E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet Dritan Dajti: M‘u dukën si grabitës, jo si policë

Dritan Dajti ka rrëfyer
për herë të parë "masakrën
e Durrësit", ku
mbetën të vrarë katër
punonjës policie. Në dhomën e
takimeve me avokatin, në katin
e dytë të Spitalit të Burgut në
Tiranë, Dajti ka zhvilluar dje në
mesditë një bisedë njëorëshe
me avokatin Arben Qeleshi. I
shtrirë në një barelë, nga ato që
përdoren për të transportuar
të sëmurët në gjendje të rëndë
shëndetësore, 38-vjeçari ka diskutuar
variantet e mbrojtjes
ligjore, gjatë momentit që do të
përballet me grupin hetimor të
Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Por biseda, sipas avokatit
Qeleshi, është fokusuar më së
shumti te gjendja e tij shëndetësore
dhe përpjekjeve për të kryer
operacionin. Pas varianteve të
ndryshme të mbrojtjes, Dajti dhe
Qeleshi e kanë shtyrë mbrojtjen
pas operacionit. Primare, sipas
tyre, është gjendja shëndetësore
dhe pas stabilizimit, atëherë do
të mund të flitet për t‘u përballur
me grupin hetimor. Megjithatë,
dy bashkëbiseduesit nuk kanë
lënë pa diskutuar edhe ngjarjen
e rëndë të 7 gushtit në qytetin e
Durrësit.
Dëshmia paraprake
Me dy plumba në trup, thuajse
i paralizuar, Dajti ka qëndruar
gjatë gjithë takimit me avokatin i
shtrirë. Megjithatë, gjendja është
normalizuar dhe jashtë rrezikut
për jetën. Sipas informacioneve
nga Spitali i Burgut, Dajti i ka
treguar detaje interesante nga
ngjarja, ku mbetën të vrarë pesë
persona. "Isha bashkë me shokët
dhe befas pashë nga dritaret e automjetit
ku udhëtoja disa persona
civilë me maska dhe të armatosur.
Pandeha se do të më vrisnin,
pasi me vete kisha 150 mijë euro".
Kështu e ka nisur dëshminë Dajti,
duke vazhduar se nuk ka dëgjuar
asnjë thirrje "ndal, policia!". Më
pas, për t‘u vetëmbrojtur ka përdorur
një pistoletë dhe gjithçka
ka mbaruar pas disa sekondash.
Dajti ka këmbëngulur në takimin
e parë me avokatin, se personat
që po afroheshin në drejtim të
automjetit të tij ngjasonin me një
bandë kriminale, pasi dispononte
një shumë të majme me vete
dhe nga frika e një grabitjeje apo
eliminimi fizik ka reaguar në atë
mënyrë. Megjithatë ai nuk e shpjegon
mënyrën e vrasjes së katër
punonjësve të policisë, nëse ka
qëlluar ai apo personat që kanë
qenë në automjet. Avokati nuk
ka këmbëngulur shumë në këtë
pikë, pasi dje ka qenë takimi i
njohjes mes palëve. Gjithçka do
të sqarohet në dëshmitë pasardhëse,
ku hetuesit e Prokurorisë
së Krimeve të Rënda do t‘i bëjnë
një vizitë Dajtit.
150 mijë euro
Edhe dje, gjatë takimit me
avokatin, Dajti hodhi dyshimin
se reagimi i tij ndaj personave që
e kishin rrethuar kishte të bënte
me faktin se me vete dispononte
një shumë prej 150 mijë eurosh,
për të cilat ende nuk ka asnjë
informacion ku kanë përfunduar.
Ai ngre alibinë se kishte pandehur
se personat e armatosur
dhe civilë që po drejtoheshin në
automjetin e tij ishin një bandë
kriminale dhe donin të grabisnin
paratë e tij. Pretendimet e Dajtit
janë hedhur poshtë nga grupi
hetimor i çështjes në Prokurorinë
e Krimeve të Rënda. Ata kanë
deklaruar se Dajtit i është sekuestruar
një sasi prej katër mijë
eurosh, si edhe disa dokumente
që dispononte me vete. Por kurrsesi
nuk ishte gjetur sasia prej 150
mijë eurosh, të cilat pretendohen
nga 38-vjeçari. Pas arrestimit të
Dritan Dajtit, policia i sekuestroi
edhe një çantë dore, brenda së
cilës u gjendën 30 mijë lekë të reja
dhe 4 mijë e 500 euro. Por sipas
Dajtit "mungojnë" 150 mijë euro.

Familjarët e Dajtit kërkojnë leje për ndërhyrje kirurgjikale

Familjarët e Dritan Dajtit i kanë kërkuar
Prokurorisë së Krimeve të Rënda
dhe spitalit "Nënë Tereza" leje për të
zhvilluar ndërhyrjen kirurgjikale dhe për
të hequr plumbat që ka në trup. Dy ditë
më parë, bashkëshortja e Dajtit, i cili është
i dyshuari kryesor për vrasjen e katër punonjësve
të policisë në qytetin e Durrësit,
ka zhvilluar një takim me prokurorët e
çështjes. Sipas burimeve nga akuza qendrore,
Dorela Dajti i ka dorëzuar një kërkesë
prokurorëve të çështjes, që bashkëshorti
i saj t‘i nënshtrohet një operacioni kirurgjikal,
pasi gjendja e tij shëndetësore është e
rëndë. Sipas burimeve nga akuza qendrore,
institucioni i prokurorisë nuk mund të
vendosë për këtë kërkesë, pasi nuk është
spital. Janë organet e shëndetësisë, sipas
akuzës, që vendosin nëse Dajti duhet apo
jo t‘u nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale.
Ndërkohë që një kërkesë e njëjtë është
dorëzuar pranë spitalit "Nënë Tereza" në
Tiranë. Drejtoria e këtij spitali u ka kthyer
përgjigje familjarëve të Dajtit se duhet
të marrë leje më parë tek institucionet e
drejtësisë (policia e prokuroria). Duket
se spitali nuk i ofron të gjitha kushtet e
sigurisë për të zhvilluar operacionin dhe
nga frika e mundshme e një arratisjeje të
Dritan Dajtit ka sjellë që asnjë institucion
të mos japë leje për ndërhyrje kirurgjikale.
Mësohet se bashkëshortja e Dritan Dajtit,
Dorela Dajti, i është drejtuar me një letër
edhe kryeprokurores së përgjithshme Ina
Rama për këtë problem, i cili duket se do të
marrë zgjidhje vetëm pas disa ditësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›