E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria shqiptare e angazhuar të përmbushë çdo detyrim për realizimin e projektit TAP”

08-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha pret ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Azerbajxhanit, Shahin Mustafayev

Kryeministri Berisha priti në një takim ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Azerbajxhanit, zotin Shahin Mustafayev. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë do të shërbejë në thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike, si dhe në nxitjen e investimeve të ndërsjella. Në këtë kontekst, kreu i Ekzekutivit theksoi se është e rëndësishme që të dy vendet të punojnë për zhvillimin e një kornize ligjore me qëllim thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimit. “Mënyra më e mirë e intensifikimit të marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, u shpreh Kryeministri, është të ndërtojmë marrëdhëniet ekonomike”.
Më pas kryeministri Berisha e njohu ministrin Mustafayev me potencialet e mëdha që zotëron Shqipëria në fushën e naftës dhe gazit. Më tej, Kryeministri Berisha u ndal në projektin e gazsjellësit Trans - Adriatik (TAP), duke cilësuar atë si një projekt tejet të rëndësishëm, theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar të përmbushë çdo detyrim të saj në drejtim të realizimit të këtij projekti. Gjithashtu, kreu i Ekzekutivit Berisha e njohu ministrin Mustafayev me mundësitë që ofron Shqipëria në fusha të ndryshme si, turizëm, energji, agrikulturë, infrastrukturë, etj.
Kryeministri ftoi investitorët azerbajxhanas të investojnë në këto fusha me interes, si dhe e siguroi zotin Mustafayev se qeveria do t’i mbështesë ata që këto investime të jenë të suksesshme. Kryeministri Berisha vlerësoi politikat dhe reformat e ndërmarra nga Azerbajxhani, kryesisht në fushën ekonomike. 
Nga ana e tij, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Azerbajxhanit, zotin Shahin Mustafayev, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe i përcolli atij urimet më të përzemërta të Presidentit dhe Kryeministrit të Azerbajxhanit për 100 vjetorin e pavarësisë. Ministri Mustafayev u shpreh për rëndësinë e zhvillimit të vizitave bilaterale ndërmjet dy vendeve, të cilat, sipas tij, shërbejnë për një bashkëpunim më të mirë në ardhmen.
Ndër të tjera ministri i Zhvillimit Ekonomik të Azerbajxhanit i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për reformat e ndërmarra në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe zhvillimin infrastrukturor të saj. Ministri Mustafayev theksoi rëndësinë e krijimit të një kornize ligjore në mbështetje të biznesit midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Gjithashtu, ai u shpreh se pozicioni gjeografik i Shqipërisë është i një rëndësie shumë të madhe për Azerbajxhanin. Ministri Mustafayev theksoi se për Azerbajxhanin është me interes nxitja e investimeve të ndërsjella dhe krijimi i kushteve sa më të favorshme për kompanitë shqiptare që të investojnë në Azerbajxhan.
Më herët ministri për Zhvillimin Ekonomik të Azerbajxhanit, Shahin Mustafayev u prit nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto. Një ndër temat kryesore të diskutimit mes tyre ishte projekti i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline, ku të dy bashkëbiseduesit u shprehën në mbështetje të tij.
Kreu i ekonomisë shqiptare tha gjatë takimit se Shqipëria mbetet e hapur të mirëpresë investitorët nga Azerbajxhani, që kanë një ekspertizë ne fushën e gazifikimit.
“Tregu i gazit në vendin tonë ka potenciale të mëdha dhe kompanitë azere janë të mirëpritura në Shqipëri”, është shprehur Haxhinasto.
Ministri për Zhvillimin Ekonomik të Azerbajxhanit, Mustafajev theksoi gjatë takimit se Azerbajxhani e sheh Shqipërinë si një vend që paraqet shumë mundësi për të investuar dhe shprehu interes për investime në fusha si, energjetika, infrastruktura, bujqësia e tregtia. Gjithashtu në takim u ra dakord që qeveritë e të dy vendeve të punojnë për plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor të bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›