Për një dele vrau nënë e bir, në burg përjetë
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Vrau nënë e bir për një dele, dënohet me burg të përjetshëm. Kjo ishte masa e dënimit që dha dje Gjykata e Lezhës për Pashk Ndrecën. Ai vrau me armë zjarri më 16 korrik të vitit të kaluar 47-vjeçaren Mrika Matrezi dhe djalin e saj 20 vjeç, Nikolin Matrezi. Ngjarja ndodhi në fshatin Gryka e Zezë të komunës Kolsh të rrethit të Lezhës. Viktimat akuzuan Pashk Ndrecën për një dele të humbur, por ai i qëlloi ata me armë automatike, duke i lënë të vdekur në vend në oborrin e shtëpisë së tij. Një seancë më parë, pretenca kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për 45-vjeçarin, duke e akuzuar atë për veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese" dhe "armëmbajtje pa leje". Pas pretencës së dhënë, i pandehuri i kërkoi gjykatës mëshirë, duke u shprehur se krimin e kishte kryer për vetëmbrojtje. Por trupi gjykues, pas shqyrtimit të provave të mbledhura nga akuza, vendosi dënimin përjetë. Sipas prokurorisë, më 16 korrik 2008, rreth orës 21:00 Mrika dhe Nikolin Matrezi kanë shkuar në shtëpinë e Pashk Ndrecës. Atyre iu mungonte një dele, ndaj dyshonin se ua kishte vjedhur ai. Por pas debateve në derën e shtëpisë së Ndrecës, ky i fundit është futur brenda dhe ka marrë një armë automatike duke i qëlluar. Pas ngjarjes, 45-vjeçari deponoi se viktima, Mrika Matrezi, i kishte lëshuar atij një granatë në oborr, por që fatmirësisht nuk kishte shpërthyer. Në kushtet e vetëmbrojtjes ai kishte vendosur t'i vriste, duke lënë të vdekur 47-vjeçaren dhe djalin e saj të vetëm. Por pas deponimit të të arrestuarit, policia nuk gjeti granatë në oborrin e shtëpisë së tij, ashtu sikurse ai kishte pretenduar. Tashmë familjet Matrezi dhe Ndreca janë në hasmëri, ndonëse shtëpitë e tyre janë as 100 metra larg njëra-tjetrës. Viktima ka lënë pesë vajza të vogla, të cilat jetojnë në kushte të rënda ekonomike.