E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna e të majtës synon shkatërrimin e demokracisë dhe të lirisë

11-05-2012 / Nga Ilirian Dahri

Një armë e fabrikuar në Europën lindore. Tokarev e kalibrit 7,62. Viktima quhet Roberto Adinolfi, 59 vjeç me profesion administrator i italianes Ansaldos. Atentati ka ndodhur në rrugën Montela, në lagjen Marasi të Xhenovës ku banon menaxheri i grupit, Ansaldo Energjia, në pronësi të Finmekanikës. Një person e priste afër shtëpisë së tij, ndërsa një tjetër pak më larg e priste me një motor me të cilin u larguan pasi kryen atentatin. Që të dy e kishin fytyrën të mbuluar me kaskën e motorit. Roberto po dilte nga shtëpia për të vajtur në punë, aty rreth orës 08:30, pastaj motoçiklisti terrorist i afrohet duke e qëlluar jo për ta vrarë por sipas stilit të terroristëve të majtë e qëlloi tre herë në këmbë me një pistoletë gjysmë automatike, duke e plagosur në këmbën e djathtë poshtë gjurit. E para që ka ndërhyrë ka qenë gruaja e tij që ka dëgjuar krismat dhe pastaj ka lajmëruar ambulancën. Transportohet shpejt për në spital ku operohet në repartin e traumatologjisë të San Martinos. Sipas mjekëve gjendja nuk është kritike për shëndetin e tij dhe do ta marrë veten shpejt. Është qëlluar në qytetin e Xhenovës, pak larg hekurudhës Xhenova –Kasela. Flitet se po punohet në  pistën eversive. Sidoqoftë karabinierët e kanë  përqëndruar punën e tyre në ambientet e ultra të majtëve. Vetëm disa ditë më parë në internet qarkullonin deklarata nga shumë grupe të majta të cilët arrinin deri aty sa që shkruanin: “Duhet të kalojmë në një fazë që parashikon aksionin e armatosur”. Pikërisht atë ditë do të kryheshin edhe zgjedhjet për këshillin e administratës të Ansaldos. Natyrisht po punohet edhe me pistën anarkike. Në të njëjtën kohë flitet se ai që ka qëlluar Roberto Adinolfin nuk donte ta vriste por vetëm ta plagoste dhe se viktima nuk ishte në gjendje të ofronte elementë të nevojshëm për identifikimin e dy terroristëve dhe shoqëruesin e tij. Kishin kaska dhe nuk kanë folur fare gjatë aksionit të tyre. Sidoqoftë po merren në pyetje edhe shumë njerëz të tjerë për këtë rast. Sipas karabinierëve por sidomos nga njerëzit e njësive të antiterrorizmit “ishin dy persona, me një motor që kujtojnë krimet e organizatave të ndryshme të majta. Nëse do të përcaktohet qartë do të thuhet padyshim se flitet për një atentat terrorist. Ndërkaq viktima, Adinolfi është i martuar dhe ka tre djem të cilët kanë vajtur menjëherë në spital për ta pare atë. I diplomuar në vitin 1976, për Inxhinieri bërthamore në Politekniken e Milanos dhe ka filluar punë tek Ansaldo në vitin 1975, duke kaluar një periudhë të gjatë kohe tek Ansaldo (me rreth 250) punonjës dhe është administrator i deleguar që prej viti 2007. Ndërkaq bota e politikës italiane është e shqetësuar. “Janë gjëra që nuk komentohen” - ka thënë ministrja e Punës, Elsa Fornero gjatë një takimi që po zhvillohej në Torino. “Nëse atentati do të lidhej me kontraste të origjinës politike apo sociale do të ishte një akt shumë i rëndë, i padëgjuar tashmë prej më shumë vjetësh, simptomë e një klime tejet komplekse dhe e një situate të vështirë për botën industriale”. Sidoqoftë tek grupi Ansaldo shprehen se kjo nuk do të influencojë aspak tek puna e tyre. “Kam qenë në spital për solidaritet, shpresoj që të shërohet sa më shpejt”- është shprehur një prej drejtuesve të Ansaldos. Plagosja e Adinolfit “është një sinjal shqetësues dhe shpjegon një rritje të tensionit dhe të dhunës” ka thënë Pier Luixhi Bersani, që mbështet Ansaldon. “Të zbardhet ngjarja dhe të mos lëvizë demokracia” - ka shtuar më tej. Edhe presidenti i të majtës Niki Vendola ka shprehur  “shqetësim” për situatën. “Shpresoj mos të kthehen kohët e errëta” përfundon ai. Ndërkaq pikërisht këto ditë janë zhvilluar në Napoli homazhe për viktimat e terrorizmit dhe për njerëzit e angazhuar në luftën kundër tij. Dhe ish-prokurori i Avelinos Antonio Galjardi, viktimë e një atentati, në fillim të vitit 1980, kujton: “Në makthet e mia gjatë natës kthehet flaka e plumbave që shpërthyen kundër makinës time, brenda makinës ishin ndërkaq qindra plumba, unë u qëllova nga shtatë të tillë dhe ndihem me të vërtetë me fat”. Ish-prokurori Galjardi flet për një rikthim të terrorizmit, duke e lidhur këtë pikërisht me atentatin e Roberto Adinolfit. “Rreziku i terrorizmit është konkret dhe real”. “Një rrezik i madh po të shohim se tani po copëtohet ajo shoqëri që asokohe, ishte e bashkur me partitë dhe organizatat e sindikatave e cila dëshmoi bashkim kundër terrorizmit”. Prefekti Andrea De Martino ka nënvizuar se sakrificat e viktimave të terrorizmit janë si një shembull për të rinjtë. “Vlerat e demokracisë dhe të lirisë duhen pasuruar. Shembulli i atyre që kanë dhënë jetën duhet t’u shërbejë të rinjve në mënyrë që të kuptojnë vlerat e aksioneve të tyre”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›