Bogdani trembet nga ligji për dosjet
Gerti Bogdani kërkoi dje sqarime zyrtare me Flamurin. E kishte të nevojshme të sqaronte çështjen e konfliktit të interesit me ligjin e dosjeve. Ai burri ka një muaj që i ka dhënë një tekst dhe nuk e ndryshon më. “Sa herë që do flasësh për ligjin e dosjeve, - i ka thënë, - do thuash se Edi Rama kërkon të mbrojë krimet e familjarëve dhe të afërmve të tij”… dhe pastaj të vazhdojë deklaratën.
- Dua ta di, kur do ta ndërroj këtë tekst, - i tha Bogdani Flamurit, - se kanë ndodhur gjithë këto zhvillime. Ai burri i premtoi zonjës Klinton që do respektojë vendimet e gjykatave, pastaj i premtoi Bakojanisit se do presë ekspertët nga BE, pastaj i premtoi Trojkës se nuk do shkelë ligjet… Kam frikë se duhet ndryshuar ndonjë gjë në tekst.
- Mos u mërzit mixhë, s’ke pse ndryshon gjë. Ti je për konsum të brendshëm, s’je mall për eksport…
- Kam një hall, - i tha Bogdani, - dhe atë e kam për konsum të brendshëm, mund të të besoj…?
- Patjetër, - i tha Flamuri.
- Isha nga njerëzit e gruas sot dhe u ndjeva shumë keq.
- Pse? Çfarë ka ndodhur? - e pyeti Flamuri.
- Po gjyshi i gruas sime ka qenë zyrtar i lartë i Sigurimit të Shtetit. E ka nisur që në kohë të Koçi Xoxes deri te Zylyftar Ramizi. Edhe xhaxhai i gruas gjithë jetën në Sigurim. Pastaj një tufë kushërinjsh dhe të afërmish operativë dhe policë. Desh më hëngrën të gjallë, kur isha aty. As kafen s’më lanë të pija….
- Të drejtë ke mixhë, po s’ke ç’i bën. Se tani ti gruan ke zgjedhë, fisi të bie në pjesë, s’ke ç’i bën.
- Aty e kam hallin, - tha Bogdani. - Ta ndryshojmë këtë tekstin se mos kujtohet ndonjë nga këta socialistët dhe thotë që Gerti Bogdani ka konflikt interesi dhe nuk duhet të flasë për dosjet, pasi të afërmit e gruas së tij dhe … vazhdojnë ata.
- Të drejtë ke. Pa pyet njëherë gruan me takt, kë ka futë në burg gjyshi i saj?
- Po s’e di, ai ka qenë gjithmonë i pari, kushedi kujt i ka rënë të arrestohet prej tij...
- Mos u mërzit mixhë, se s’kemi shumë të persekutuar nga këta që janë në qeveri. Ja p.sh., për fat të mirë ai burri ka qenë komunist dhe s’e ka persekutuar njeri. Ridvani po s’ka pasur ndonjë të dënuar në fis. Mirë i ka pasur punët me ta. Për kryetar kooperative e kanë pas projektuar në Librazhd, po u prishën kooperativat dhe s’u bë dot. Ky Genc Ruli i ka pas punët mirë si familje me Kadri Hazbiun, vetëm nëse ka pas rivalitet me gjyshin e gruas tënde. Dhe ky Ylli Pango në pozita të larta i ka pas prindërit në atë kohë. S’di ç’të them. Kë kemi tjetër në qeveri? Ah, po, ai kuqua, dihet që i ka pas shumë mirë…
- Kush është kuqua? - pyeti Bogdani.
- Genc Pollo, - tha, - se kështu i thoshte ai burri, kur ishte armik, na ka mbetë zakon. Ai e ka pas babën si defterexhi të Enver Hoxhës. Ai i ka futë gjithë gënjeshtrat në librat e historisë. D.m.th., mirë e ka pas me regjimin dhe ai. S’di kë kemi tjetër në qeveri … Bujar Nishani, po oficer ka qenë. Me biografi të kulluar. Jemin Gjana … ëhë, ky s’e ka pas aq të keqe, po s’besoj t’i ketë bërë dëm gjyshi i gruas tënde, se ka qenë në Kukës. Ky e ka inatin me Gjinushin, se babai i Gjinushit ka vrarë ca burra nga fshati i këtij.
- Më qetësove, - tha Bogdani. - Qenkan të gjithë miq të gjyshit të gruas sime. Epo, më mirë ta ndryshoj tekstin ose të paktën të heq atë fjalën ‘të afërmit’, se s’i dihet, u ngelet qejfi këtyre, pasi duket sikur e kam dhe për këta.
- Unë them mos ta ndryshosh, - i tha Flamuri. - E di vetë ai burri kur e ndryshon. Që ta kuptosh stilin e tij ti, do ca kohë. Ai do ta trashi ca këtë punë, derisa të vijë ndonjë i madh tjetër këtu dhe t’i thotë atij: “S’ka ndodhur gjë, nuk i shkelim ligjet ne. Po tha Kushtetuesja jo, dhe jo. Nuk e zbatojmë ligjin kundër Kushtetutës ne.” Por nuk e thotë tani. Tani vë Jozefinën, Aldo Bumçin, këta, që ta kundërshtojnë. Vetë pastaj del burrë i mirë dhe e ndryshon. Njësoj si me ty. Kur i thonë që ai Bogdani e teproi, u thotë të gjithëve me shaka: “Është djalë i mirë, por është shumë agresiv. I kam thënë mos të merret me familjarët e medias dhe politikës, por e ka qejf shumë. S’kam ç’i bëj. S’e urdhëroj dot për çdo gjë.”