E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti konfidencial i BE-së: Po rrezikoni statusin

Publikohet dokumenti që do të paraqitet në Këshillin e 2-të të S-A

Shqipëria nuk i ka plotësuar kriteret politike të Kopenhagenit dhe rrezikon statusin e vendit kandidat. Alarmi i kuq për Tiranën zyrtare është dhënë nga një dokument konfidencial i përgatitur pak ditë më parë, që pritet të bëhet publik ditën e sotme, pikërisht në prag të takimit të Këshillit të 2-të të Stabilizim–Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, i cili do të zhvillohet në Bruksel. Dokumenti sekret prej 15 faqesh, i bërë publik mbrëmë nga Top Channel, shqyrton gjendjen politike dhe ekonomike në vend, duke vënë theksin në korrupsionin e përhapur, procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, luftën kundër trafiqeve, krizën ekonomike dhe mediat. Në materialin që do t’i dorëzohet shefit të Diplomacisë shqiptare, zotit Ilir Meta, i cili kryeson bisedimet dypalëshe, futen në filtër të gjitha zhvillimet e fundit politike në vend, duke ngritur shqetësimin e mosfunksionimit të institucioneve demokratike dhe bllokimin e Kuvendit.

Kriza politike
Duke vënë theksin në mosfunksionimin e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare që prej zgjedhjeve të vitit të kaluar, BE-ja nënvizon rëndësinë e një bashkëpunimi aktiv të maxhorancës dhe opozitës për të rivendosur veprimtarinë e pandërprerë parlamentare. “BE-ja u bën thirrje liderëve politikë shqiptarë të marrin parasysh pasojat e mundshme të ngërçit politik për hapat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në momentin e përgatitjes së opinionit për aplikimin e Shqipërisë, funksionimi i plotë i Kuvendit është thelbësor për të dëshmuar pjekurinë demokratike të Shqipërisë, por dhe për të garantuar progres në reformat kyçe. BE-ja nënvizon se të gjithë liderët kryesorë politikë ndajnë përgjegjësinë për të rikthyer një dialog konstruktiv politik dhe për të dëshmuar efikasitetin dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Në atmosferën aktuale politike është e rëndësishme që të shmangen veprime konfrontuese, deklarata dhe vendime që mund ta acarojnë më tej situatën.
Ky qëndrim i vendeve anëtare është hedhur në letër dhe është miratuar përpara nisjes së grevës së urisë nga përfaqësues dhe mbështetës të opozitës. Ndërkohë që vlerësimet për situatën e përkeqësuar politike të ditëve të fundit pritet të bëhen të ditura në takimin e ditës së martë, ku do të marrin pjesë kryediplomati Ilir Meta, komisioneri Shtefan Fyle dhe përfaqësues të Presidencës spanjolle e vendeve anëtare të BE-së.

Dokumenti konfidencial
Në raportin e përgatitur prej ekspertëve të Bashkimit Europian, përveç kritereve politike është bërë edhe një vlerësim i detajuar i reformave të tjera që përfshin procesi deri në marrjen e statusit të vendit kandidat. Në materialin e publikuar mbrëmë nga Top Channel bëhet e ditur se Brukseli zyrtar kërkon nga maxhoranca që të garantojë pavarësinë e Gjyqësorit, të përzgjedhë sipas meritës anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe të ngrejë një shërbim informativ me standardet e NATO-s. “Korrupsioni mbetet gjerësisht i përhapur dhe përbën një problem, veçanërisht serioz në shumë fusha, përfshirë këtu financimin e partive politike, sektorin shëndetësor etj.”, - thuhet në këtë raport. Ndër pikat e kritikueshme, sipas ekspertëve, - janë edhe trafiqet, ku vendi ynë konsiderohet “një vend origjine për trafikun e fëmijëve dhe të grave për qëllime të shfrytëzimit seksual e punës së detyruar”.
Qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të Bashkimit Europian, i cili nuk është publik, të martën shndërrohet në deklaratën e përbashkët të takimit me Shqipërinë, ku priten tone më të buta. Por, ky dokument, njësoj si ai i një viti më parë, do të përbëjë prioritetet kyçe të qeverisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së.

PIKAT E RAPORTIT
Gjyqësori:

“BE-ja i bën thirrje qeverisë shqiptare të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në veçanti për Gjykatën Kushtetuese, si dhe ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Duhet që për Gjykatën Kushtetuese të bëhet në kohë, bazuar në procesin e meritave, emërimi i gjyqtarëve të rinj në mes të 2010-s. Nevojitet një shërbim informativ i pavarur, i përgjegjshëm e profesional”.

Korrupsioni:
“Numri i rasteve të korrupsionit që po hetohen, përfshirë gjyqtarë, oficerë policie e doganash, është në rritje. Megjithatë, korrupsioni mbetet gjerësisht i përhapur dhe përbën një problem, veçanërisht serioz në shumë fusha, përfshirë këtu financimin e partive politike, sektorin shëndetësor etj. Kapaciteti investigues i zbatuesve të ligjit dhe Prokurorisë mbetet i dobët. Niveli i dënimeve për rastet e korrupsionit mbetet i ulët. BE-ja vë re se perceptimi publik ndaj korrupsionit është përkeqësuar, si dhe nënvizon rëndësinë e vendosjes së rezultateve bindëse në hetimin dhe dënimin e pavarur nga ndërhyrjet politike, përfshirë këtu dhe rastet e korrupsionit në nivele të larta”.

Trafiqet:
“Bashkimi Europian vëren realizimin e disa veprimeve të suksesshme ndërkombëtare në luftën kundër trafikut të drogës dhe përpjekje të mira për parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore. Por, BE thekson se nevojiten ende përpjekje të konsiderueshme në të dyja këto fusha, si dhe në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Shqipëria mbetet një vend origjine për trafikun e fëmijëve dhe grave për qëllime të shfrytëzimit seksual e punës së detyruar”.

Administrata:
“Bashkimi Europian bën thirrje për progres në zbatimin e strategjisë për reformën e administratës publike dhe thekson rëndësinë e ngritjes dhe të ruajtjes së një shërbimi civil të pavarur, profesional, të bazuar mbi merita dhe të lirë nga ndërhyrjet politike”.

Media:
“Bashkimi Europian vëren se biznesi dhe interesat politike vazhdojnë të ndikojnë te mediat edhe nëpërmjet frikësimit”.

Vizat:
Vlerësohet progresi në fushën e vizave dhe sigurisë së dokumenteve, por vërehet mospërputhshmëri e plotë mes listave pozitive e negative aktuale të Shqipërisë me ato të BE-së. Në dokument bëhet thirrje për zbatimin e ligjeve, strategjive dhe planeve të aksioneve ndaj emigracionit, trafiqeve dhe luftës ndaj pastrimit të parave, korrupsionit e krimit të organizuar.

Për kriterin e dytë të Kopenhagenit vlerësohet performanca pozitive e rritjes ekonomike, por kërkohet vigjilencë ndaj risqeve që has sistemi bankar.

Ekonomia
“Në kontekstin e një situate ekonomike ndërkombëtare e rajonale ende delikate, BE inkurajon Shqipërinë të ndërmarrë me shpejtësi veprimet për të garantuar stabilitetin makroekonomik. Restaurimi i disiplinës fiskale, duke pasur parasysh zgjerimin e deficitit buxhetor dhe borxhin e lartë e në rritje publik gjatë 2009-s, kërkon vëmendje të veçantë”.

Presidenca spanjolle: Kriza, do të ndihmojmë Shqipërinë

BRUKSEL – Vetëm pak orë para zhvillimit të takimit të Këshillit të Stabilizim-Asocimit Shqipëri–BE, Presidenca spanjolle angazhohet për të dhënë ndihmë në zgjidhjen e krizës në vendin tonë. Kryediplomati i Spanjës, vendi që mban kryesimin e radhës së Bashkimit Europian, Miguel Moratinos, deklaroi dje pasdite se “do ta ndihmojë Shqipërinë që të dalë nga kriza e thellë politike në të cilën ndodhet”.
“Do të diskutoj për situatën në Shqipëri në takimin e ditës së martë me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta”, - u shpreh shefi i Diplomacisë së Spanjës në Bruksel, teksa ndodhet për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së që nisi dje në Bruksel. Presidenca spanjolle ka deklaruar gjithashtu se është e rëndësishme që të lëvizet përpara me Shqipërinë, duke qenë se vendi aspiron të anëtarësohet në BE.
“Duam që Ballkani Perëndimor të bëhet një zonë e qëndrueshme”, - ka deklaruar më tej diplomacia spanjolle. Këshilli i Stabilizim-Asocimit, që është dhe takimi i nivelit më të lartë BE-Shqipëri, do të debatojë edhe për sfidat urgjente të vendit në rrugën e tij drejt integrimit europian. Ai mblidhet një herë në vit dhe shqyrton në mënyrë të hollësishme reformat e Shqipërisë për integrimin europian, si dhe përcakton “detyrat e shtëpisë” për Tiranën zyrtare. Ky takim bëhet në momentin kur në Shqipëri po zhvillohet një grevë urie nga 202 deputetë dhe mbështetës të PS-së, duke shënuar kështu kulmin e krizës mes maxhorancës dhe opozitës që prej zgjedhjeve të 28 qershorit.
Katër ditë më parë, komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle, ripërsëriti qëndrimin e BE-së, duke kërkuar në mënyrë jodiplomatike zgjidhjen urgjente të krizës politike në Shqipëri.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›