirë për asnjërin," i tha Haxhiahmetoviç SETimes. Nikoliç ndërkohë iu kundërpërgjigj kritikëve. "Megjithëse Serbia është angazhuar të rivendosë stabilitetin në Evropën Juglindore, disa politikanë në rajon mendojnë se mund ta bëjnë veten e tyre më të rëndësishëm në sytë e Perëndimit duke i hequr fjalët e mia nga konteksti dhe me falsifikime të vrazhda përpiqen të krijojnë një imazh të keq të politikës që ka Serbia. Shembulli më i fundit për këtë është letra e Bakir Izetbegoviç. Serbia ka bërë shumë për të rivendosur stabilitetin në këtë pjesë të Evropës dhe politika e saj në këtë çështje nuk do të ndryshojë," tha Nikoliç në një deklaratë. Zyrtarët në Republika Srpska (RS) akuzuan Izetbegoviç se flet për popullin serb në BiH. "Izetbegoviç nuk është përfaqësues i RS-së dhe nuk ka të drejtë të flasë në emër të shtetasve të saj veçanërisht kur duket se ai ka ndërmend të keqësojë marrëdhëniet me Serbinë dhe zyrtarët e saj të lartë," tha presidenti i RS Milorad Dodik. Nikoliç ka qenë kritikuar për deklarata që kur mori funksionin më parë këtë vit. Ai ka mohuar dy herë se vrasja e 8,000 civilëve në Srebrenicë në 1995 ishte një veprim genocidi, ndonëse ato u deklaruan të tilla nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB. Ai ka tërhequr gjithashtu zemërim kur iu referua Vukovarit, një qyteti në Kroaci, si një "qytet serb". "Ai ka prishur marrëdhëniet në rajon që kur mori funksionin si president," tha Sonja Biserko, drejtore e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Por disa, si Asim Mujkiç, një profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, tha se reagimi ndaj Nikoliçit është i fryrë. "Unë mendoj se gjithkush duhet të qetësojë pasionet dhe se krerët e shteteve duhet të ulen në tryezë dhe të bisedojnë për të arritur marrëveshje dhe mirëkuptim," tha ai. Qeveria e Nikoliçit tha në një deklaratë se komenti nuk duhet të interpretohet si asgjë tjetër përveç se "shqetësim lidhur me funksionimin e dobët të institucioneve në BiH, që është opinioni i njëzëshëm i të gjithë komunitetit ndërkombëtar". Dushan Janjiç, i Institutit të Shkencave Sociale të Beogradit, tha se megjithëse komentet e Nikoliç nuk janë një njoftim se Serbia dëshiron të ri-vizatojë kufijtë në Ballka, ato shkaktojnë shqetësim. "Brukseli është shumë i shqetësuar rreth disa deklaratave të Nikoliç dhe kryeministrit serb Daçiç," tha Janjiç.