Sqarimi
Kabineti i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, sqaroi dje se "shkrimi i botuar në gazetën ‘Shqip‘, datë 25.08.2009, me titull ‘Topalli drejt rikonfirmimit si Kryetare e Parlamentit‘, është abuziv dhe i ndërtuar mbi biseda dhe fakte të paqena". Artikullshkruesi, sipas kabinetit të Kuvendit, nuk ka kontaktuar asnjëherë me Kryetaren e Kuvendit, siç pretendon dhe nuk ka biseduar as më parë dhe as tani për çështjet mbi të cilat flitet në këtë shkrim. "Çdo referencë e përdorur në këtë artikull është dashakeqe dhe e qëllimshme", thotë sqarimi i kabinetit të Kryetares së Kuvendit. Sakaq, gazeta "Shqip" sqaron se gazetari i ka telefonuar zonjës Topalli në numrin e saj telefonik dhe në pamundësi për të marrë një përgjigje, ka kontaktuar me zëdhënësen e Kryetares së Kuvendit, Suela Rusetin. Kjo e fundit, e pyetur për faktet të cilat do të pasqyroheshin në artikull, nuk ka pohuar dhe as mohuar përmbajtjen e tyre. Përderisa zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit përfaqëson institucionin dhe kryetaren, reagimi i saj është konceptuar si reagim institucional për objektin ndaj të cilit interesohej gazetari.