Cunami erdhi, hapja e digave në Veri shkakton përmbytjet e para
Shkarkimet në kaskadën e Drinit mbushin me ujë Lezhën dhe Shkodrën
Albert Gjoka
Pas shumë paralajmërimeve, gjatë 24 orëve të fundit është ndjerë era e cunamit që mund të na vijë nga Veriu i Shqipërisë, duke regjistruar edhe pasojat e para. Mijëra hektarë tokë dhe disa shtëpi janë nën ujë si pasojë e hapjes së portave të hidrocentraleve. Që nga dita e diel, qeveria është në alarm për shkak të tejmbushjes së digave të kaskadës së lumit Drin. Urdhri për hapjen e portave është shoqëruar me përmbytje në disa nga zonat e ultësirës në Lezhë dhe Nën-Shkodrës. Burimet zyrtare të pushtetit vendor raportojnë për dhjetëra banesa të mbuluara nga uji dhe qindra hektarë tokë të përmbytur. Hapja e portës në Hidrocentralin e Shkopetit ka bërë që disa familje të braktisin banesat për shkak të vërshimeve të ujërave dhe rrëshqitjeve të tokave përgjatë lumit Mat. Gjatë ditës së hënë edhe ushtria ka qenë në gatishmëri. Prefekti i Lezhës, Pal Dajçi, është shprehur se situata është nën kontroll, por duhet ndërhyrje nga forcat e specializuara të Emergjencave dhe të Ushtrisë për të shmangur në çdo rast fatkeqësitë.
Pasojat në Lezhë
Hapja e portave dhe tuneleve të digave të disa hidrocentraleve në Veri të vendit ka shkaktuar pasojat e para. Sapo ka nisur shkarkimi në Hidrocentralin e Shkopetit, lumi Mat ka sjellë dëmet e para. Të gjitha ndërtimet përgjatë shtratit të lumit, deri në derdhjen në det, janë nën ethet e gllabërimit. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm një pjesë e zonave informale, të banuar në Tale të Lezhës, janë përmbytur. Deri në orët e pasdites u raportuan rreth 40 ha tokë nën ujë dhe një shtëpi e shembur si pasojë e vërshimeve. Pashk Luli, një nga banorët e përmbytur, shprehet: “Kam qindra vite që jetoj në këtë lagje dhe nuk jemi përmbytur asnjëherë. Kjo nuk është se ka ardhur për shkaqe natyrore, por për shkaqe njerëzore. Në afërsi të hidrovorit, një person nga Tirana, që dhe emrin nuk ia dimë, ka blerë një sasi toke fare pranë bregut të detit dhe e rrethuar”. Sipas tij, kjo ka sjellë mbylljen e kanaleve që dërgojnë ujin në hidrovor. Kjo ka sjellë fryrjen e prurjeve në zonën e Kënetës, por shtimi i prurjeve e ka përkeqësuar gjendjen. Të njëjtën gjë thotë edhe Lule Smajli, së cilës i rrezikohet banesa. “Nuk mbaj mend të ketë ndodhur përmbytje gjatë 46 viteve të fundit. Po më rrezikohet shembja e shtëpisë dhe për këtë fajin kryesor e ka pushteti vendor”.
Në këtë zonë ka qenë prefekti Pal Dajçi dhe forca të shumta të ushtrisë. Rrjetet e kanalizimeve janë bllokuar, ndërsa raportohet edhe dëmtimi i pjesshëm i hidrovorit të Tales, si pasojë e prurjeve të mëdha të ujërave. Situata është përkeqësuar edhe nga zbaticat dhe dallgët e detit, të cilat kanë shtuar ndjeshëm nivelin e ujërave në zonën e Tales.
Reagimet
Sipas Luigj Frangajt, drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve në Lezhë, “hidrovoret janë në gjendje pune dhe po punohet për minimizimin e sipërfaqeve dhe banesave të përmbytura”. Prefekti Pal Dajçi tha se “në Shtabin e Emergjencës që është ngritur që prej ditës së diel janë edhe forcat e Ushtrisë. Mjete të shumta po punojnë për mbushjen e digës së hidrovorit në Tale dhe kanalizimin e rrjedhës së ujërave”. “Ajo që mund të themi për momentin është se situata është nën kontroll dhe do të jemi pranë banorëve në çdo kohë në mënyrë që të mos krijohet panik”, - tha Dajçi dje për mediat. Ai tha se ka njoftuar forcat e rendit që të marrin masa që në orën 5 të mëngjesit të ditës së hënë, por urdhri i tij nuk është shoqëruar me veprime konkrete në terren nga efektivat e rendit. Rreth orës 18:00 ishte për inspektim në zonën e Tales edhe shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave, Alfred Olli.
Zona e Shkodrës
Situatë problematike është edhe në Shkodër. Gjatë 24 orëve të fundit disa banesa në zonën e Nën-Shkodrës, si Kuç, Bahçallëk, Vukatanë, janë përmbytur për shkak të sasisë së madhe të ujit që po shkarkohet nga diga e Hidrocentralit të Vaut të Dejës. Tre HEC-et e kaskadës së Drinit janë tejmbushur me ujë dhe prej ditës së diel ka nisur shkarkimi i tyre, i cili rrit rreziqet për fshatrat e kësaj zone. Herën e fundit portat e HEC-ve u hapën në vitin 2004, gjë që solli përmbytjen e mijëra banesave.
Alarmi
Që prej ditës së diel është dhënë alarmi nga qeveria. Përmes një komunikimi publik, Këshilli i Ministrave bëri të ditur situatën në Veri të vendit. Kryeministri urdhëroi Ministrinë e Brendshme që të dërgojë drejt zonave të rrezikuara ekipet e Emergjencës Civile, si dhe ministrin e Mbrojtjes, duke përfshirë edhe specialistët e reparteve të Xhenios. Berisha ka kërkuar gjithashtu edhe hartimin e planeve për evakuimin e banorëve në rast nevoje. Të dielën pasdite u zhvillua takimi i Grupit Ndërministror të Emergjencave, me pjesëmarrjen e ministrave të Brendshëm, Transporteve, Mbrojtjes, Bujqësisë dhe të Ekonomisë. Ministri i Ekonomisë bëri të ditur dy ditë më parë nivelin e prurjeve në tri hidrocentralet që ndodhen në kaskadën e Drinit. Sipas tij, reshjet e ditëve të fundit kanë bërë që uji të arrijë në pikat pranë kuotave maksimale. Bashkë me Ushtrinë dhe Emergjencat, në gatishmëri janë edhe strukturat e OSSH-së, të cilave u është dhënë urdhër që të furnizojnë me energji pa ndërprerje të gjithë zonat e rrezikuara, në mënyrë që të funksionojnë sistemet e pompimit nëpër hidrovore.
REAGIMI
Prifti: “Situata e rrezikut nuk ka kaluar”
TIRANË - Pavarësisht pakësimit të reshjeve, ende nuk mund të thuhet se situata e rrezikut nga prurjet e mëdha në liqene nuk është tejkaluar. Deklarata është bërë nga ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, i cili thotë se gjendja mbetet e rënduar, por nën kontroll. Shkodra është zona më e rrezikuar nga përmbytjet. “Situata është e vështirë, edhe pse kemi hapur portat nga dita e djeshme dhe ka një përmirësim të lehtë, sërish nuk mund të themi se e kemi tejkaluar të keqen, pasi ditët në vazhdim parashikohen me reshje të rënduara”, - tha Prifti. Sipas tij, zona më e rrezikuar mbetet Shkodra, por janë marrë masa për të evakuuar banorët në rast se do të jetë e nevojshme. Sipas ministrit, për të shmangur çdo situatë katastrofe janë hapur portat në hidrocentrale për të shkarkuar ujin. Aktualisht është ulur niveli i importit të energjisë elektrike për të prodhuar sa më shumë nga hidrocentralet në vend. Niveli i ujit në HEC-et kryesore, Koman, Vau i Dejës, Fierzë, ka arritur pranë kufirit maksimal. Që prej ditës së hënë HEC-et në Veri të vendit punojnë me kapacitet maksimal dhe ka filluar eksporti i energjisë në vendet e rajonit.
Parashikimi
Banorët e Lezhës dhe të Shkodrës, me sytë nga Zoti
Edhe gjatë ditës së sotme pritet të ketë reshje, sidomos në zonat veriore. Shërbimi meteorologjik “MeteoAlb” parashikon një mot me vranësira dhe shira të dobët në zonat malore të vendit, ndërsa alternime kthjellimesh dhe vranësirash do të ketë pjesa tjetër e territorit. “Pjesa e dytë e ditës do të lokalizojë shirat në zonat malore, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të mbetet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash”, - thotë ky shërbim. Këto kushte atmosferike do të na shoqërojnë deri mëngjesin pasardhës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në vlerat e mëngjesit, por mesdita do të sjellë 2 – 3 gradë rritje të temperaturave në vend. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 28 km/h dhe drejtim jugor kjo do të bëjë që në det të ketë dallgëzim të ulët.
Nëse reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, do të rriten rreziqet në zonat veriore deri në Lezhë dhe në Shkodër për shkak të shtimit të prurjeve nga lumenjtë kryesorë. Tashmë, banorët e këtyre zonave i falen Zotit që të mos ketë reshje, pasi është e vështirë që situata të mbahet nën kontroll.
Ekspertët paralajmërojnë skenarin apokaliptik
Prej disa vitesh ekspertët që kanë ndërtuar hidrocentralet e vendit kanë paralajmëruar rreziqet që mund të vijnë nga dalja jashtë përdorimit e portave shkarkuese. Njëri prej tyre, inxhinieri Dhimitër Cico, doli publikisht pak ditë më parë dhe lëshoi alarmin e radhës, duke parashikuar atë që ndodhi dje. Sipas Cicos, prej dhjetëra vjetësh, portat e punës së remont-avarisë në hidrocentralet e kaskadës së Drinit janë jashtë funksionit. Një gjë e tillë rrezikon seriozisht, direkt, të tria digat e ndërtuara në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës; në rast fatkeqësie ekstreme, miliona metra kub ujë do të shkatërronin digat në mënyrë të njëpasnjëshme dhe Shkodra e Lezha do të përfundonin në det. Sipas inxhinierit, ky është një skenar apokaliptik që ka gjasa të ndodhë, sepse portat janë “të mbyllura”. “Portat e punës së remont – avarisë në Koman kanë mbi 20 vjet që nuk janë përdorur. Në Fierzë, edhe më shumë vjet, kurse në Vaun e Dejës, rrjedhja e tyre dallohet dhe me sy të lirë mbi digë. Teknikisht, këto porta duhet të vihen në funksionim një herë në gjashtë muaj për provë e për t´i mbajtur në gatishmëri, ndryshe, dalja e tyre jashtë funksionit mund të shkaktojë tragjedi të paimagjinueshme. “Asnjë qeveri nuk e ka menduar një gjë të tillë; e majtë dhe e djathtë. Këtu nuk është e rëndësishme të gjendet se kush është fajtori; e rëndësishme është që faji i shtresëzuar në gjithë këto vite të mos sjellë nesër një tragjedi të jashtëzakonshme njerëzore”, - pohoi në intervistën e dhënë pak ditë më parë për “MAPO”-n inxhinieri Dhimitër Cico.
29 Dhjetor 2009