Analiza e 100 ditëve të Berishës, kryefjalë, bojkoti i opozitës
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha, për gati një orë e 25 minuta ka bërë dje para mediave analizën e 100 ditëve të para të mandatit të dytë qeverisës. Kryefjalë e fjalimit të gjatë të kryeministrit ka qenë bojkoti i opozitës. Që në fillim Berisha theksoi se opozita i privoi vetes një shans historik për të qenë bashkautore në reformat që sollën pranimin e kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat në BE, si dhe marrjen e Pyetësorit nga BE-ja. Berisha akuzoi kryetarin e PS-së së nëpërmjet bojkotit ai ka synuar që të bllokojë integrimin e vendit në BE. Kryeministri tha se bojkoti i opozitës shqiptare nuk ka kauzë demokratike, ndaj nuk mund të konsiderohet nga ndërkombëtarët. Ai shtoi se nëpërmjet kërkesës së saj për hapjen e kutive të votimit opozita synon t’i vërë kazmën në themel ndërtesës së demokracisë, duke i dhënë Parlamentit atributet e gjykatave. Megjithëse u shpreh i hapur për dialog me opozitën, Berisha kundërshtoi prerazi kërkesën për hapjen e kutive të votimit.
Hapja e kutive
“Siç e dini, unë jam kryeministër. Një pyetje e tillë mund t’i bëhej Sali Berishës nëse do të ishte Naltmadhëria e tij Mbreti. Në këtë rast opozita quhet opozitë e Naltmadhërisë së tij. Unë nuk kam pushtet mbi opozitën. Unë kam detyrim të zhvilloj zgjedhje siç u zhvilluan dhe ta ftoj në Parlament. Por është jashtë çdo lloj mundësie që të pranoj në mungesë të procedurave juridike kërkesa të cilat rrënojnë ndërtesën”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka bërë humor me kërkesën e PS-së për të hapur kutitë e votimit. “Më thanë që zoti Rama ka dërguar kartolina me kuti. Nëse më ka dërguar një të tillë, edhe unë do t’ia kthej”, - është shprehur Berisha.
I pyetur për apelin e ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund krizës politike në vend, ai shtoi se ky apel u drejtohet atyre që po bëjnë bojkot. “Ftesat e ndërkombëtarëve janë të arsyeshme, por janë një apel i qartë për ata që zhvillojnë bojkot. Gjer këtu qeveria ka detyrim të ofrojë bashkëpunim me opozitën. Por qeveria nuk mund të bëjë asnjë lëshim për një parim themelor që është trau kulmor i një sistemi demokratik. Nuk mund të marrim atributet e një sistemi gjyqësor”, - është shprehur Berisha. Kryeministri u shpreh se mungesa e opozitës nuk përbën problem për plotësimin e Pyetësorit.
Vizat
Kreu i qeverisë u ktheu përgjigje akuzave të opozitës për vonesa në drejtim të liberalizimit të vizave. Ai tha se pretendimet për vonesa janë të pabaza, ndërsa e akuzoi opozitën se gjatë 8 viteve në pushtet nuk ndërmori asnjë veprim në këtë drejtim. “Dy gjëra dua të theksoj lidhur me pretendimet se Shqipëria është e vonuar me vizat.
Qytetarët e ish-Republikës së Jugosllavisë në vitet ‘80 lëviznin pa viza në të gjithë Europën, në një kohë kur paraardhësit e opozitës ndërtonin mure me tela me gjemba dhe ekzekutonin të rinjtë në kufij. Europa ka një memorie. Së dyti, zgjedhjet. Në mënyrë të përsëritur ju kishit rastin kur ishit në qeveri të bënit zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ju nuk i bëtë asnjëherë. Ndaj Europa as që i diskutonte vizat. Së treti, kjo maxhorancë, në mandatin e parë ka një meritë të njohë botërisht çmontimin e 200 e ca grupeve të Aldo Bareve e të tjerëve me të cilët ju qëndruat në simbiozë, në mos më shumë”, - është shprehur Berisha. Ndërkaq, në analizën e 100 ditëve të para të qeverisë kryeministri veçoi pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, si dhe marrjen e Pyetësorit të BE-së. Kryeministri theksoi se këto zhvillime pozitive nuk mund të arriheshin në rast se zgjedhjet e 28 qershorit nuk do të ishin të lira dhe të ndershme.
Berisha gjithashtu vlerësoi me nota maksimale koalicionin qeverisës me praninë e LSI-së.
Buxheti
Përsa i përket buxhetit Berisha tha se, “këto 100 ditë ishin në kuptimin me të vërtetë të fjalës 100 ditët e qytetarëve dhe për qytetarët. Në kushtet e krizës më të madhe që Europa ka njohur, qeveria shqiptare formulon një buxhet që ka parashikuar rritje të ndjeshme të ardhurave personave me rritjen e rrogave dhe pensioneve për shumë familje shqiptare. Ne parashikuam një buxhet që u japim përgjigje boshteve më të madhe rrugore. Ky buxhet pesëfishon fondet për Shqipërinë dixhitale. Është buxhet që rrit me 25% buxhetin për shëndetësinë dhe arsimin dhe 20% buxhetin për bujqësinë. Pra ky buxhet paraqet frymën sociale të kësaj qeverie”, - është shprehur kryeministri.
Korrupsioni
Gjatë analizës së 100 ditëve të para të qeverisë, Berisha vlerësoi si të suksesshme luftën kundër korrupsionit. “Këto 100 ditë kanë shënuar reforma të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Në fushatën tonë elektorale ne premtuam një qeveri pa shoferë personalë. Kjo reformë bën një shkëputje nga praktika e kalbur e nomenklaturës komuniste dhe i jep goditje korrupsionit galopant ku një shofer me makinë u kushtonte taksapaguesve mbi 19 mijë dollarë. Këto janë praktika perëndimore në transportin e qeveritarëve”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka vlerësuar edhe aplikimin e parimit “heshtja është pranim” në fushën e disbursimit të TVSH-së për bizneset. Ai tha se kjo reformë i ka dhënë goditje ryshfetit në një fushë shumë delikate.
Krimi
Berisha vlerësoi të suksesshme luftën kundër krimit, ndërsa theksoi se qeveria është e vendosur të godasë mafien. “Lufta kundër krimit të organizuar dhe mafies ka marrë një vrull këto 100 ditë, duke hyrë në një fazë të re. Janë çmontuar mbi 15 grupe kriminale, trafiku, droge, rrjete vjedhësish të sofistikuar, autorë të krimeve të rënda financiare. U rikthye në Shqipëri dhe do të përgjigjet para Drejtësisë shqiptare famëkeqi Aldo Bare, përgjegjës për shumë vrasje dhe trafiqe nga më kriminalet. Këto 100 ditë u miratua ligji antimafie, ligj i cili është një mbështetje e madhe për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe që do mund të bëjë realitet çmontimin me darët e ligjit një nga një të pasurive dhe gjëmave të mafies”, - është shprehur Berisha.
Prona
Kryeministri theksoi se reforma e pronësisë do të vazhdojë të mbetet një ndër prioritet e qeverisë së tij. “Reforma e pronësisë është një zotim tjetër madhor i qeverisë time. Qytetarët mund të legalizojnë banesat duke filluar në janar, me letra me vlerë. Ne po i kthejmë pasuritë sindikatave që ia kishin gllabëruar. Një ligj tjetër shumë i rëndësishëm është detyrimi për borgjezinë e re për të paguar truallin e vilave të marra në fshatrat turistike, sepse në mënyrën më komode këto zonja dhe zotërinj kishin blerë vilat, kurse truallin e dispononin gratis për 99 vjet. Qeveria përcaktoi detyrimin e tyre për të paguar me vlerën e tregut”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se me këto para do të kompensohet pronarët e ligjshëm.
Reformë inspektorateve
Berisha premtoi se një reformë e madhe do të ndërmerret përsa i përket inspektorateve. Sipas tij, ato mbajnë një qëndrim problematik ndaj biznesit, duke i grabitur. “Inspektoratet janë një problem serioz për qëndrimin ndaj biznesit. I grabisin atij në mënyrë të pamerituar. Ata do të pësojnë një reformë të thellë”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka shtuar se reformës së thellë do t’i nënshtrohet agjencia e investimeve të huaja.
Shëndetësia dhe Arsimi
Kryeministri gjithashtu veçoi reformat që janë bërë gjatë këtyre 100 ditëve të para të qeverisë në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. “Shëndetësia ka bërë hapa thelbësorë. Ndër më kryesorin, aplikimin me çmimet e tregut. Kjo do të sjellë zvogëlim të parave nën dorë për shërbimin shëndetësor dhe do të inkurajojë pagesat e sigurimeve shëndetësore. Kjo praktikë e thjeshtë dhe e domosdoshme e shndërron shërbimin parësor në portën e parë të qytetarit”, - është shprehur Berisha, ndërsa vlerësoi punën e mjekëve për të përballë pandeminë e gripit të derrit. Përsa përsa i përket arsimit, Berisha veçoi heqjen e TVSH-së për arsimin privat, si dhe disbursim 100% të teksteve të fëmijëve në nevojë.
Premtimi
Berisha premtoi se në 1324 ditët e tjera të mandatit të tij qeverisës ai do të sfidojë veten në ndërmarrjen e reformave. Kryeministri shtoi se ai nuk krahasohet me asnjë qeveri tjetër, por vetëm me veten e tij. “Në këtë mandat ne na mbeten edhe 1324 ditë. Zotimi im është që çdo 100 ditë të tejkaloj veten. Është në natyrën time. Nuk matem me të tjerët. Kjo qeveri do të matet gjithnjë me veten e vet. Dhe 100-ditëshi që vjen do të matet me 100-ditëshin që kaloi, në mënyrë që viti i ardhshëm të jetë viti i sukseseve më të mëdha të regjistruara dhe viti tjetër ta tejkalojë. Në këtë mënyrë, 2013-a ta gjejë qeverinë time si qeverinë e premtimeve të mbajtura”, - është shprehur Berisha.
Këshilli Kombëtar
Kryeministri gjithashtu bëri të ditur se javën e dytë të muajit janar do të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së. Gjatë kësaj mbledhjeje do të zgjidhet Kryesia e re Qendrore e Partisë Demokratike, si dhe Sekretariati. Berisha tha se kjo mbledhje do të sjellë mjaft risi. Ai theksoi se do të ketë një zgjerim të Sekretariatit të Partisë Demokratike, duke nënkuptuar shtimin e posteve të reja. Berisha gjithashtu shtoi se gjithçka do të jetë transparente dhe do të bazohet nga vota e lirë e anëtarëve të PD-së. “Këshillin do ta mbledh në javën e dytë të muajit janar, ku do të zgjidhet Kryesia dhe sekretarët. Do të ketë një numër të zgjeruar sekretarësh. Do ketë risi”, - është shprehur kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike.
29 Dhjetor 2009