Energjia, gati drafti për të kompensuar buxhetorët
Autori i Lajmit: RedaksiaMinistria e Financave bën me dije se po bën gati draftin për kompensimin e energjisë elektrike për kategorinë e buxhetorëve, të cilët marrin paga nën 35 mijë lekë.
Drafti
Burime zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë bëjnë të ditur se po përgatitet një draft i ri për kategoritë që do të subvencionohen për çmimin e energjisë, i cili do të dërgohet shumë shpejt në qeveri për miratim. Në të do të përfshihen edhe punonjësit e administratës buxhetore që kanë paga të ulëta, nën 350 mijë lekë. Numri i përfituesve dhe shuma e detajuar do të bëhen publike gjatë mbledhjes së radhës të qeverisë. Aktualisht, sipas Ministrisë së Ekonomisë nga vendimi i kompensimit përfitojnë pensionistët dhe ata që marrin ndihmë ekonomike, por edhe punonjësit e administratës publike dhe të gjithë buxhetorët që kanë një rrogë më të ulët se 35 mijë lekë. Sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në buxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar rreth 2 miliardë lekë në fondin e kontigjencës. Ky fond do të përdoret pikërisht për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë, për familjet në nevojë, pas vendimit të marrë nga Enti Rregullator i Energjisë për shtrenjtim deri në 13 për qind të tarifave. OSSH-ja kërkoi rritje deri në 23 për qind për vitin 2010. Deri tani nga subvencionim për rritjen e çmimit të energjisë kanë përgatitur 270 mijë persona, të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike. Por përfshirja edhe e buxhetorëve, pritet ta rrisë numrin me rreth 10 mijë të tjerë.
Rritja e çmimit të energjisë
Duket se rritja do të godasë fort konsumatorin familjar, kategoritë e atyre që konsumojnë deri në 300 kilovat. Aktualisht çmimi është 7 lekë për ata që konsumojnë 300 kv dhe 12 lekë për ata që e kalojnë këtë kufi. Pas aplikimit të çmimit të ri, sipas OSSH-së, konsumatori familjar do ta paguajnë energjinë me 9.15 lekë kilovatin. Propozimi është bërë dje gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar nga Enti Rregullator i Energjisë, ku drejtuesit e CEZ e kanë argumentuar kërkesën për rritjen e çmimit me nivelin e lartë të humbjeve, borxhet e shumta që ka OSSH, si dhe gjendjen e vështirë financiare të kompanisë. Sipas tyre, CEZ duhet që brenda vitit 2010 të ketë 44.5 miliardë lekë të ardhura në arkë, gjë që është e pamundur. Për këtë, nevojitet rritja në masën 44.2% e çmimit të energjisë. Pritet që Enti Rregullator i Energjisë të marrë një vendim brenda datës 17 dhjetor.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009