Analiza, viti 2010 ka nisur me rritje të papunësisë
Punësimi gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 ka ardhur në rënie, duke reflektuar tkurrjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky është konkluzioni i Bankës së Shqipërisë dhënë në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti. “Numri i të punësuarve në sektorin shtetëror dhe privat jobujqësor shënoi rënie vjetore prej rreth 0.6 përqindësh në këtë tremujor. Të punësuarit në sektorin shtetëror regjistruan një tkurrje vjetore më të lehtë, me 0.2 për qind gjatë këtij tremujori”,- deklaroi Banka e Shqipërisë. Sipas saj, tkurrja ekonomike në tremujorin e fundit të vitit u reflektua në rënien e punësimit. Reduktimi i kërkesës agregate dhe niveli i ulët i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve vlerësohet të kenë ndikuar në uljen e kërkesës së bizneseve për punësim. Zgjerimi i hendekut midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës është pasqyruar në prirjen rritëse të normës së papunësisë, duke krijuar kushte për presione të dobëta për rritjen e pagave. Si rezultat, kostoja për njësi të prodhuar ka ngadalësuar ritmet e rritjes, duke gjeneruar presione të dobëta inflacioniste. Çmimet e prodhimit në tregun e brendshëm ruajtën të njëjtat nivele me vitin 2008, nën ndikimin e ngadalësimit të kërkesës agregate në vend.
METE, Task- Force për kromin e Bulqizës
Qeveria vendos të ndërhyjë për të rregulluar situatën e shfrytëzimit të kromit në Bulqizë. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka publikuar dje një vendim të katër ministrive me të cilin ngrihet një Task-Forcë për të rregulluar situatën atje. “Ne jemi një nga vendet më të pasur me krom dhe industria e kromit është shumë e rëndësishme për ekonominë shqiptare. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që çdo gjë të zhvillohet sipas ligjit, që kompanitë të jenë të licencuara dhe të zbatojnë rregullat e sigurimit teknik, të garantohet jeta e minatorëve dhe e komunitetit në të gjithë aspektet. Pra, e bëjmë këtë ndërhyrje për të mbështetur këtë industri, për të mbështetur komunitetin dhe për të mbështetur biznesin e ndershëm në zonën e Bulqizës, për t’i dhënë një nxitje më të madhe nxjerrjes dhe përpunimit të kromit në vend, por në mënyrë të ligjshme”,- tha ministri Prifti. Sa i takon përzgjedhjes për projektin e Skavicës, Prifti u shpreh se ky do të jetë një hap që do ta ndërmarrë qeveria së shpejti. “Do t’i dërgojmë qeverisë dy propozime, nga të cilat do të zgjidhet vetëm një. Propozimi i parë është ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës me funksion rregullimin e kaskadës dhe propozimi i dytë ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës me funksion prodhimin e energjisë”,- tha Prifti.
11 Maj 2010