E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubet duan ndryshimin e rregullit të kartonëve

Klubet e kampionatit shqiptar duan të ndryshohet rregulli i ndëshkimit për numrin e kartonëve të verdhë që merr një futbollist gjatë një sezoni futbollistik. 

Jetmir Halilaj

Rregulli aktual parashikon ndëshkim progresiv, ku thuhet se për çdo tre kartonë të verdhë lojtari mungon një ndeshje, por nëse ai merr edhe tre kartonë të tjerë të verdhë mungon dy ndeshje dhe dënimi vazhdon të rritet për çdo tre kartonë të marrë. Klubet kanë kërkuar që të rishikohet kjo pjesë e rregullores, sepse kështu penalizohen së tepërmi. “Ne jemi kundër këtij rregulli – ka thënë Artim Kovaçi, drejtori sportiv i klubit të Elbasanit. – Mendoj se do të ishte më mirë që lojtarët për çdo tre kartonë të verdhë të dënohen vetëm një ndeshje dhe të mos ketë dënim progresiv, duke u bazuar te numri total i kartonëve të marrë që nga fillimi i sezonit. Kjo është vërtetë penalizuese, madje në fund të sezonit shndërrohet në një problem serioz, sepse ky rregull mund të të privojë nga lojtarë të rëndësishëm”. Ky ka qenë argumenti i kërkesës për të ndryshuar rregullin e kartonëve edhe për drejtues të tjerë klubesh, të cilët ishin të pranishëm në mbledhjen që u zhvillua paradite në ambientet e FSHF-së. Propozimi i tyre do t’i kalojë për shqyrtim Komitetit Ekzekutiv, i cili më pas do të vendosë nëse do e marrë parasysh kërkesën, ose jo.
Shulku
Shefi i sektorit të garave në FSHF, Ilir Shulku, nuk e ka pritur mirë kërkesën e klubeve për të ndryshuar rregullin e kartonëve, pasi ai e cilëson këtë masë të ashpër dënimi si një mënyrë për të frenuar sjelljet antisportive në fushën e futbollit. “Unë mendoj se rregulli aktual duhet të mbetet në fuqi dhe këtë ua argumentoj me shifra. Sezonin e kaluar rreth 60% e kartonëve të verdhë janë akorduar nga gjyqtarët për motive disiplinore, pra për shfaqje antisportive, apo për veprime anti-futboll në fushë, ndërsa pjesa tjetër janë dhënë për shkak të ndërhyrjeve të gabuara, apo gabimeve të tjera sportive. Me këtë dua të them se futbolli shqiptar ka nevojë për masa rrepta që të eliminojë sa më shumë fenomenet negative që kanë të bëjnë me sjelljen e padisiplinuar, apo me anti-sportivitetin në fushën e lojës”, ka thënë Shulku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›