E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: "Vizat hiqen 6-mujorin e parë të 2010-ës"

Autori i Lajmit: RedaksiaZëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka garantuar dje se heqja e vizave për shqiptarët do të bëhet brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, por ka ftuar opozitën të bashkëpunojë me qeverinë që ky proces të realizohet sa më shpejt. Ai madje ka hedhur poshtë deklaratat e socialistëve për dështim të Qeverisë lidhur me këtë proces, duke pohuar se të gjitha partitë në premtimet e tyre elektorale kanë deklaruar se 2010 do të ishte viti kur shqiptarët do të lëviznin të lirë. Më tej duke shpjeguar më tej procedurat Meta shpjegoi se tashmë janë duke u plotësuar tërësisht kushtet e kërkuara si për shembull ai për pasaporta biometrike, i cili ishte pengesa kryesore në krahasim me vendet e tjera të rajonit, të cilat tashmë e kanë fituar të drejtën për të lëvizur lirisht në Evropë. Më tej ai vlerësoi si arritjen më të madhe për 2009 hyrjen e vendit tonë në NATO.
Deklarata
“Viti 2010 do të jetë viti i lëvizjes së lirë dhe i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, pasi pothuajse të gjitha standardet dhe kërkesat e udhërrëfyesit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave janë realizuar nga ana e qeverisë dhe institucioneve shqiptare”, - tha dje Meta. Po ashtu pohoi ai, po punohet dhe për plotësimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian, i cili erdhi në vijim të miratimit të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Meta ka shprehur keqardhje për ato që i ka quajtur spekulime të opozitës për dështimin e Shqipërisë në liberalizimin e vizave në krahasim me vendet e tjera. “Dihet që, për arsye tepër konkrete, të cilat kanë të bëjnë edhe me trashëgiminë administrative, me cilësinë e dokumenteve të sigurisë, pra dihet që këto tre vende që më parë e kishin marrë një miratim në parim dhe kuptohet që ishin në një moment më të avancuar se Shqipëria”, - tha Meta. Prandaj, sipas tij, opozita është krejtësisht e pasinqertë, sepse edhe në premtimet elektorale premtimi për liberalizmin e vizave ishte viti 2010. “Unë mendoj që është më e dobishme që opozita në vend që të derdhë lot krokodili, për këtë gjoja mosarritje të bashkohet me përpjekjet e të gjithëve ne, të gjithë shqiptarëve, në mënyrë që ky proces të ecë me ritme dhe më të shpejta. Por unë dua të siguroj se këto tre-katër muaj, situata ka qenë jashtëzakonisht dinamike dhe qeveria i ka përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat, edhe legjislative, edhe teknike”, - tha ai. Më tej Meta ka shpjeguar se tashmë ka ardhur në vendin tonë misioni i parë i vëzhguesve për të verifikuar në terren arritjet, ndërkohë që misionet e tjera pritet të vijnë në fillim të vitit të ardhshëm. Kreu i diplomacisë shqiptare riftoi opozitën tu bashkohet këtyre proceseve integruese, ndërsa theksoi se integrimi është prioritet kombëtar i Qeverisë. Duke komentuar më tej dhe protestën e djeshme të opozitës, Meta tha se për dialog duhen dy palë dhe në këtë drejtim Qeveria është treguar e gatshme. Ai pohoi se shpreson që lidershipi socialist do të reflektojë, pasi kontributi i opozitës për integrimin nuk mund të jepet me protesta në rrugë. Meta komentoi dhe krizën në vend, ndërsa pohoi se i vetmi problem është dalja e opozitës nga binarët e demokracisë dhe parlamentarizimit.

Reagon PS: "Meta nuk ka moral të flasë për tradhti"

Partia Socialiste reagon pas deklaratave të djeshme të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, lidhur me qëndrimin opozitar. “Ilir Meta jo vetëm që nuk mund të krahasojë opozitën me krokodilin, po zor se e krahason dot edhe krokodilin me veten, duke bërë sot sikur u qan hallin atyre që i tradhtoi vetëm e vetëm për një garuzhde nga përsheshi i Sali Gërdecit. Prandaj Iliri i Sali Gërdecit bën mirë ta hajë atë përshesh pa e ngritur kokën për tu bërë moral të tjerëve, sepse sa herë flet pështjellon stomakun e popullit opozitar duke na kujtuar ulërimat e tij "Sali ik", apo parullën e tij të famshme "Kush me Saliun do të hajë, kokën ulur gjithë jetën do mbajë"!”, - tha zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj.

Pyetësori i KE, Komiteti i Koordinimit jep udhëzimet

Komiteti i Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Evropian ka dhënë udhëzimet e mëtejshme në lidhje me procesin e plotësimit të Pyetësorit të Komisionit Evropian. Në një mbledhje të organizuar prej tij është informuar se të gjithë grupet ndërinstitucionale të punës dhe ministritë/institucionet e përfshira në proces kanë marrë pjesët përkatëse të Pyetësorit të Komisionit Evropian si dhe është kryer analiza e pyetjeve nga Ministria e Integrimit. Analiza konsiston në ndarjen (zbërthimin) e çdo pyetjeje në nënpyetje dhe përcaktimin e ministrisë/ institucionit që duhet të përgjigjet për hartimin e përgjigjes për çdo nënpyetje. Pyetjet e analizuara u janë dërguar grupeve ndërinstitucionale të punës. Komiteti i Koordinimit Ndërinsitucional ka sqaruar më tej se të gjitha grupet ndërinstitucionale në bashkëpunim me ministritë/ institucionet e përfshira në proces janë duke përcaktuar personat përgjegjës për hartimin e çdo pyetjeje/ nënpyetjeje, të cilët do të regjistrohen si përdorues në portalin e administrimit elektronik të procesit dhe përgjigjeve. “Është krijuar infrastruktura e nevojshme për përkthimin e përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Evropian, e cila përfshin rrjetin kompjuterik dhe programet profesionale të përkthimit. Po ashtu ka filluar përkthimi i pyetjeve të Pyetësorit të Komisionit Evropian”, - sqaron Komiteti. Sot do të zhvillohet mbledhja e radhës e KKNIE-s në të do të diskutohet aktiviteti dhe problematika e deritanishme dhe do të miratohet raporti për mbledhjen e KNIE-s që do të zhvillohet më 23 dhjetor 2009. Grupet ndërinstitucionale të punës kanë realizuar 18 takimet e para në të cilat është diskutuar analiza e pyetjeve dhe janë kryer përmirësime në zbërthimin e pyetjeve të kryer nga Ministria e Integrimit. Vendi ynë mori pyetësorin e KE-së më 16 dhjetor. Më 16 nëntor Këshilli i Ministrave të BE miratoi kërkesën e Shqipërisë, e cila ishte dorëzuar që në fund të muajit prill. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar prej kohësh se ata kanë kryer të gjitha përgatitjet për të nisur menjëherë nga puna me pyetësorin.

Ky lajm është publikuar: 22/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›