E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analistët në Kosovë: Jahjaga pa legjitimitet

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mund të qëndrojë në postin e presidentit me një mandat 5 vjeçar por ajo asnjë moment nuk përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk ka legjitimitet. Analistët politikë në Kosovë thonë se ish-policja që në krye të shtetit ka ardhur duke dalë nga zari i ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, do të duhej ta respektonte marrëveshjen politike mes liderëve Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli, në të kundërtën, ajo përherë do të cilësohet si person që ka tradhtuar klasën politike në vend.
Në këtë formë sipas tyre, ajo do ta shkelë Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila në vete përmban marrëveshjen e tre liderëve, dhe gjithashtu do të veprojë kundër fjalimit të saj të parë para ligjvënësve kosovarë, ku Jahjaga ka deklaruar se do ta respektojë marrëveshjen e treshes politike.
Vetëm një ditë pasi që Gjykata Kushtetuese e ka dhënë lajmin se Jahjaga ka mandat të plotë, përkatësisht deri në vitin 2016, analistët politikë dhe pjesëtarët e shoqërisë civile thonë se Jahjaga, megjithatë duhet ta ketë parasysh formën se si është zgjedhur, si ka ardhur në pozitën që e ka, dhe obligimin që e ka në raport me mandatin e saj.
Por ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, në një intervistë për Zërin e Amerikës, bëri thirrje për respektimin e opinionit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e presidentes. Ai tha se, marrëveshjet politike nuk ngrihen mbi kushtetutën e një vendi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›