E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Sëmuret" anëtari i bandës së Durrësit

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda nuk ka mundur të njihet as në seancën e djeshme në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të "bandës së Durrësit", me dëshminë e të penduarit Adriatik Coli. Mungesa e avokatit mbrojtës të të pandehurit Sardian Sulejmani për arsye shëndetësore, është bërë shkak për shtyrjen e seancës së radhës në procesin e mbetur "ngërç". Në vendimin e shtyrjes së seancës kreu i trupës gjykuese, gjyqtari Gurali Brahimllari pranoi se "prej disa muajsh ky proces po shtyhet vetëm me raporte mjekësore, ç'ka tregon se këtu ka një gjë që nuk shkon". Gjithashtu u vendos që seanca tjetër të zhvillohet ditën e hënë në datën 16 shkurt, duke praktikuar në këtë mënyrë shqyrtimin e çështjes me dy seanca në javë. Gjykata hodhi poshtë dje kërkesën e organit të akuzës për zëvendësimin e avokatit Detar Hysi, me arsyetimin se raporti mjekësor i paraqitur prej tij ishte i rregullt. Ndërkohë që debatet mes palëve dhe gjykatës ishin të pranishme edhe dje te Krimet e Rënda. Ashtu siç kishte kërkuar edhe në një seancë të mëparshme Petraq Semani, avokati mbrojtës i të pandehurit Kujtim Buna shprehu përpara gjykatës shqetësimin për gjendjen shëndetësore të klientit të tij. Sipas avokatit, i pandehuri Buna është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ai ka nevojë të kurohet në një spital civil. Kjo pasi spitali i paraburgimit ku i pandehuri ndodhet nuk i ka kushtet e mjaftueshme për ekzaminimin e problemeve të tij shëndetësore. Ndërsa gjykata relatoi një përgjigje të spitalit të institucionit të paraburgimit ku ndodhet Buna, ku thuhej se "Buna është i sëmurë", pa saktësuar nëse është apo jo në gjendje të paraqitet në sallën e gjyqit.                               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›