SHBA-të e kanë kthyer luftën kundër terrorit në luftë pa fund
Çfarë do të keni menduar lidhur me fjalimin e kohëve të fundit të Presidentit Obama në Afganistan, tanimë po bëhet gjithnjë e më e qartë që Shtetet e Bashkuara gradualisht po i japin fund angazhimit masiv ushtarak në dy luftërat e dekadës së fundit. Ne jemi larguar nga Iraku dhe së shpejti do të largohemi pothuajse plotësisht nga Afganistani. Osama bin Laden është i vdekur dhe Al-Kaeda është një hije e asaj që ka qenë më parë. Kërcënimet mbesin, por ata po përballohen me ndihmën e forcave speciale dhe të inteligjencës. Kështu që, më në fund pas një dekade, ne duket se po e përballojmë më me pak kosto kërcënimin që vjen nga grupet terroriste. Apo ne? Teksa do të lëmë fushëbetejat e Lindjes së Mesme, ne do të angazhohemi në mënyrë më të vendosur në luftën kundër terrorit brenda kufijve. Çfarë dua të them me këtë? Mirë, shikoni shtimin e burokracive federale në trajtimin e kësaj lufte. Që prej 11 shtatorit të vitit 2001, qeveria amerikane ka krijuar apo rikonfiguruar të paktën 263 organizata për trajtimin e disa prej aspekteve të luftës kundër terrorit. 33 komplekse të reja janë ndërtuar vetëm për burokracinë e inteligjencës, duke zaptuar 5 181 600 milion metër katror - sipërfaqe kjo e barabartë me 22 Kapitole amerikane apo me tre Pentagone. Burokracia më e madhe pas Pentagonit dhe Departamentit të Çështjeve të Veteranëve tanimë është Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili ka një fuqi punëtore prej 230 mijë personash. Rritja e kësaj gjendjeje të sigurisë kombëtare ka shkaktuar zgjerimin e pushtetit të qeverisë që tanimë prek çdo aspekt të jetës amerikane, madje edhe ato aspekte që në pamje të parë s’kanë lidhje me terrorizmin. P.sh. rreth 30 mijë persona janë punësuar posaçërisht për dëgjimin e bisedave telefonike dhe komunikimet e tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të kaluarën qeveria amerikane ka marrë autoritet të jashtëzakonshëm për luftëra dhe ngandonjëherë ka abuzuar me këtë pushtet, sidoqoftë gjithmonë është çmobilizuar pas lufte. Por kjo, sigurisht është një luftë pa fund. Kështu, ne vazhdojmë në qëndrojmë në radhë absurde në aeroporte. Vazhdojmë të refuzojmë aplikimet për viza të qindra mijëra turistëve, biznesmenëve, artistëve dhe performuesve të cilët thjeshtë duan të vizitojnë Amerikën, të shpenzojnë para atje dhe të bëhen ambasadorë të vullnetit të mirë për këtë vend. Ne madje vazhdojmë t’i trajtojmë si armiq edhe ata vizitorë të cilët mbërrijnë në vend me viza - duke i kontrolluar, hetuar dhe dëbuar me dashje. Vazhdojmë të vendosim procedura dhe rregulla të reja për të monitoruar gjithçka që hyn dhe del nga vendi, duke e bërë biznes-bërjen në Amerikë më pak tërheqëse dhe më të rënduar se në shumicën e vendeve Perëndimore. Ne nuk ngjajmë me njerëzit që kanë fituar një luftë. Ne dukemi si humbës të frikësuar dhe të trembur.
...