E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Atentati, Nuni pengon hetimin"

 

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, duket se është duke i penguar hetimet që po zhvillohen për autorin e atentatit me armë zjarri ndodhur ndaj tij pak ditë më parë në Tiranë. Hetimet duket se kanë ngecur për shkak se juristi 40-vjeçar nuk pranon të japë deklarime lidhur me probleme personale që mund të ketë pasur, ndërsa ka fshehur edhe telefonin celular që nuk e ka dorëzuar tek hetuesit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme pohuan dje se prokurorët e Krimeve të Rënda kanë kërkuar tabulatet pranë kompanisë përkatëse, me qëllim që të njihen me listën e telefonatave dhe mesazheve që ka pasur anëtari i Gjykatës së Lartë kohët e fundit dhe, veçanërisht në ditët para se ndaj tij të bëhej atentati. Sipas zyrtarëve të Prokurorisë, kërkesa për listën e telefonatave dhe mesazheve është bërë për verifikimin e tyre, me qëllim identifikimin e ndonjë personi apo problemi personal të juristit, çka mund të ketë qenë shkak i atentatit. Policia dhe Prokuroria konfirmuan se gjyqtari nuk është duke ndihmuar hetimin, duke pretenduar se disa veprime si zbardhja e telefonatave dhe mesazheve, apo verifikime të tjera në drejtim të jetës private, janë të paargumentuara dhe për më tepër cenojnë staturën e tij si anëtar i institucionit më të lartë gjyqësor në vend, pas Gjykatës Kushtetuese. Grupi i hetimit ka verifikuar të gjitha pistat e tjera, duke filluar që nga detyra e Ardian Nunit në Gjykatën e Lartë deri te funksioni i tij si pedagog i të Drejtës Civile në Fakultetin e Drejtësisë. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar imtësisht të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë, ku gjyqtar relator ka qenë Ardian Nuni. Po kështu janë verifikuar studentët mbetës në provimet e lëndës ku gjyqtari jep leksione në Gjykatën e Lartë. Në dy këto pista nuk është zbuluar asnjë provë që të ndikojë në ecurinë e hetimit, ndërsa verifikimet për pistën e shkaqeve personale janë bllokuar për shkak se anëtari i Gjykatës së Lartë nuk bashkëpunon me Prokurorinë dhe Policinë. Ai mësohet se nuk ka pranuar të flasë për jetën e tij private, ndërsa ka refuzuar të dorëzojë telefonin celular për verifikimin e të dhënave që mund të zbulonin detaje në interes të hetimit. Në këto kushte, Prokuroria mësohet se ka vendosur të shfrytëzojë rrugë të tjera të ligjshme për të siguruar të dhënat për zbardhjen e ngjarjes.            t.s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›