Analiza vjetore Tiranë, 1100 të arrestuar në 300 ditë
Autori i Lajmit: Ornela ManjaniKrimi në qytetin e Tiranës vjen i importuar nga rrethinat, lagjet periferike apo edhe qytetet e tjera të vendit. Komisariatet policore 1, 2 dhe 3 që kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit të Tiranës kanë edhe përqindjen më të lartë të krimeve të ndodhura për vitin 2009. Për të ulur kriminalitetin në këto zona, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në analizën vjetore tha se do të shtojë forca policore në këto komisariate.
“Në qarkun e Tiranës janë evidentuar 4828 vepra penale dhe janë zbuluar 82 për qind e tyre”,- tha Vocaj. Kapja dhe arrestimi i 7 hajdutëve më të rrezikshëm përpara dhjetë ditësh, mbetet operacioni më i suksesshëm i këtij viti për Tiranën. Krimi ndaj pronës dhe krimi në familje kanë pasur rritje në krahasim me një vit më parë në kryeqytet. Shifrat janë bërë publike në analizën vjetore të policisë ku merrte pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Analiza
Lufta kundër krimit të organizuar, por edhe në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, e në mënyrë të veçantë, të krimeve ndaj pronës kanë qenë objektivat kryesorë të policisë së kryeqytetit për këtë vit. Kështu ndër prioritetet absolute të Policisë së Tiranës është zhvillimi dhe konsolidimi i Patrullës së Përgjithshme të Policisë. Gjatë periudhës janar-nëntor 2009 në qarkun e Tiranës janë evidentuar 4828 vepra penale dhe u zbuluan 3941 prej tyre 82 për qind e veprave penale të evidentuara në shkallë qarku dhe në sajë të masave të marra u arrestuan 1100 dhe u ndoqën në gjendje të lirë 2713 persona.
Krimi i organizuar
Gjatë këtij viti, Sektori Kundër Krimit të Organizuar ka evidencuar 260 vepra penale, ku janë implikuar dhe proceduar penalisht 307 autorë, nga të cilët 137 janë arrestuar në flagrancë, 161 ndiqen në gjendje të lirë. Ndërkohë në sektorin e krimit ekonomik, gjatë kësaj periudhe, janë evidencuar gjithsej 610 vepra penale, prej të cilave janë proceduar penalisht 854 autorë, nga të cilët 172 janë arrestuar në flagrancë dhe 682 janë ndjekur në gjendje të lirë. Krahasuar me vitin 2008 janë evidentuar 84 vepra penale më shumë si dhe ka një rritje të operacioneve policore si në numër ashtu edhe në cilësi.
Korrupsioni
Policia e Tiranës ka vënë në pranga 56 persona të korruptuar në 360 ditë. Për vepra penale, në fushën kundër korrupsionit, janë proceduar 284 autorë. Ndërsa vepra penale të krimit ekonomik-financiar, janë evidentuar 442, me 512 autorë, nga të cilët 97 janë arrestuar në flagrancë dhe 415 proceduar në gjendje të lirë.
Operacionet
Janë realizuar me sukses 12 operacione policore. Gjithçka ka nisur operacioni "Parfumi pa aromë”, “Bizhuteritë false”, “Konjaku i lirë”. Më pas operacioni i koduar “Modem”, ku u ekzekutuan vendimet e gjykatës për 16 shtetas. Gjatë kontrolleve të banesave të anëtarëve të kësaj organizate, u gjetën kompjutera, servera, aparate dixhitale, karta plastike me cip për dekodifikimin e sinjalit etj sende. Operacioni ”Dollari fals”, “Rent”, “Ora e vonë”,” Black Market” ku u bë arrestimi i 18 shtetasve për ushtrim të palicencuar të veprimtarisë financiare, dhe së fundi operacioni “Piramida”, i cili u finalizua me sukses me kapjen e 25 personave, për “falsifikim dhe qarkullim të kartëmonedhave”.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009