E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza pas masakrës: Policët nuk stërviten

Në Drejtorinë e Përgjithshme
të Policisë,
edhe pse s‘ka asnjë
deklarim zyrtar publik,
analizat për operacionin e
7 gushtit, ku ngelën të vrarë 4
oficerë policie, janë bërë gati çdo
ditë. Sipas burimeve konfidenciale,
në një prej tyre të zhvilluar
vetëm pak ditë më parë, mbi
tavolinën e krerëve më të lartë të
uniformave blu është "hedhur"
një dosje voluminoze e inspektimeve
që u janë bërë trupave
policore këto 2 vitet e fundit.
Papërgjegjshmëria duket se ka
përmasa skandaloze, të cilat
tregojnë arsyen se pse një kriminel
si Dritan Dajti vrau 4 oficerë
policie brenda pak sekondave
dhe vetë shpëton i gjallë, pavarësisht
se u prangos. Thelbi i këtyre
kontrolleve është: punonjësit
e policisë nuk dinë t‘i përdorin
armët. Ky problem, me përmasat
e një skandali, është bërë prezent
edhe herë të tjera, por duket se
pas ngjarjes "Dajti", ka ridalë këtë
radhë në formën e një alarmi.
Përfundimet janë arritur nga
specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme
të Policisë së Shtetit,
pasi janë kryer ushtrime qitjeje
në periudha të ndryshme kohe
të njësive të ndryshme policore
në të gjithë vendin. Madje, kjo ka
sjellë edhe reagimin e drejtuesve
të policisë, të cilët kanë kërkuar
të hartohen programe të
reja për kontrollin e tyre dhe të
ndërtohen urgjentisht poligone
qitjeje, që mungojnë totalisht.
Sipas burimeve, "historia" e këtij
skandali të rëndë ka nisur rreth
dy vite më parë. Pavarësisht se
janë bërë vërejtje herë pas here,
problemet mbeten pothuajse
të njëjta dhe duhet që fatkeqësisht
të ndodhin ngjarje tejet
të rënda si ajo e 7 gushtit, që të
vihet "gishti në plagë. Gjatë disa
seancave stërvitore të përgatitur
nga krerët e policisë, specialistë
të trajnimeve kanë organizuar
kontroll në "poligonet" e improvizuara
në periferi të kryeqytetit.
Por, gjatë këtij inspektimi është
vënë re një joprofesionalizëm
skandaloz, duke nisur nga papërgjegjshmëria
e punonjësve të
policisë për kujdesin ndaj armës,
deri te përgatitja tejet e dobët
profesionale e tyre gjatë qitjes.
Madje, shumë punonjës policie
nuk janë paraqitur fare në testim,
duke injoruar edhe etikën më
minimale të punës: orarin.
Alarmi
Për këtë problem, specialistët
kanë lënë një sërë detyrash për
eprorët përkatës, por ato nuk
janë zbatuar asnjëherë. Madje,
në vitin 2007 policia ka bërë
vetëm një seancë qitjeje me pistoletë,
ku nuk merrnin pjesë të
gjithë efektivët e saj. Kjo situatë
është konstatuar në të gjitha
drejtoritë e policisë në qarqe,
duke thelluar më tej përmasat
e këtij fenomeni skandaloz. Për
amatorizmin në përdorimin e armës
në raportet e përgatitura pas
ushtrimeve me qitje, specialistët
kontrollorë kanë ngritur një sërë
shqetësimesh për administrimin,
ruajtjen dhe mirëmbajtjen e armatimit
personal nga punonjësit
e policisë. Burimet shpjegojnë se
në ato pak raste seanca qitjesh,
një pjesë e uniformave blu, e
sidomos ato femra, nuk kishin
marrë as pistoletën e tyre me
vete. Dhe kjo, sipas disa urdhëresave
të brendshme për zhvillimin
e testimit, të cilat përcaktonin që
qitja të bëhej me armën personale
të secilit punonjës. Gjithashtu,
një pjesë dërmuese e efektivit
nuk ka marrë pjesë në këto qitje
dhe më së shumti pjesëtarë të
shërbimeve mbështetëse dhe
nga seksioni i pasaportave. E
kjo nuk mbaron me kaq, pasi
ekspertët deklarojnë se një pjesë
e madhe e punonjësve të policisë
të rolit bazë, punonjëset femra
në përgjithësi, por edhe policë
të reparteve të tjera, nuk e njohin
mirë përdorimin e armës, deri
në gjëra elementare, si nxjerrja e
armës nga këllëfi, mbushja e saj,
heqja e krehrit, ndalimi i zjarrit,
e shumë të tjera. Gjithashtu, gjatë
seancave të kontrollit, një pjesë
e mirë e punonjësve të policisë
nuk marrin me vete numrin e nevojshëm
të fishekëve në krehër (7
copë), por më pak dhe nuk mba-
jnë me vete as krehrin rezervë.
Çështja "Dajti"
Ende prokuroria nuk është
shprehur, por mungesa e profesionalizmit
në përdorimin
e armatimit ka qenë një nga
arsyet kryesore që më 7 gusht
ndodhi ajo që ndodhi. Në disa
raste municionet nuk janë në
sasinë që ata kanë në ngarkim,
ose armatimi është jashtë përdorimit.
Policia, duke parë këto
probleme të armatimit, të cilat
mund të sjellin edhe ngjarje të
rënda siç edhe ndodhi, ka argumentuar
se shumë uniforma blu
nuk dinë të kujdesen për armët
e për më tepër t‘i përdorin ato.
Dhe me qëllim që në të ardhmen
të ketë rezultate më të mira në
qitjet luftarake dhe punonjësit e
policisë të administrojnë, ruajnë
e mirëmbajnë armatimin personal
sipas rregullave e normave të
përcaktuara, janë lënë për detyrë
të merren masa të ndryshme
imediate. Por duket se shumë
prej këtyre masave nuk janë marrë
ende. Specialistët shpjegojnë
se e gjithë kjo situatë vjen nga
mungesa e stërvitjes. Aktualisht,
policisë i mungojnë poligonet e
qitjes, për më tepër ato të stërvitjes.
Ndryshe nga të gjitha vendet
e botës, policia shqiptare nuk ka
poligone të mbyllura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›