Vdekja e ish-deputetit, politika ngushëllon familjen
Autori i Lajmit: RedaksiaPolitika shqiptare ka ngushëlluar familjen e ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Lekë Çukaj. Në mesazhin e tij, presidenti Bamir Topi, pasi ngushëllon familjarët e ish-deputetit të Kuvendit, shprehet se Leka do të kujtohet nga ne gjithnjë si një njeri me integritet shoqëror e profesional, një koleg i përkushtuar në profesionin dhe detyrat e tij, njeri korrekt e i ndershëm, gjithnjë në harmoni e mirëkuptim me ata që e rrethonin.
“Ndarja tragjike nga jeta e Lekës, njeriut tuaj më të dashur, ish- deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ishte një lajm i hidhur jo vetëm për ju, por për të gjithë ata që e kanë njohur Lekë Çukajn, kanë njohur vlerat dhe përkushtimin e tij ndaj qytetarëve që përfaqësonte, të Dukagjinit dhe Shkodrës. Me këtë rast, duke ndarë me ju dhembjen e thellë, ju shpreh juve ngushëllimet e mia të sinqerta, lutem dhe dëshiroj që shpirti i Lekës të gjejë paqen e merituar”, - shkruan edhe kryeministri Sali Berisha, në mesazhin e ngushëllimit drejtuar familjes së të ndjerit. Ndërsa kryesocialisti Edi Rama ka vlerësuar kontributin e Lekë Çukajt në Partinë Socialiste. “Ndarja e parakohshme nga jeta e ish-deputetit Lekë çukaj ishte një ngjarje e tragjike për të gjithë miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët e tij. Lekë çukaj do të mbahet mend si një koleg i përkushtuar në profesionin dhe detyrat e tij”, - shkruan ai në mesazhin e ngushëllimit. Ish- deputeti i Partisë Socialiste u shua mbrëmjen e së dielës në një aksident rrugor në aksin Tiranë – Fushë-Krujë. Aksidenti tragjik ndodhi në afërsi të fshatit Nikël, pranë stabilimentit “Abaz Ulliri”. Makina e tij me targë SH 8252 E, që drejtohej nga vetë Çukaj, është përplasur me mjetin me targa TR 9856 R që drejtohej nga shtetasi Hasan Guçi. Në aksident gjeti vdekjen dhe drejtuesi i mjetit tjetër, Hasan Guçi, ndërsa është plagosur bashkëshortja e tij. Familjarë, kolegë, miq dhe të afërm të ish- deputetit të PS-së, Lekë Çukaj, do të kryejnë homazhe, për nder të tij sot në orën 11.00 në ambientet e Prefekturës së qytetit të Shkodrës, ndërsa rreth orës 13.00 do të zhvillohet ceremonia mortore.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009