Analiza, Gjykata e Tiranës mbylli 27 mijë dosje
TIRANE - Togat e zeza të kryeqytetit kanë përfunduar plot 27 mijë çështje gjatë vitit 2008. Shifra u bë publike mëngjesin e djeshëm gjatë analizës vjetore të punës në këtë institucion. Kryetari i komanduar i kësaj gjykate, Albert Meçe, gjatë fjalës së tij pohoi se kjo gjykatë kishte përfunduar gjatë vitit 2008, 20.632 çështje civile dhe 6.025 penale. Ndërsa duke iu referuar shifrave për secilin gjykatës, magjistrati Bledar Abdullai kishte shpallur plot 510 vendime penale dhe civile, po kështu edhe gjykatësja Fida Osmani kishte shpallur 495 vendime civile gjatë gjithë 2008-ës. Gjatë analizës në Gjykatën e Tiranës ndodhej numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe të ftuar të tjerë, të Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve të tjera nuk morën pjesë. Gjykatësit kryeqytetas të çështjeve civile pohuan se problem për ta mbeteshin sallat e gjyqeve. Sipas tyre në gjykatë ka vetëm 5 salla gjyqi dhe është e pamundur që të gjenden ndonjë moment të lira, për shkak të ngarkesës së përditshme të 30 gjykatësve dhe 10 stazhierëve magjistratë. Kreu i gjykatës pohoi gjithashtu se në institucionin e drejtuar prej katër vitesh nga ai, ka mungesa të theksuara të pajisjeve kancelarike, po kështu edhe kompjuterët janë tejet të amortizuar. Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2008, Gjykata e Tiranës ka derdhur në buxhetin e shtetit një shumë prej 1.1 miliardë lekësh të vjetra, ndërsa nuk i është dhënë asnjë fond për të kryer blerje mjetesh kancelerike. Po kështu gjyqtarët që diskutuan pohuan se mungesa e mjeteve të tilla si letër, bojë printerësh apo edhe stilolapsa pengojnë mbarëvajtjen e punëve në këtë institucion. Po kështu gjatë diskutimeve gjykatësit përmendën edhe problemet që kanë dalë në gjykatë në lidhje me sigurinë fizike. Sipas tyre, duhet të ndodhin raste të dhunës ndaj gjykatësve që organet shtetërore të diskutojnë për mbrojtjen e tyre. Rast konkret që u diskutua ishte atentati ndaj Ardian Nunit, anëtarit të Gjykatës së Lartë. Në fund gjykatësit kryeqytetas pohuan se në këtë institucion, ku shqyrtohen më tepër se 50% e dosjeve në rang republike ngarkesa e punës është e lartë, kjo edhe për faktin se administrata gjyqësore është e paktë. fa.ma.