Analistët: Rumania duhet të largohet nga populizmi
E vendosur vetëm gjysmë viti përpara zgjedhjeve, qeveria e re e koalicionit në Rumani duhet të shmangë tundimin e masave populiste mes një ekonomie ende të brishtë, thonë ekspertët
Qeveria e re rumune, e kryesuar nga Viktor Ponta i Partisë Social-Demokrate, ka bërë përparësi kryesore të rendit të saj të ditës përmbysjen e masave shtrënguese të mara nga qeveritë e mëparshme të qendrës së djathtë mes vështirësive ekonomike. Por analistët paralajmërojnë se ekzekutivi i ri duhet të mbajë një marrëveshje paraprake prej 5 miliardë euro me FMN e Komisionin Evropian, duke shmangur masat që rrezikojnë të fryjnë deficitin e buxhetit. "Kjo qeveri nuk mund t’ia dalë të bëjë veprime të gabuara," tha për SETimes Aurelian Doçia, një analist në Qendrën Rumune për Politikat Ekonomike. "Marrëveshja kornizë me FMN është thelbësore e duhet zbatuar. Do të ishte një gabim nga ana e qeverisë së re që të miratonte masa populiste, meqë koalicioni trepalësh që formon qeverinë e tij ka shanse të larta që të fitojë zgjedhjet në nëntor e pastaj të detyrohet të vjelë rezultatet e veprimeve të tilla të nxituara". Qeveria e Pontas njoftoi se do të rrisë pagat e punonjësve të shtetit, të ulura me 25% më 2010, me 8% deri në qershor e pastaj me 8% të tjera në dhjetor. "Kemi identifikuar burime shtesë, kështu që mund të rrisim deficitin e buxhetit, në mënyrë që të mund të mbajmë premtimet tona lidhur me pagat e pensionet," tha fundjavën e kaluar në fund të një takimi me delegacionin e FMN-së, Florin Gjeorgjesku, ministri i ri i financave. Kreu i delegacionit të FMN-së Xhefri Franks, tha të mërkurën (9 maj) se pagat e punonjësve të shtetit mund të silleshin në nivelin e mesit të 2010-ës vetëm deri vitin e ardhshëm. "Joshja është e madh. Populizmi ka qenë një notë mbizotëruese gjatë fushatave zgjedhore në Rumani," tha Raluka Aleksandresku, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Bukureshtit. "Por kjo qeveri ka një buxhet të brishtë për të administruar; prandaj duhet të largohet nga ndonjë dhurate zgjedhore". Por përfaqësuesit e Partisë Social-Demokrate (PSD), partia kryesore e koalicionit qeverisës me tre parti me prirje të majta tani në pushtet, thonë se kthimi i pagave në nivelin përpara masave shtrënguese është një detyrim moral për qeverinë e re. "E kemi thënë kurdoherë atë: masat shtrënguese nuk mund të zgjasin më shumë se një vit," tha Konstantin Nita, zevendës/npresidenti i PSD. "Prandaj, nuk mund t’i kërkojmë popullsisë të sakrifikojë përherë. Kështu që pas masave masave shtrënguese, e majta ka ardhur tani që të zbatojë masa për të nxitur rritjen ekonomike e për të ndrequr pabarazinë shoqërore". Ngritja e koalicionit social-demokrat në Rumani zor se do të vihet në prirjen evropiane të partive majtiste që kanë marë përsipër vendet e goditura ekonomikisht, theksojnë dy analistët. "Nuk janë masat shtrënguese që shpunë në rënien e qeverisë së mëparshme, por më tepër një opozitë buçitëse e një rikonfigurim i forcave politike në parlamentin rumun," tha Aleksandresku. "Le të kemi parasysh se qeveria e Ungureanut nuk ra si pasojë e një procesi zgjedhor, kështu që vetëm zgjedhjet e ardhshme në nëntor mund të tregojnë se cili është vullneti i vërtetë i popullit". "Nuk mendoj se e majta është e aftë të vijë me përgjigje të ndryshme ndaj krizës ekonomike," tha Doçia. "E majta nuk është një alternativë tani për shoqërinë rumune thjesht sepse këtu e majta dhe e djathta kurdoherë kanë marrë radhën në qeverisje dhe dallimet mes të dyjave në fakt janë zbehur kohët e fundit". Nga ana tjetër, punonjësit publikë po shohin me dyshim përparësitë e qeverisë së re. "Natyrisht, një rritje e pagave është lajm i mirë për mua. Por dëshiroj të jem i sigurtë se ky është një vendim afat-gjatë," tha Andrei Stroe, një llogaritar financiar i administratës publike, 37 vjeç. "Meqë rreziku i shkarjes pas në recesion është ende aty, nuk dëshiroj që një qeveri e re në fund të këtij viti, pas zgjedhjeve, të përkulet ndaj sektorit publik përsëri për të ndrequr një deficit publik të mbifryrë",