Edi Rama ngre kërkesë-padi për Pernaskën dhe Bumçin me akuzën për shpifje
Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka depozituar dje përpara Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë një kërkesë-padi ndaj dy deputetëve të Partisë Demokratike, Lajla Pernaska dhe Aldo Bumçi, me akuzën për shpifje. Sipas Pernaskës, Rama ka abuzuar rëndë me çmimin e truallit në të dyja anët e bulevardit të madh të kryeqytetit. Ajo ka deklaruar se në anën rreth hotel “Dajtit”, çmimi i truallit është vlerësuar me 1500 euro/m2, ndërkohë që trualli përballë lulishtes së Tajvanit, e bashkëpronarit të Ramës, është vlerësuar me 97 euro/m. Ndërsa sipas deklaratës së Bumçit, Rama ka vepruar në kundërshtim me ligjet e vendit, duke dhënë me qira një truall publik mbi të cilin është ndërtuar një pallat 12 kate. Bumçi ka deklaruar se Rama po mbron me Policinë Bashkiake pallatin e tij, ndërtuar me Dashin e vet. Nga ana tjetër, kryetari Rama kërkon që dy të paditurit të paguajnë dëmshpërblimin, i cili duhet të ketë vlerën prej 10 000 000 lekësh. Në kërkesë-padi shprehet shqetësimi i kryetarit të Bashkisë, pasi është cenuar në nderin dhe personalitetin e tij, aq më tepër që faktet pretendente nuk janë të vërteta. Përveç kreut Rama, faktet shpifëse kanë cenuar edhe imazhin e Bashkisë dhe njëkohësisht kanë njollosur punën e Bashkisë së kryeqytetit. Sipas akt-padisë, dëmtimi i imazhit publik mbi punën e Bashkisë lidhet drejtpërdrejt me qytetarët e kryeqytetit, pasi kontakti me ta realizohet nëpërmjet ofrimit të shërbimit publik, ku përfshihet edhe gjelbërimi.
Padia ndaj Pernaskës
Kreu i Bashkisë, Edi Rama, hedh poshtë pretendimet e Pernaskës duke i cilësuar si të pavërteta. Rama, në kërkesë-padinë thekson se në emër të shtetit, tagrin e kalimit në pronësi e ka Këshilli Bashkiak. Sipas tij, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka dhënë miratimin e tij për kalim në pronësi me një shumicë të cilësuar, 3/5 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Këshillit. Ndërsa lidhur me çmimin, në kërkesë-padi sqarohet se përcaktimi i tij është i sanksionuar nga ligji dhe organi kompetent, ZRPP. Lidhur me tjetërsimin e sipërfaqes së truallit te kompleksi “Tajvan”, në kërkesë-padi sqarohet se procedura është kryer në zbatim korrekt të kuadrit ligjor të kohës së shitblerjes së kësaj prone. Kështu, me vendimin e Këshillit Bashkiak për “shitblerjen për efekt legalizimi të truallit shtetëror të zënë me ndërtim shtesë tej lejes së ndërtimit, të miratuar me vendimin e KKRT-së së Tiranës, është miratuar kalimi në pronësi private në favor të shoqërisë ‘Tajvan’ me sipërfaqe prej 1310 m2”.
Padia ndaj Bumçit
Kryebashkiaku, Edi Rama hedh poshtë pretendimet e Bumçit, duke sqaruar se në lidhje me ndërtesën 12 kate ka pasur një vendim të Këshillit Bashkiak. Në bazë të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, me vendimin “Për dhënie me qira të truallit”, Këshilli Bashkiak ka miratuar dhënien e truallit me sipërfaqe 51 m2 për ndërtim në favor të Ilir Matës.
Nenet ku mbështetet aktpadia:
Neni 608 i Kodit Civil përcakton se: “Personi që në mënyrë të paligjshme dhe me faj i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasuri, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar”.
Neni 609 i Kodit Civil përcakton respektivisht se: “Dëmi duhet të jetë rrjedhim i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit. Mospengimi i një ngjarjeje nga personi që ka detyrimin ligjor për ta mënjanuar e ngarkon atë me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar”.
Neni 618 përcakton se: “Personi juridik është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga organet e tij në kryerjen e detyrimeve”.
Neni 625, shkronja “a”, përcakton: “Personi që pëson një dëm, të ndryshëm nga ai pasuror, ka të drejtë të kërkojë të shpërblehet kur: ka pasur një dëm të shëndetit ose është cenuar në nderin dhe personalitetin e tij”.
Neni 617 i Kodit Civil - kërkohet që palët të kryejnë një përgënjeshtrim për deklaratat e cituara.
Patos: 30 invalidë pa ndihmë ekonomike futen në Bashki me forcë
Në qytetin e Patosit, 30 invalidë janë futur me forcë në Bashkinë e këtij qyteti, pasi nuk kanë marrë ndihmën ekonomike. Invalidët paralajmërojnë se do të qëndrojnë aty në shenjë proteste edhe natën e ndërrimit të viteve, pasi kanë 4 muaj që nuk paguhen. Situata e krijuar vjen si pasojë e mosçeljes së fondit për pagesat e tyre. Ndërsa dështimet e njëpasnjëshme të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak i kanë detyruar invalidët të ndërmarrin këtë hap. Ata i kishin mbajtur shpresat te mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak, por edhe ajo dështoi. Në të merrnin pjesë vetëm përfaqësuesit e majtë, ndërsa të djathtët e kishin bojkotuar. Kjo i ka detyruar ata të hyjnë me forcë në Bashki dhe të deklarojnë që nuk dalin prej andej nëse nuk marrin pagesat mujore.
29 Dhjetor 2009