E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet skandali, dhunohet seksualisht i mituri në qeli

Thimi Samarxhiu

Morisë së skandaleve në burgjet shqiptare iu është bashkuar edhe rasti i një dhunimi seksual të një të mituri. Një organizatë joqeveritare dhe Avokati i Popullit kanë zbuluar krimin e dyfishtë të ndodhur në mjediset e paraburgimit. Sipas burimeve zyrtare të këtyre dy institucioneve, një i mitur është përdhunuar në qeli, por krimi nuk është mbyllur këtu. Pas presioneve të bëra nga drejtuesit e Burgjeve, skandali është fshehur dhe për këtë rast nuk është bërë asnjë lloj hetimi. Vetëm Avokati i Popullit ka zbardhur rastin pas ankesës që ka bërë viktima, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për çështje etike. Ky rast është denoncuar nga ky institucion dhe tashmë pritet nisja e hetimeve për gjetjen dhe vënien para ligjit të personave që kanë dhunuar seksualisht të miturin.
Skandali
Zbulohet skandali në paraburgimin e Korçës. Institucioni i Avokatit të Popullit ka prezantuar ditën e djeshme raportin përfundimtar të vitit 2009 për monitorimin e kushteve të paraburgimit. Në këtë raport thuhet se në paraburgimin e Korçës është zbuluar një rast abuzimi seksual me një të mitur, i cili nuk është regjistruar në asnjë procesverbal ose në ndonjë regjistër të këtij institucioni. Në raportin e tij, Avokati i Popullit bën me dije se sipas deklarimeve të vetë të miturit rezulton se ai e kishte denoncuar këtë abuzim pranë autoriteteve kompetente të burgut, por nga këqyrja e dokumentacionit nuk rezulton të jetë pasqyruar në asnjë dokument. Lidhur me këtë rast, Avokati i Popullit nuk bën me dije asnjë detaj lidhur me identitetin e të miturit, ose mbi emrin e personit që ka abuzuar më të. E vetmja gjë që bëhet e ditur është fakti se ky abuzim është regjistruar gjatë vitit 2009, kur është kryer vëzhgimi nga ana e Avokatit të Popullit, i financuar nga ana e Institutit për Shoqëri të Hapur. Verifikimi i këtij rasti është bërë pasi viktimës nuk i është hapur dera as nga institucionet përgjegjëse dhe as nga Drejtësia. I mituri ka kërkuar ndihmën e institucionit të Avokatit të Popullit për të vënë para Drejtësisë personat përgjegjës.
Rastet
Rasti i zbuluar nga ana e Avokatit të Popullit nuk është i vetmi rast i abuzimeve seksuale në burgjet e Shqipërisë, por është nga të vetmit raste ku është arritur të dokumentohet dhe të pranohet nga ana e personit të dhunuar. Në raportet e mëparshme të Avokatit të Popullit, organizatave joqeveritare, apo institucioneve ndërkombëtare si Këshilli i Europës, Komisioni Europian apo DASH, konstatohen të njëjtat shkelje të drejtash.
Në të gjitha rastet denoncohet dhuna që ushtrohet në qelitë e burgjeve shqiptare. Shpeshherë është folur gjatë lidhur me kushtet jonjerëzore në mjediset e brendshme të qelive, ku theksi është vënë te mbipopullimi si dhe te mosveçimi i të paraburgosurve të mitur nga ata të rritur. Një gjë e tillë është shkaku kryesor për rastet e abuzimeve seksuale, kryesisht me të miturit, të cilët ndajnë qelitë më të paraburgosurit adult. Ky rast u bashkohet skandaleve të ndodhura në burgjet shqiptare, si vdekja e Eriguert Cekës në Mirditë, apo Amarildo Perfundit në Korçë dhe deri para pak ditësh, ku u vetëvar në mjediset e paraburgimit të policisë së Durrësit, Klodian Bushi.

Monitorimi 2009: Ja kushtet në mjediset e paraburgimit

TIRANË – Dje është publikuar raporti monitorues për vitin 2009 i gjendjes në burgje nga Avokati i Popullit dhe Instituti Europian i Tiranës. Në inspektimet e bëra për periudhën 1-vjeçare konstatohen 23 shkelje të rënda, të cilat flasin qartë për shkelje të standardeve në trajtimin e të dënuarve nga shteti. Sipas raportit mbi kushtet e paraburgimeve në Shqipëri, i financuar nga Instituti i Shoqërisë së Hapur (Soros) është vënë re se në paraburgimet e vendit shkelen hapur të drejtat e njeriut. Avokati i Popullit, së bashku me Institutin për Shoqëri të Hapur, kanë publikuar rast pas rasti, të gjitha shkeljet. (Shih 23 pikat e raportit). Monitorimi është bërë duke marrë për modele praktikat më të mira që përdoren sot në studimet nga universitetet dhe qendrat europiane. Raporti i plotë do të bëhet publik gjatë ditës së sotme. Ekspertët e këtyre institucioneve inspektuan 15 mjedise paraburgimi dhe Spitalin e Burgut në Tiranë. Ata janë mbështetur në Masterplanin për Sistemin Shqiptar të Paraburgimit 2005-2008, ku parashikohen 51 masa, të cilat duhej të realizoheshin deri në fund të vitit të kaluar. Por, sipas raportit monitorues, deri në këto momente janë zbatuar vetëm 30 prej tyre nga drejtuesit e institucioneve të burgjeve në vendin tonë. 11 masa janë realizuar pjesërisht dhe 10 të tjera nuk janë realizuar. Reforma në sektorin e paraburgimit po ecën me ritmet më të dobëta në aspektin infrastrukturor, ku nuk është realizuar as gjysma e pikave që parashikohen në Masterplanin për sistemin e paraburgimit.

PROBLEMATIKA NË BURGJE

1. Një numër i madh denoncimesh për keqtrajtimin fizik dhe psikologjik, në mënyrë të veçantë në paraburgimin e Lezhës, të Korçës e Tepelenës, ku, me sa duket, dhuna fizike apo psikologjike përdoret në mënyrë frekuente.

2. Masa disiplinore e “izolimit” në disa raste nuk aplikohet si një masë me karakter të jashtëzakonshëm, siç parashikohet nga standardet ndërkombëtare, por si një masë rutinë edhe për shkelje minore dhe shpesh duke u aplikuar përtej afateve që parashikohen edhe nga legjislacioni shqiptar. Raste tipike ishin paraburgimet e Lezhës, Korçës dhe Tepelenës.

3. Gjatë vizitës në Spitalin e Burgut u konstatua zbatimi i një trajtimi johuman dhe denigrues për dy pacientë. Këta pacientë ishin lidhur në një këmbë dhe një dorë me zinxhirë në krevatin e tyre dhe kjo për një periudhë 20-ditore, gjithë natën dhe pjesën më të madhe të ditës. Ky lloj trajtimi konsiderohet nga Komiteti për Parandalimin e Torturave si johuman dhe denigrues.

4. Në paraburgimin e Korçës, një rast abuzimi seksual ndaj një të mitur nuk ishte regjistruar në asnjë regjistër. Kjo edhe pse viktima këmbëngulte që e kish denoncuar rastin pranë autoriteteve kompetente të burgut.

5- Ndarja midis minorenëve dhe adultëve nuk respektohet në paraburgimin e Korçës, sipas autoriteteve, për shkak të mbipopullimit.

6. Në shumë institucione të paraburgimit, qoftë ventilimi i ajrit, qoftë aksesi në ndriçim natyral nuk janë të përshtatshme. Rastet më serioze u konstatuan në Tiranë (302), Berat, Kukës, Sarandë e Tropojë. Pothuajse në të gjitha paraburgimet sistemi i ngrohës ose nuk ekziston, ose nuk përdorej.

7. Në përgjithësi mungon uji/ose uji ngrohtë (Tiranë 313, Durrësi, Spitali i Burgut. Lezha, Korça, Berati, Kukësi, Saranda, Tepelena dhe Tropoja). Shpesh ambientet e dusheve janë në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.

8. Përsa u përket banjave, vetëm në gjysmën e institucioneve të paraburgimit banjat ndodhen brenda qelive dhe në shumicën prej tyre janë jashtë standardeve higjieno-sanitare.

9. Në disa institucione të paraburgimit janë detyruar të ndajnë një krevat për dy persona ose të flenë në dysheme (Tiranë 313, 302, Berat, Kukës, Tepelenë, Tropojë).

10. Mbipopullimi dhe infrastruktura e degraduar mbeten akoma një problem prioritar, megjithëse është bërë progres në krahasim me të kaluarën. Rastet më të këqija janë konstatuar në paraburgimin 313 (seksioni femëror), 302, në Spitalin e Burgut Tiranë, por edhe në Peqin, Berat, Tropojë e Tepelenë.

11. Të paraburgosurit shpesh privohen, kur i janë nënshtruar masës së izolimit, të presin vizita ose të komunikojnë me jashtë. Në Tepelenë, të paraburgosurit janë ankuar për ndërprerje të telefonave kur kërkojnë të kontaktojnë Avokatin e Popullit apo organizata të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

12. Nuk ekzistojnë shumë mundësi pune brenda qendrave të paraburgimit dhe janë pothuajse inekzistente kurset për formim profesional.

13. Aksesi efektiv për kura mjekësore shpesh nuk sigurohet në kohën e duhur, kjo dhe për shkak të numrit të pamjaftueshëm të personelit mjekësor.

14. Kurat e specializuara nuk janë gjithashtu në shumë raste të garantuara. Ka një mungesë të përhapur të psikiatërve.

15. Ilaçet janë në përgjithësi të kufizuara, qoftë në sasi, qoftë në shumëllojshmëri. Në shumicën e institucioneve të paraburgimit mungon ambulanca për transportin e të paraburgosurve të sëmurë në rast urgjence. Nuk ka ndihmë specifike apo infrastruktura të përshtatshme për handikapët.

16. Ndihma mjekësore e specializuar për të sëmurët mendorë është veçanërisht e dobët. Në përgjithësi nuk marrin një trajtim të përshtatshëm, sepse nuk ekziston akoma një strukturë e përshtatshme për t’i ndjekur dhe stafi mjekësor në qendrat e paraburgimit nuk është i specializuar për të trajtuar këtë kategori vulnerabël të të paraburgosurve.

17. Ka një mungesë të përgjithshme të personelit civil, në mënyrë të veçantë të psikiatërve, psikologëve apo juristëve.

18. Zgjatja tej afateve ligjore të periudhës së paraburgimit mbetet akoma një sfidë për sistemin. Në të vërtetë, tejkalimi i afateve maksimale të paraburgimit nuk shkakton lirimin automatik të paraburgosurit që i është nënshtruar kësaj mase, por është vetë i paraburgosuri ai që duhet t’i drejtohet gjykatës për qartësimin e kësaj situate.

19. Ekzistojnë probleme dhe përsa u përket minorenëve. Shpesh gjykatat aplikojnë masën e arrestit në qendrat e paraburgimit edhe për krime jo të rënda (rreth 80% e minorenëve në proces gjenden në sistemin e paraburgimit).

20. Arresti vazhdon të jetë, në bazë të statistikave, masa më e aplikuar për personat që i nënshtrohen një procedimi penal (kjo vlen dhe për minorenët).

21. Ka gjithashtu vonesë në transmetimin e vendimeve të gjykatave institucioneve të paraburgimit, që shkaktojnë zgjatje artificiale të qëndrimit të paraburgosurve në paraburgim.

22. Ka një mungesë kontrolli efektiv nga ana e gjykatës mbi vendimet e arrestit, për shkak të mosushtrimit të kompetencave që u njihen gjykatave dhe prokurorëve.

23. Ekziston një indiferencë e institucioneve të kontrollit, të prokurorëve dhe gjykatave (Prokuroria e Përgjithshme dhe KLD-ja), për të verifikuar masat disiplinore në rastet e dhunimit të normave që parashikojnë afatet maksimale të paraburgimit dhe të drejtat e njeriut.

29 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›