Xhuveli: Bashkëpunimi PD-PAA është çështje vlerash, jo numrash
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, aktualisht ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, sqaroi dje se koalicioni mes Partisë Demokratike dhe Partisë Agrare Ambientaliste do të ekzistojë edhe në vitet në vazhdim. Xhuveli theksoi se bashkëpunimi me PD-në do të jetë një çështje vlerash dhe jo numrash. "Midis PD-së dhe PAA-së nuk ka një koalicion numrash, por ka një koalicion vlerash", u shpreh kreu i PAA-së, Lufter Xhuveli. Sipas tij, ka një bazë mirëkuptimi të plotë të deritanishëm mes dy krerëve të PD-së dhe PAA-së. Ministri në detyrë, Xhuveli, theksoi se mjedisi do të vazhdojë të jetë një prioritet i qeverisë shqiptare, edhe pse Partia Agrare Ambientaliste nuk arriti dot të marrë numrin e duhur të votave për t‘u përfshirë në Parlamentin e ri. "Bashkëpunimi vazhdon të jetë dhe mjedisi do të jetë gjithmonë e më i madh në rolin e procesit të integrimit", tha Xhuveli. Kryetari i PAA-së, Lufter Xhuveli, megjithëse nuk arriti dot të përfaqësojë partinë e tij në Kuvendin e ardhshëm, theksoi se nuk do të shkëputet nga koalicioni i djathtë dhe se programi për mbrojtjen e mjedisit do të vazhdojë edhe në qeverinë e ardhshme "Berisha". Në zgjedhjet e 28 qershorit, Partia Agrare Ambientaliste ishte forca e katërt në koalicionin e djathtë, duke qëndruar pas Partisë Demokratike, Partisë Republikane dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim. Partia agrare arriti të marrë në rang vendi 13296 vota, ose ndryshe 0.88% të votave.