AH1N1, vaksina pa rrezik, përjashtohen alergjikët nga veza
Autori i Lajmit: RedaksiaInstituti i Shëndetit Publik i bën apel qytetarëve që janë caktuar në listën e personave më të rriskuar nga gripi i derrit ta aplikojnë vaksinën e re dhe të mos kenë frikë për sigurinë e saj. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli ka garantuar popullatën se 10 mijë dozat e vaksinës janë testuar nga një agjenci evropiane dhe efektet anësore të saj janë të papërfillshme.
Përjashtimet
Por nga vaksinimi përjashtohen personat alergjikë nga veza dhe fëmijët nën 0 vjeç. “Jemi duke bërë ftesë qytetarëve përmes medias të aplikojnë vaksinën pasi ajo është testuar me sukses dhe nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin e popullatës. E theksojmë se në vaksinim do të përfshihen fëmijët mbi 1 vjeç, të sëmurët kronikë dhe mjekët që janë direkt në kontakt me gripin e derrit. Përjashtohen personat alergjikë nga veza dhe ata që tashmë janë të prekur nga gripi”, u shpreh Ylli.
Ruajtja e vaksinave
Dozat e para të vaksinave janë shpërndarë pasditen e djeshme në poliklinika dhe sot do të nisë vaksinimi në gjithë vendin. Drejtori i ISHP ka dhënë garanci dhe për ruajtjen e vaksinave në kushtet e kërkuara. “Sistemi ynë i vaksinimit ka një traditë të mirë përsa i takon ruajtjes së vaksinave, pra zinxhiri ftohës funksionon më së miri. Vaksina është shumë komode përsa i takon përdorimit, pasi është një dozëshe dhe ka ardhur e shoqëruar me shiringën përkatëse”, theksoi Ylli.
Grupet e riskut
Sipas ISHP, pas mbylljes së fazës së parë të vaksinimit do të procedohet me grupet e tjera të riskut ku është përllogaritur të jenë rreth 210 mijë persona të tjerë. Porosia e blerjes së dozave për ta është mbyllur dhe sasitë e tjera të vaksinës pritet të vijnë pas vitit të ri. Vaksinat u blenë nga një kompani hungareze. Deri tani në gjithë vendin numri i të prekurve nga virusi i gripit të derrit është mbi 350 persona ndërsa janë konfirmuar zyrtarisht 6 vdekje, rasti më i fundit një 51-vjeçare nga Kukësi e cila ndërroi jetë në spitalin infektiv në Tiranë.
Ylli: Kujdes alergjiket!
Personat që kanë alergji nga veza nuk do të aplikojnë vaksinën kundër virusit AH1N1. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli deklaroi dje se do të tregohet kujdes me personat që janë përcaktuar për ta kryer këtë vaksinë pasi efektet anësore të momentit janë të paevitueshme. Megjithatë është në dëshirën e secilit nëse do ta injektojë këtë vaksinë. Vaksina është 0.5 miligramëshe dhe organizmi i pacientit që e injekton atë fiton imunitet brenda 8 ditëve. Sipas Yllit të gjitha qendrat shëndetësore ku do të aplikohet kjo vaksinë do të jenë të pajisura edhe me antidote të ndryshëm për alergjitë që ajo mund të shkaktojë.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009